“Shota” , përkrah 17 shteteve nga mbarë bota, në “Cheonean Folkore and Dance Festival” të Koresë së Jugut
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, të premten do të udhëtojë për në Seul të Koresë së Jugut, për të marrë pjesë në Festivalin “Cheonean Folkore and Dance Festival”, i cili do të mbahet nga data 25 deri më 29 shtator.
“Pas performancës së suksesshme në festivalin e madh të folklorit në Büyükçekmece të Turqisë, në të cilin Ansambli ‘Shota’ është nderuar edhe me çmim të dytë, si dhe pas pjesëmarrjes në manifestimin tradicional ‘Festa e Themelimit’, që është mbajtur në Horë të Arbëreshëve (Sicili), Ansambli do të prezantojë kulturën dhe traditën shqiptare në Korenë e Jugut”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, festivali “Cheonean Folklore and Dance Festival”, do të grumbullojë ansamble nga kontinentet e ndryshme të botës, ndërsa Ansambli “Shota” është i vetmi Ansambël shqiptar, që do të jetë në garë më 17 shtete pjesëmarrëse (Rumania, Turqia, Polonia, Republika Çeke, Egjipti, Kenia, Bolivia, Ekuadori, Paraguai, Kolumbia, Meksiko, Indonezia, Uzbekistani, Malajzia, Tailanda, Palau- Oqeani).
“Festivali i cili përveç garës kryesore të performancës së përgjithshme, përfshinë edhe kategori tjera garuese në: defile në rrugë dhe performanca individuale, është njëkohësisht mundësi e shkëlqyeshme qe bota të njihet me kulturën shqiptare përmes “Shotës”, thuhet tutje në njoftim.
“Cheonean Folklore and Dance Festival”, mbështetet nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit të Koresë, është një ndër festivalet më të mëdha në këtë vend dhe njëkohësisht anëtar i FIDAF (Federation of International Dance and Art Festivals).