Anton Pashku: Qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë…

anton pashku vasha deshta

Nga Anton Pashku

Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t’ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.

Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t’i kuptojë, ose nuk do t’i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.

Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m’u lut t’ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.

– Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.

Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç’t’i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.

– Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
– Si… pse?!-tha ajo, duke u munduar për t’i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.
– Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
– Mizor?!
– Po, po!-tha ajo -Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
– Shtylla e artë e Hënës?
– S’është e Hënës.
– Po e kujt është?
– Fol sa të duash, por ti s’je duke prekur telin e solit?
– Unë?
– Ti, pra. Të Pabesës…- thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t’ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s’bëhet.
– Mirë, mirë!- thashë.

Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s’kishin lidhje me njëri tjetrin.

– A di çka,-tha ajo,- ta lëmë Hënën.
– Ta lëmë, nëse na lë.
– Mos u tall!
– Nuk po tallem.
– Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
– Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
– Po, ke të drejtë.
– S’dua!
– Pse?
– S’dua t’ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
– Ani që është e dhimbshme, ani.
– Por ti s’e merr vesh!
– Si nuk e marr vesh!- tha ajo.- Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…
– Eh…- thashë unë.

Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.

Shikova nëpër dritare: m’u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.

– Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.

Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:
– Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!

Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:
– Për ty, për ty që m’je tingull i pazëshëm!
– Paska tinguj të pazëshëm?
– Ja, paska!

Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.

– Shiko veten, o i mjerë!- tha ajo.
– O gjuetar i ëndrrave, a s’po sheh se je krejt lakuriq!
– Unë?

-Ti, ti… A s’po sheh se ke mbetur lakuriq?… A s’po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?… Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…


Shkurt, 1957

*Titulli origjinal: “KITARA

ObserverKult

Lexo edhe:

ANTON PASHKU: ÇDO GJË ËSHTË STRUKUR NË VETVETE…