Ardian Fezollari – liriku i peizazhit fotografik

Nga Qerim Vrioni

Në historinë e fotografisë botërore, peizazhet, bashkë me portretet përbëjnë dy gjinitë më të hershme të lëvruara qysh nga mjeshtrat e parë të kësaj veprimtarie. Kështu, ndër më të vjetrat shënojmë peizazhin (urban) të francezit Louis-Jacques Daguerre me titull “Pamje e Bulevardit të Temple”(1838) dhe atë natyror të anglezit William Fox-Talbot me titull “Disa pemë“ (1842), jo rastësisht, këta janë edhe dy shpikësit më me peshë të fotografisë. Në peizazhet natyrore, përgjithësisht nuk duket njeriu dhe dora e tij, ndërsa në ato urbane shihen edhe ndërtesa, ura, rrugë, me fjalë të tjera gjithçka e krijuar nga njeriu..

Më pas, me përparimin e proceseve teknologjike, peizazhi fotografik nisi të dukesh përherë e më shumë në portfolio-t e mjeshtrave të “dhomës së errët”, natyrisht gjithmonë në foto bardhë e zi. Nga fundi i shekullit XIX, fotografët me ambicje artistike synuan të krijonin peizazhe të përafërta me ato të piktorëve duke formësuar rrymën e quajturpikturializëm, që vazhdoi deri nga fillimi i shekullit XX, kohë kur i shteruan fuqitë. Po nga vitet ’20 të qindvjetshit të kaluar, fotografi amerikan Ansel Adams u dallua për peizazhet natyrore të botës së vendlindjes së tij, duke i dhënë peshë të re peizazhit.

Prej atëherë, peizazhi është lëvruar gjerësisht nga fotografët, thuajse nga të gjitha vendet e botës, me to hapen ekspozita, konkurse, ka revista periodike dhe botohen albume,  me ngjyra, por edhe  bardhë e zi.

Në Shqipëri, mesa dihet deri tani, historikisht, ndër peizazhet e parë mbahen, shkrepje të Kristo Shulit, Thimi Racit, Kel Marubit, Kristaq Sotirit, Misto Cici, Ymer Balit, e sidomos të Shan Picit, i cili dallohet për numrin e madh të pamjeve të natyrës (sidomos Alpeve të Veriut) të përngrirë në letrën fotografike dhe për nivelin e tyre. Gjithsesi, mendohet se një pjesë e mjeshtrave i realizonin peizazhet për kartolina postare.. Gjatë gjysmës së dytë të viteve 1900, në vend u zhvillua veçanërisht peizazhi urban ose i etiketuar nga socrealizmi,peizazh industrial , në të cilat si propagandë e pastër, pasqyroheshin ndërtimet e veprave të tilla si fabrika, hidrocentrale, ura, rrugë, tunele,  për të shfaqur kësisojë madhështinë e sistemit diktatorial komunist. Këto peizazhe mbushnin faqet e shtypit të partisë-shtet nga fotoreporterët e ATSH dhe gazetave dhe revistave të kohës, ndër to edhe me vlera estetike, ndonëse parësore në to ishte agjitacioni figurativ. Jo shpesh, gjatë asaj ndërkohe botohej edhe ndonjë peizazh natyror, me ngjyra ose bardhë e zi.

Në kapërcyell të shekujve XX dhe XXI, në vendin tonë peizazhi (sidomos ai natyror) u lëvrua nga mjaft fotografë, ndër më të suksesshmit përmendim Leon Çikën, Zamir Marikën, Nikolin Babën, ndërsa nga Kosova shënojmë Afrim Spahiu, Naim Shala, Fahredin Spahija. Në rreshtin e parë të peizazhistëve të Republikës së Shqipërisë, ka vendin e tij të merituar edhe pogradecari Ardian Fezollari.

Më 1994, pasi kishte kryer Shkollën e lartë të Policisë për ekspert kriminalist, ai nisi të merrej seriozisht me fotografinë për pasion ose si hobby. Në të vërtetë, edhe profesioni i tij si kriminalist e kishte përdorimin e aparatit fotografik si një nga disiplinat e detyrueshme të punës. Sidoqoftë, më vendimtar në ushtrimin e pasionit për “dhomën e errët”, mendojmë se ishte peizazhi i rrallë piktorik i Pogradecit, qytetit të liqenit më të bukur të Ballkanit. Kështu, ai ushtron profesionin e oficerit, por pa hequr asnjë çast aparatin nga krahu për të kapur peizazhe.

Në vitin 1996, Ardi Fezollari hapi ekspozitën e parë fotografike vetjake, e cila u pëlqye nga publiku artdashës i Pogradecit. Tani përkushtimi për fotografinë u kthye në një pasion të fortë për oficerin e policisë kriminale, dhe vlerësimet për të nuk vonuan. Në vitin 2000, ai u nderua me Çmimin e Tretë në Ekspozitën e Agjensisë Kombëtare të Turizmit, çka shtoi kërkesat e tij për foto sa më të arrira estetikisht. Ndërkohë, ai merr pjesë në ekspozita të ndryshme fotografike jashtë vendit, si në Maqedoni, Bullgari, Austri, Egjipt, Danimarkë etj., herë duke përfaqësuar veten dhe, herë vendin. Në vitin 2006, Ardi Fezollari doli para publikut me botimin serioz me titull “Landscape” (Peizazhe), një album me format të madh dhe letër cilësore, por mbi të gjitha cilësore ishin fotot që përmbante vet albumi.

