Mero Baze për Fatos Arapin: Atdheu të ndjen…

fatos arapi
Fatos Arapi (Zvërnec, 19 korrik 1930 - Tiranë, 11 tetor 2018)

(Një skicë për Fatos Arapin)

Nga Mero Baze

Fatos Arapin e kishin ftuar të ishte në shtëpinë e Alimerkove, në Vlorë.

Ishte tetor i vitit 1994 dhe Sali Berisha kërkonte të çelte fushatën e referendumit për Kushtetutën nga shtëpia e Alimerkove, e cila kishte dy të vrarë nga lufta, njërin si dëshmor partizan, e tjetrin si dëshmor, pjesëtar të Ballit, po ashtu të vrarë në luftë.

Ishte një përpjekje për të gjetur një nyje bashkuese për qytetin, që dukej se nuk e pranonte.

Fatos Arapi ishte në korridorin e shtëpisë, bashkë me disa pjesëtarë të një forumi intelektualësh, por dhe si djalë i Toli Arapit, një prej personaliteteve të mëdha të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.

Berisha hyri ashtu rrëmujshëm dhe i kompleksuar nga klima që e rrethonte në qytetin e Vlorës.

Tha disa fjali patetike për nevojën e Kushtetutës “si shërbim i madh për Shqipërinë”, dhe pikasi Fatosin mes atyre që ishin të ftuar në shtëpi.

-Ja, këtu kemi dhe birin e Labërisë, Fatos Arapin, tha, poetin tonë të madh….

Fatosi nuk e la të mbaronte.

-Jo jo, nuk jam biri i Labërisë, jam i Zvërnecit, i Vlorës…

Berisha e kaloi me të qeshur.

-Po njësoj janë, tha, dhe Labëria e Vlorës, e Shqipërisë është..

-Jo jo, mos ma bëni këtë. Nuk është kaq e lehtë të më fshish ullinjtë e mi me një fjali… dhe u skuq i tëri sikur ta kishte helmatisur ajo skenë.

Doli jashtë dhe dy- tre gazetarë që ishim aty, tentuam ta qetësojmë, se “Doktori e bëri pa dashje”, se nuk e njeh mire diferencën mes krahinave të jugut.

Na pa pak si i hutuar dhe na bëri një shenjë me dorë, sikur donte të na thoshte “mu hiqni sysh”.

Pastaj ndenji dhe pak duke parë lart nga ullishtet dhe filloi të flasë.

-Nuk kam gjë me presidentin, tha, por kur njeriu flet për atdheun, duhet ta ndjejë.

Nuk mund të flasë kuturu, se atdheu të kupton kur flet kot.

Poeti më modern i Shqipërisë së shekullit XX dhe prozatori brilant i novelës “Cipa e Dëborës”, iku si njeri i vërtetë.

Nuk pranoi asgjë fallco në jetën e vet.

Vëllai i tij dikur partizan, e më pas një i zhgënjyer, që ju kundërvu pushtetit të dalë nga lufta, u zhduk pa lënë gjurmë dhe u bë makthi i jetës së tij, si një shenjë në horizont që i kujtonte gjithnjë se të qënit i vërtetë kushton.

Fatos Arapi ishte ndër ato personalitete të mëdha të këtij vendi, që e mbrojti të vërtetën, kur ajo ishte e rrezikuar nga diktatura dhe u mbrojt nga gënjeshtrat në liri.

Por natyrisht me një kosto më të madhe.

U vetëmbyll, duke dashur të harrohet nga të gjithë, që të mos e ngatërronin me të “vërtetat” e shpikura të lirisë.

Sot që iku e kuptojmë që Ai ja arriti qëllimit të vet. Se atdheu të kupton kur flet kot, ashtu siç të ndjen kur e di pse hesht.

ObserverKult

———————————————-

Lexo edhe:

“SI S’TË DESHA PAK MË SHUMË?”, LEKA SEFLA LEXON FATOS ARAPIN

Dëgjojeni të interpretuar nga Leka Sefla, poezinë e Fatos Arapit “Si s’të desha pak më shumë” duke klikuar KETU

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër, –
Asaj që më rri mes zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.

ObserverKult