Një nga autorët më të njohur të letërsisë botërore, Anton Çehov mbetet mjeshtri i padiskutueshëm i tregimit të shkurtër. Megjithëse, nga epoka kur ai vendosi për herë të parë penën në letër, kohët kanë ndryshuar, historitë e mjeshtrit të penës spikatin për aftësinë që e bëjnë lexuesin të qeshë përmes lotëve.
Fraza e ditës, me rastin e përvjetorit të lindjes, më 29 janar 1860, në Taganrog, Rusi: “Ajo çka ndiejmë kur jemi të dashuruar mbase është gjendja jonë normale. Dashuria tregon se çfarë duhet të jetë njeriu”, është marrë nga “Fletoret” e Çehovit ose katër fletoret që shtrihen kronologjikisht, nga viti 1891 deri në 1904, që përmbajnë shënime dhe reflektime nga autori, një referencë e çmuar për biografët e Çehovit.
Anton Çehovi, piktori i shpirtit njerëzor
Bir i një familjeje të thjeshtë, Anton Çehovi ishte një nga autorët më të dashur rusë. Dramat, së bashku me qindra tregime që burojnë nga pena e tij, janë një enciklopedi e vërtetë e shpirtit njerëzor, por edhe një përfaqësim i përsosur i shoqërisë ruse në fund të shekullit XIX. Në të vërtetë, pas shfaqjes së një shoqërie konservatore dhe monarkike, ishte fshehja e një bote në zhvillim të shpejtë, e mbushur me figura të reja shoqërore, të paafta për të komunikuar me njëri-tjetrin.
Një nga temat që shënon në mënyrë të konsiderueshme poetikën e Çehovit është moskomunikimi, për pasojë keqkuptimi, si rrjedhojë edhe ana komike. Më pas, humorit në veprat e Çehovit i shtohet një shtresë trishtimi dhe personazhet e shohin veten, duke parë dështimin e idealeve dhe aspiratave të tyre. I ndjeshëm ndaj ndryshimeve të kohës, Çehovi kishte aftësinë për të kapur dhe përjetësuar atë botë të re në dramat e tij, mes të cilave kujtojmë më të famshmet si “Kopshti i qershive”, “Pulëbardha” dhe “Xha Vanja”. Lev Tolstoi i krahasoi dramat e Çehovit me një pikturë, në të cilën penelata duket sikur kalon kuturu, “sikur të mos kishin asnjë lidhje me njëra-tjetrën”, ndërsa, nëse e shohim nga larg, “dallohet një tablo e qartë, e padiskutueshme”.
Të biesh në dashuri – një impuls jetësor
Në tentativën për të mbërthyer dashurinë, personazhet e Çehovit shpesh përfundojnë duke u shpëtuar nga duart, ata janë personazhe që dashurojnë pjesërisht, i shmangen ndjenjës absolute si për të mbrojtur veten dhe zmbapsen, të mbrojtur nga stuhia e dashurisë. Heronjtë e tij janë të bindur, të ndrojtur, përpiqen vazhdimisht ta përmbajnë impulsin jetësor që zien në brendësi të shpirtit të tyre. Mirëpo, Çehovi reflekton në fletoret e tij, ekziston një gjendje që më shumë se çdo gjë tjetër na inkurajon të largohemi nga zona jonë e rehatisë për të jetuar plotësisht të qenit qenie njerëzore: duke rënë në dashuri.
Në këtë kuptim, të biesh në dashuri është elektricitet i mirëfilltë, e aftë të na shkundë dhe të na zgjojë nga topitja në të cilën jemi mësuar të jetojmë. Brenda çdo gruaje apo burri të dashuruar, lind spontanisht ndjenja e kërkimit të së panjohurës. Etja e mospërmbushjes i shtyn të dashuruarit të eksplorojnë territore të panjohura, të shkojnë përtej kufijve të normales për t’u ndier të gjallë, tepër të gjallë./Konica.al