“Ardhja e Dytë”, poezi nga W.B. Yeats

Nga W.B. Yeats

Duke u rrotulluar në një spirale pa fund
Fajkoi s’mund të dëgjojë të zotin.
Gjërat shkërmoqen, qendra s’mban dot.
Anarkia del nga frerët të pushtojë botën,
baticat e gjakut lëshohen dhe kudo
Rituali i pafajësisë mbytet
Më të mirëve iu mungon bindja ndërsa më të këqinjtë
Janë plot me vrull pasionant.

E sigurtë është që ca zbulesa janë afër
E sigurtë që Ardhja e Dytë është gati
Ringjallja e Dytë! Mezi dalin këto fjalë.
kur një imazh gjigant nga Fryma Universale,
ma trazon shikimin diku në rërat e shkretëtirës.
Një vegim me trupin e luanit dhe kokën e njeriut,
një shikim bosh dhe i pamëshirë si dielli
lëviz shalët ngadalë ndërsa sipër tij
sillen hijet e zogjve të trazuar të shkretëtirës
Errësira bie përsëri por tani e di
që dyzet shekuj të gjumit të gurtë
kthehen në makth nga një djep që tundet.
Çfarë bishe e ashpër, i erdhi ora më në fund,
shkon kalamendas drejt Betlehemit për t’u lindur?

Përkthyer nga Kujtim Morina

ObserverKult


Lexo edhe:

KUJTIM MORINA: TI S’MË LË AS TË ËNDËRROJ