Befas u ngrite dhe më the se kishe nevojë të bëje një dush.
– A mundem?
Bisedonim që prej dy orësh, duke pirë verë. Nga veranda jote shihet lugina, akoma në mjegull. Ditët e mes shtatorit janë plot dritë e ngjyra në këtë verandë. Lugina poshtë humbet në mjegull e duket sikur kodrina, mbi të cilën është ndërtuar shtëpia, noton mbi re. Ashtu po ndihem edhe unë. Ti i njeh ndjesitë e mia. S’ka pasur maska në atë që të thashë pas takimit tonë të dytë. Të parin e kemi pasur në fondacionin “Gianadda”.
– Dua të të këndoj një ninullë shtrati, nga ato që u këndohen grave të bukura, fjalët e të cilave nuk shkruhen në kartë.
Ti qeshe atëherë, duke më pyetur nëse dija shumë prej atyre ninullave.
– Mjaftueshëm sa për të thyer pagjumësinë tënde, për të të nisur në botën ëndërrore të Orfeut.
Që nga ajo ditë shihemi më shpesh, gjithmonë në vende publike. E di që punon në një shumëkombëshe kozmetike, që ke një zyrë me qelqe në një kat të veçantë dhe që pasioni yt i thellë është piktura. Thashë se jemi njohur në ekspozitën e fundit në fondacionin “Gianadda”, me pikturat e Ian Miro. U gjendëm befas përballë puthjes së tij të famshme. Plot ngjyra, përkushtim, përndezje të brendshme. Gruaja ime kishte kaluar te një pikturë tjetër, kur u afrove ti. Më hipi temperatura. Rrallë kisha parë grua më të bukur se ty. M’u zgjidh goja.
– Sikur na ka pikturuar ne të dyve!
Ti qeshe bukur e më the:
– Ndoshta neve na ka pasur në mendje.
Ja kështu e kruajta atëherë me ty. “Burrë i dobët je”, do më thoshte gruaja, po ta merrte vesh bisedën tonë. Sot, për herë të parë, më ke ftuar në verandën tënde e tani po më merr leje nëse mund të bësh një dush! Ndërkohë që përpiqem të gjej një përgjigje elegante, ti ia dhe në mesoren e errët. Ndjej derën e banjos tek mbyllet pas teje. Tani, rrjedhën melodioze të ujit të dushit…
Që prej tridhjetë e pesë minutash dëgjoj këtë melodi e pres nga çasti në çast që ti të hapësh derën e të më thuash: “Do më ndihmosh ta laj shpinën?”. I hedh vetes edhe një gotë tjetër verë, ul pak zërin e muzikës dhe ndjej se si fryjnë erëra sahariane në fundbarkun tim, nga ato që rrisin qarkullimin e gjakut pa nevojën e vazodilatatorëve periferikë. “Viagra” i thërrasin të gjitha molekulat e kësaj natyre. Shoh orën. Ime shoqe më ka thënë që është e ftuar për drekë diku dhe nuk do të kthehet në shtëpi. S’kam asnjë nxitim. Pres. Kjo më ka mbetur. E di që do më bësh një surprizë të bukur. I njoh dobësitë e grave si ti. Vetizolohen prej hijeshisë dhe suksesit. Pak burra kanë kurajë t’u shprehen. Gratë e bukura si ti jetojnë në vetmi, si majat e larta. Pak zogj kanë krahë të fluturojnë deri në ato lartësi. Veç avionë metalikë e indiferentë kalojnë ndonjëherë pranë tyre. Edhe rrëzohen e thyejnë qafën prej bukurisë. Digjen disa ditë deri sa i gjejnë alpinistët dhe shpëtimtarët e guximshëm.
Edhe unë. Jam burrë që e kam të lehtë ngjitjen. Në zbritje më dridhen gjunjët. Por s’kam ndërmend ta marr pjerrësinë. Do hidhem nga kreshta më e lartë. Tërheqja gravitacionale do ma shkurtojë udhën. Vdekja s’prish ndonjë punë të madhe kur je ngjitur deri në majë. Një vdekje e tillë vlen më shumë se dhjetëra jetë, atje poshtë, te përtokësit. Shumë burra u thonë grave të bukura “Vdeksha mbi ty!”. Ata kryesisht vdesin përfund grave të bukura. Ose duke u zvarritur pas tyre. Nejse, punë fati është.
Ora dymbëdhjetë pa pesë. Ti sapo e ndale dushin. Frymëmarrja ime po shpeshtohet, thua se ngjita metrat e fundit të një lartësie marramendëse. Pres të hapet dera e dushit.
Ti po bën tualet, të lehtë sigurisht, se është tualet para një përfshirjeje trupore, që do të fshijë çdo gjurmë të tepërt, por grua je!
Përpiqem të sjell ndërmend parfumin që kishe hedhur herën e fundit. I ruaja në tru disa atome të tij. Molekula aromatike ngazëlluese. Nuk ua njoh emrat e firmave parfumeve, robërimin po!
Ora dymbëdhjetë e dhjetë. Dëgjoj tringëllimën e telefonit. Nuk duhet të përgjigjem në telefonin e shtëpisë tënde. Ti sapo dole, por ai heshti. E veshur me një fustan të bukur, thua se do të drekosh me miq të klasit tënd. Zilja bie prapë. Nga ana tjetër, dikush kërkon kodin e hyrjes te porta e vilës. Ti shtyp në tastierën e telefonit dhe dera u hap. Një makinë parkohet në hyrje të vilës. Dreq! Planet e mia po fundosen. Ti del të hapësh derën e brendshme. Unë rri si mbi gjemba, në pritje të një vizitori të paftuar, të padëshiruar. Një vizitor i papritur, që do ta urrej gjithë jetën! Ja ku shfaqesh ti në dhomë dhe më prezanton miken tënde të re: gruan time!
– Jam e gëzuar që ke mundur të vish para meje. – më thotë, duke më puthur në buzë. Aq më mirë! Se s’po dija çfarë të thosha.
Gruaja e avullt, ndërkohë, ka sjellë një tjetër shishe vere, të futur në një mbajtëse akulli prej argjendi, ndërsa unë po shoh brenda vetes lartësinë nga duhet të hidhem. Por, nuk qenka e mjaftueshme për të më siguruar vdekje të shpejtë. Pi verë derisa dehem! Mes dy grave, të cilat i dua, po ndihem si zog i lagur, që ka humbur qiellin. / ObserverKult