Anxhela Peristeri fitoi Festivalin, reagon Rosela Gjylbegu: Një i çmendur, një vend e çmend

Parmbrëmë Anxhela Peristeri u shpall fituese e “Festivalit të 59-të të RTSH-së”.

Pas 3 netëve spektakël, juria vlerësoi me çmimin e parë këngëtaren, e cila konkurroi me këngën “Karma”.

Në muajin maj të vitit 2021, kjo këngë fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, i cili këtë vit do të mbahet në Rotterdam.

Këto javë, në media qarkulloi një lajm jo zyrtar për fitoren e “paracaktuar” të këngëtares Peristeri, lajm i cili u mohua kategorikisht nga drejtori i Festivalit të RTSH-së, Martin Leka, si dhe nga Anxhela.

“Nuk kam dashur të flas farë për këtë pjesë, pasi ishte një budallëqe me brirë. Portalet duhet të kenë kujdes se nga i marrin lajmet sepse ky lajm është marrë nga ‘Facebook’ i një personi, që ka bërë një parashikim personal dhe më pas e kanë nxjerrë si një lajm zyrtar. Nuk është aspak e drejtë. Ky person është shprehur se ka shumë kohë që bën parashikime të tilla dh asnjëherë s’është bërë lajm. Mua më uruan disa persona dhe më pas kaloi.

Eurovisoni është qëllimi i shumicës. Kur vendosa që do të merrja pjesë në Festival, i thash Kledi Bahitit të bëjmë një këngë të bukur si gjithmonë. Ndonjëherë, këngëtarët duke u përpjekur të bëjnë këngë të bukura, të denja për Eurovison, i prishin ato. Më pas, janë edhe politikat e Eurovizionit, votat nëpërmjet shteteve. Të gjithë synojmë që ta çojmë këngën në Eurovison, kur konkurrojmë për Festivalin e Fundvitit.”- ka thënë Peristeri më herët.

Pas këngëtares Enxhi Nasufi, e cila e shfaqi hapur pakënaqësinë e saj, ka reaguar edhe këngëtarja Rosela Gjylbegu.

Teksa ka falënderuar të gjithë ndjekësit e saj në Instagram, ajo ka publikuar një shprehje ‘me spec’ të Dritëro Agollit:

“Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur, një vend e çmend”, ka qenë kjo shprehja që Rosela ka ndarë shoqëruar me: “Faleminderit të gjithëve ju për përkrahjen tuaj”./balkanweb