Arben Duka: Lamtumirë e dashur…

Arben Duka zëri ajër

Poezi nga Arben Duka

S’kam dashur kurrë që të lëndohesh,
se të kam dashur sa s’ka më,
po ti në mjegull më largohesh,
ndaj unë me dhimbje po të lë!

S’besoj se do lëndohesh sot,
ti ende s’di ç’është dashuria,
ndaj s’munde ta kuptoje dot,
prushin e ndjenjave të mia!

Veç bukurisë së pakursyer,
natyra gjë s’të ka dhuruar,
një bukuri e parrëfyer,
u vyshke që pa lulëzuar!

Dhe pse e kam kaq të vështirë,
po të përzë nga zemra ime,
si yll nga larg-ndriçomë më mirë,
dhe më dil veç në ëndërrime!.

Pas meje do të vijnë të tjerë,
dhe do të puthin puthjen time,
dhe ti s’do ndihesh më e mjerë,
do shkrihesh nëpër përqafime!

Prapë do të thuash: “Sa të dua,
o sa të dua s’e them dot!.”,
edhe njëlloj si dhe me mua,
fare më kot do derdhësh lot!.

Në sa krevate do të shtrihesh,
dhe do të hiqesh virgjëreshë,
kur e mendoj si do lëpihesh,
më vjen të qaj edhe të qesh!

Unë gjer tani isha i nxehur,
nuk e mohoj që prapë të dua,
sepse përjetë më ka dehur,
nektar’ i buzëve të tua!.

Unë vetë isha i lënduar,
dhe ndofta të lëndova shumë,
në ato vise ku ke shkuar,
asnjë nuk di të puthë si unë!.

Është e pamundur që të ndrijë,
për gjithë jetën dashuria,
një që pas meje do të vijë,
do puthi veç puthjet e mia!.

Megjithatë po të uroj:
“U bëfsh prapë yll e lëshofsh nure!”,
se dhe për mua-e besoj,
do çelë me gaz një tjetër lule!.

Në ndjenja akull na ka ngrirë,
gjithçka më tutje është kot,
ndaj Lamtumirë-veç Lamtumirë,
se Mirupafshim s’të them dot!.

Do shkojë kohë e mund të kthehesh,
po do të jetë shumë e vështirë,
mbase do duash të rrëfehesh,
por unë nuk jam një manastir!.

Shpëtuam paq nga ai lak,
shpëtove ti-shpëtova unë,
por s’të urrej-s’jam zemërak,
se s’të kam dashur dhe aq shumë!

Urrejtje s’ka-jo rastësisht,
se nuk ka ndodhur veç mes nesh,
një që s’ke dashur marrëzisht,
është e pamundur ta urresh!.

Në jetën time-o moj mike,
unë s’kam urryer asnjë femër,
këto dy forca vullkanike,
të njëjtin zjarr çlirojnë në zemër!

ObserverKult

—————————————————–

Lexo edhe:

SHAQIR FONIQI: KULTURA MË KA MBAJTUR TË FORTË!