Nga Anton Pashku
– Hajt, të lutem, mos më lodh, mjaft më ke mërzitë!-thashë dhe, kuptohet, as që më vojti mendja t’i çeli sytë; mbeta aty, aty ku isha: mbrapa këlkatseve të mia, sall me veten, me veten time, në errësinë. Nuk më hiqte zemra, zemra, nuk më hiqte për të mendue për kapërcyellin, as për gavyellin, as për shtigjet, e as për gardhiqet.
Tekembramja, gati, të gjitha i kishte gllabërue gati krejtësisht errësina ime, kjo errësina mbrapa këlkatseve të mia: edhe kapërcyellin, të cilin ma kishin luejtë tinzisht, dhe kur ma kishin luejtë tinzisht unë isha rrëxue e ba jo për digë po për vig, edhe gavyellin, pa të cilin kish mbetë ajo rrota e qerres sime, edhe shtigjet që nuk mund të vazhdojshin përtej gardhiqeve, edhe gardhiqet, përtej të cilave, mendimi, nuk mund të ndiqej pa e pasë atë kapërcyell dhe atë rrotë të qerres me secilin gavyell. Por, jo krejtësisht, errësina nuk i kishte gllabërue krejtësisht.
Njimend, të gjitha u zhdukën, por në zhdukje e sipër të gjitha fluturuen andej e këndej nëpër errësinën mbrapa këlkatseve të mia dhe, dikur, shkuen e u përmblodhën në nji pikë fare të vogël, mezi të dukshme. Vetëm ajo pikë shihej në errësinën që m’i kishte zanë sytë.
Dhe sytë e mi, në atë erësinë, nuk shihshin gja tjetër, pos asaj pike të vogël që dukej si ndonjë bukurezë. Dhe me të vërtetë, ajo herë dukej e herë nuk dukej mbrapa këlkatseve të mia; herë zhdukej në errësinën e dendun të syve të mi, herë dukej tue lëshue rreth e rrotull njifarë drite të zbetë, tamam si bukureza. Mirëpo, ajo rrinte gjithnji larg.
Në të vërtetë, shihej tue luejtë, shihej tue u përpjekë me ça përpara, por gjithnji mbetej e vogël, gjithnji tue u kthy në po atë vend: midis errësinës mbrapa këlkatseve të mia, larg, diku shumë larg, shumë larg, mbetej atje diku shumë larg në errësinën mbrapa këlkatseve të mia.
Megjithkëtë, ajo vazhdonte të luente: ndizej e fikej në errësinë, dukej e zhdukej në errësinë; herë ndizej këtu, herë fikej atje, herë dukej andej, herë zhdukej këndej: tash e shihsha poshtë, tash e shihsha nalt, tash më shfaqej manash, tash në midis; pa marrë parasysh ku shfaqej , bukureza kthehej, bukureza gjithmonë kthehej në midis të errësinës’ kështu që, edhe pse luente, edhe pse bridhte, ajo, në të vërtetë, gjithmonë kthehej e rrinte në vendin e vet mbrapa këlkatseve të mia, diku larg, larg në midis të errësinës: mësyente ajo deri në pikën ma të naltë, por, bukureza, kthehej shumë shpejtë në midis; turrej manash, por bukureza, kthehej shumë shpejtë në midis; zdirgjej poshtë, por, bukureza, ngjitej dhe kthehej shumë shpejt në midis të errësinës.
Dhe gjithmonë ishte po aqë e vogël, mezi e dukëshme. Ajo, bukureza. Mirëpo, në nji çast fare të shkurtë, ndodhi diçka e papritun në errësinën e dendun mbrapa këlkatseve të mia: bukureza, befas, u turr përpara! aqë befas sa më habiti mësyemja e saj; mbrapa bukurezës, në errësinë, mbetej nji vazhdë e hollë e ndriçme që mbetej pezull në hapësinën e shpraztë plot errësinë.
Ajo vazhdë e hollë nuk ishte e drejtë; mbetej kudo ku prekte bukureza, e cila sa ma shumë që çante erësinën, aqë ma shumë bante dritë dhe bahej gjithnji e ma e madhe: në fillim pikë fare e vogël , që mezi shihej atje diku larg në midis të errësinës mbrapa këlkatseve të mia, tash, ajo, bukureza, vinte tue u zmadhue dhe tue m’u dëftue në tanë madhështinë e saj.
Kurse vazhda e hollë e saj, ajo lakadredhë e ndriçme dhe shumë e gjatë, tash dukej si plasaritje në trupin e ngurtë të errësinës, të cilin vazhdonte me e ça edhe ma shumë bukureza, e cila nuk e ndalte turrin e vet: m’u afrue aqë shumë sa tash, fare qartë, e shihsha tanë atë dritë të saj që më magjepste pamasë.
Nji kënaqësi dhe nji gëzim i pakufishëm më përshkoi kur e pashë atë dritë të bukurezës dhe atë lakadredhë që dukej si plasaritje në trupin e ngurtë të errësinës, atë dritë të fuqishme dhe atë lakadredhë të ndriçme që e kishte pre lik për gjysmë tanë atë errësinë të dendun mbrapa këlkatseve të mia.
Mirëpo, nuk zgjati shumë ajo kënaqësi dhe ai gëzim: tamam kur m’u duk se trupi i errësinës donte të ndahej në dysh dhe të rrëkëllehej ku me dijtë ku dhe kah, bukurezën dhe lakadredhën e saj të ndriçme e mbuloi dhe e mfshehu diçka që aty këtu vizllonte. Në fillim nuk e kisha të qartë ç’ishte aji që vizllonte, mbulonte dhe fshihte bukurezën dhe lakadredhën e saj; ma vonë, shumë ma vonë, dikur kur u ba tepër vonë pashT se ajo nuk ishte gja tjetër, pos nji balonë e madhe shumëngjyrëshe dhe e vizllueshme.
Këtë e pashë kur ajo, ngadalë, shumë ngadalë dhe lehtas , zu të zmbrapsej dhe, kështu, të dukej trajta e rrumbullaktë e saj. Ishte nji balonë e fryme mirë dhe me plot lara të vizllueshme që m’i lëbyrshin sytë.
Por, nji grimë herë ma vonë, pashë se, aty nuk ishte vetëm ajo balonë që nuk më lente të shoh bukurezën, dritën e saj magjepse dhe lakadredhën e ndriçme që dukej si ndonji plasaritje e thellë në trupin e errësinës mbrapa këlkatseve të mia; kur u zmbraps pak ma shumë, kur pak ma shumë u largue në thellësi, pashë dhe balona të tjera: të gjitha e shtyjshin njana tjetrën thellë e ma thellë, sepse balonat shumoheshin gjithnji e ma shumë; secila syresh donte ta zinte nji vend në hapësinën e shpraztë mbrapa këlkatseve të mia.
Në të vërtetë, ajo hapësinë, tashma, nuk ishte e shpraztë: ishte mbushë me balona.
*Shkëputur nga romani i Anton Pashkut: “Oh”
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
ANTON PASHKU: QAJNË KUR DUHET TË GËZOHEN, GËZOHEN KUR DUHET TË QAJNË…