Arben Idrizi: Të vaftë mbarë loçkë

Sado që me veten zakonisht
më ka ecur për mrekulli
(mirë de, unë vetë e kam sajuar këtë lloj gjeturie qeni)
me të tjerët diç më haste sharra në gozhdë;
dhe kam ulur kokën
dhe i kam thyer dhëmbët
dhe e kam kafshuar gjuhën
dhe e kam çuar veten në dreq të mallkuar:
“hajt de, faji është imi
e gjithmonë do të jem i keqkuptuar!”

por s’ishte bash kështu

e goxha zor e pata gjersa e mora vesh
se shumë nga rrethuesit e mi
nuk ma donin të mirën e shumëçka bënin me t’kast

të vaftë mbarë loçkë

a e njeh atë zhargonin:
“s’është aq e hijshme të lavdërohem, por…”
dikujt dikujt i kam nxjerr telashe me të mbërrirat e mia
forma e tyre e moralit
dhe stili im i sjelljes
përherë kanë qenë në kërcënim të ndërsjell
veçse ata gulçonin nga zotësia e intrigës
e unë shpesh belbëzoja
duke e thënë të vërtetën

të vaftë mbarë loçkë
kam ende forcë dhe budallëllëk të gjallë
sa për ta hequr qafe vetvrasjen

e njoh përvojën tënde për lavd
mjerimin e dikurshëm që nuk të theu
mbijetesën e ndershme-
e çfarë do të sajdisish tash
e shkumuar në vaskën e bollëkut
që të piku nga qielli (siç më thua ti me modesti)

të vaftë mbarë loçkë

ti e di që ka tipa të atillë
që shpërlajnë para duke ndërtuar spitale
shkolla e duke bërë vepra tjera bëmirësie
dhe të tjerë që nuk u ha palla për këso çudash
e sall vetes i thurin salltanet përrallor

mësa më kujtohet
soji yt është i arsyeshëm

ndodh që dikush i mahnitur nga bollëku i papritur bën vetvrasje
dikush trenohet e hallakatet e i rritet mendja
dikush fundoset në pellgun e lakmisë që të ketë edhe më tepër
dikush sharron me të dy këmbët në instinktin e krimit
e dikush tjetër nuk e di sesi sillet

unë për vete e di se kurrë s’do të katandisem në atë derexhe