Arben Duka: Jeta s’më ka përkëdhelur

Në greminë të kësaj jete,
unë shoh dritën dhe tek honi,
ndaj dhe nuk shkrova për vete,
po për juve që s’shikoni!

S’e kam jetën mjaltë blete,
dhe tani në fund kam mbrritur,
por nuk kam shkruar për vete,
po për ju, o të uritur!

Nëpër akull, nëpër vapë,
jeta s’më ka përkëdhelur,
por për veten s’shkrova prapë,
po për ju që jeni shkelur!

S’gjeta flori në minierë,
dhe nuk jam unë një i zgjedhur,
ndaj dhe shkrova kurdoherë,
veç për ju që jeni vjedhur!..

Gjer mes yjesh shikoj mirë,
edhe ditën, më besoni,
ndaj prapë shkrova me dëshirë,
veç për juve që s’shikoni!

Shpesh kam folur nëpër netë,
edhe me të madhin Zot,
ndaj shkrova në këtë jetë,
për juve që s’flisni dot!

Krimbi s’mund të fluturojë,
s’do shumë mend për ta kuptuar,
ndaj s’kërkoj që të më dojë,
kush mes llumit ka jetuar!

As prej djallit të mallkuar,
nuk jam trembur ndonjëherë,
po injorancë e harbuar,
më fut dridhmat dhe në verë!

Mbi dy brigje unë hedh urat,
po prapë shahem e mallkohem,
se të gjitha diktaturat,
mbi idiotët lartësohen!

Pushteti kafshon si gjarpër,
se është kohë e arrogantëve,
dhe në qofsh Sokrat i Varfër,
ke mllefin e injorantëve!…

Dhe gomari e kupton,
përse mbetëm kështu trokë,
se çdo popull meriton,
qeverinë që ka mbi kokë!

Shkrepën yje kuq e blu,
ne te bisht i urës mbetëm,
po unë prapë do jem kështu,
dhe në mbetsha Një i Vetëm!

Do shpëtojë Shqipëria,
dhe ky popull për ibret,
veç ditën që Drejtësia,
do të shpallet këtu Mbret!