Anulohet Panairi i Librit në Prishtinë

Edicioni i 22-të i Panairit të Librit në Prishtinë është anuluar. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, organizatorët e kanë parë të pamundshme ta realizojnë ngjarjen e librit.

Në muajin shkurt, “Koha” raportoi se edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Prishtinë do të shtyhet për në vjeshtë. Kjo gjë u pa si një goditje shtesë për botuesit, të cilët bënë thirrje që shteti t’u dalë në ndihmë. Ngjarja më e madhe e librit në vend që nga viti 2011 mbahet në fillim të qershorit.

“Sa i përket Panairit të Prishtinës, siç edhe dihet, tradicionalisht është mbajtur në fillim të muajit qershor, por për shkak të gjendjes në të cilën ishim dhe për shkak të hapësirës së papërshtatshme në të cilën zhvillohet panairi – në Pallatin e Rinisë ku mungon ajrosja, ne nuk e kemi parë të arsyeshme ta mbajmë panairin e sivjetmë”, ka thënë Artin Ahmeti, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Sipas tij, vendim të prerë për shtyrjen e panairit nuk ka pasur, por fillimisht ka qenë ideja që Panairi të mbahej në nëntor, mirëpo duke e parë që situata nuk po shkon drejt përmirësimit, Shoqata e sheh të pamundshme mbajtjen e panairit të librit për këtë vit.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së virusit është anuluar edhe Panairi i Librit në Tiranë. Njoftimin e ka bërë publik Shoqata e Botuesve Shqiptarë, të cilët thonë se Ministria e Shëndetësisë e ka ndaluar organizimin e ngjarjes.

Edicioni i 23-të i panairit të librit ishte paralajmëruar të mbahej nga data 12-15 nëntor 2020.

Në një përgjigje me shkrim për “Kohën”, Ahmeti ka thënë që marrë parasysh se në të dy këto panaire shtëpitë botuese kanë qarkullim të kënaqshëm financiar, po ashtu edhe publicitet të madh të botimeve të reja, dëmi financiar në tërësi është mjaft i madh për secilën shtëpi botuese pjesëmarrëse.

E javën që shkoi organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt njoftuan që edhe kjo ngjarje do të mbahet pa publik.

Pasi morën parasysh numrat në rritje të COVID-19 në Frankfurt dhe në të gjithë Gjermaninë, organizatorët e panairit më të madh në botë të librit njoftuan se ai do të zhvillohet vetëm me moderatorët.