Anna Patsou: Nuk ta kam frikën jo… të dashurova

I mugët është pasioni yt
si nata
Bie në gjunjë edhe i falesh
hedonizmit të marrëzisë tënde
Përpiqem të vjedh
pakëz nga ajo çmendje
me shpresën se do çlirohem
nga e imja marrëzi
Të afrohem
dua të të shijoj
e sa më shumë afrohem… drithërohem
Nga fryma jote përvëluese në ngjyrë alle
nga ai… demoni i zvetënuar
që fsheh brenda vetes
Dhe era mbështillet rreth meje
trazohet me flokët e mia,
pikëllimi i saj
Ulërin mëkati… brenda kurmit tim
digjen këmbët e mia
a thua se shkel mbi thëngjij
e megjithatë
Djall, nuk ta kam frikën
jo… frikën nuk ta kam
Të dashurova…

Shqipëroi: Arqile Garo

————————

Lexo edhe:

Sergej Esenin: Tani vjeshtë atje ka rënë…

ObserverKult