Peizazhe fotografike nga Pogradeci janë realizuar edhe nga vitet ’20 të shekullit të kaluar nga mjeshtri i aparatit, Misto Cici (1902-1981), një pjesë e të cilave u shtypën si kartolina (bardhë e zi) në Itali për tregun e brandshëm dhe të jashtëm. Pra, fotografimi i natyrës së qytetit dhe liqenit, për ta përjetësuar në letër, nuk ishte diçka që bëhej për herë të pare vitet e fundit. Ndoshta Fezollari ka përfituar edhe nga përvoja e peizazheve të Cicit, por dhe e ka çuar në një stad më të lartë nivelin e tyre, natyrisht jo prej përparësive teknologjike të kohëve të sotme.

Për disa vite rresht Ardi Fezollari me nismën e vet, ka organizuar në Pogradec “Ditët e Fotografisë“, me artistë të aparatit nga i gjithë vendi, madje edhe nga Kosova e Maqedonia, një nga veprimtaritë e rralla që i bashkon ata. Në to, mjeshtrat e ftuar të aparatit, kanë ekspozuar foto të tyre dhe kanë shkëmbyer përvoja vetjake.

Po çfarë e ka shtyrë Ardi Fezollarin t’i përkushtohet me aq pasion (do thoshim edhe me sukses) edhe fotografisë (veçanërisht peizazhit), përveç punës si ekspert kriminalist ? Një përgjigje e shpejtuar do ishte, njohja me fotografinë dhe aparatin si pjesë e detyrës si oficer i diplomuar. Po të ishte kjo përgjigjja shteruese, atëhere në çdo komisariat do kishte fotografë peizazhista të njohur në botën shqiptare të fotografisë, çka nuk është e vërtetë. Peshë kryesore, mendoj se e ka pasur  edhe natyra e veçantë e Pogradecit me liqenin e tij të bekuar.     Nuk duhet lënë pa përmendur kurajimi i Ardian Fezollarit për të hyrë thellë dhe vazhduar pandërprerje në lëmin e fotografis, nga mësuesi i tij i vizatimit, piktori i ndjerë pogradecar Skënder Lako

Peizazhet e Fezollarit janë përgjithësisht, me ngjyra, ashtu siç është natyra, të cilën ai si dashnor i flaktë e fotografon, duke ndjerë tek mollëza e gishtit tregues çlirim sa herë shtyp butonin. Stinët më të pëlqyera në Pogradec për të janë vjeshta dhe dimri. Kjo nuk do të thotë se aparati i tij zë ndryshk në pranverë dhe verë. Jo, ai thuajse çdo ditë fotografon, duke nisur qysh në mëngjes, gjatë rrugës 50 kilometërshe për të mbërritur në vendin e punës, të cilën e përshkon me ndërprerje të detyruara nga pamjet piktorike që kap syri i tij i stërvitur për të dalluar të bukurën nga e zakonshmja,. Natyrisht, edhe gjatë kthimit nga puna, sidomos në mbasdite dhe mbrëmje me ndriçim të mënjanshëm, të butë dhe të pjerrët, ai sërish e ndalon makinën, dhe….nis të fotografojë.

Po ku qëndron vlera tipike e peizazheve të Ardianit? Së pari në gjetjen e të veçantës dhe futjen e saj në katërkëndshin e kuadrimit, atë që një sy i zakonshëm nuk e dallon, Kësaj i shtohet edhe përfytyrimi tij paraprak që e shikon peizazhin të ndehur në letrën fotografike, shumë përpara se ta kryej laboratori këtë proces. Po ashtu, si artist, ai synon dhe arrinë të kapi në çaste shumë të shkurtra kohe një motiv brenda fotos, që t’i përcjelli diçka shikuesit kur ta ketë para syve, jo vetëm kumte estetike, ndonëse këto janë parësore në krijimtarinë e Fezollarit. Kjo tendencë e zgjedhjes së motivit i largojnë peizazhet e tij nga imazhet kartolineske aq të përhapura kur bëhet fjalë për fotografimin e vendeve me natyrë të dallueshme piktorike. Vërtetë themi se Pogradeci e nxiti Ardian Fezollarin ta fotografonte, por mos vetëm qytetin e tij, liqenin dhe rrethinat di të fotografojë ai ? Përvoja e tij disavjeçare e hedh poshtë këtë mendim. Ai ka fotografuar edhe jashtë vendit (Pogradecit po e po) peizazhe natyrore dhe urbane si psh, në Firence (Itali) dhe me të cilat ka hapur edhe një ekspozitë të posaçme, e pritur me kureshtje dhe kënaqësi nga italianët.

Përgjithësisht, me fotot më të zgjedhurat e krijimtarinë së tij, ai merr pjesë në çdo veprimtari që organizohet për fotografinë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni. Duke vështruar me vëmendje të shtuar peizazhet fotografike të Fezollarit, mund të thuhet se ato ngërthejnë brenda tyre “filigrana të padukshme poetike”, shenjë e sigurtë e shpirtit prej poeti të fotografit pogradecar. Ai, siç u përmend edhe më sipër, vazhdon me përkushtim të realizojë foto të arrira estetikisht dhe të pritura me kënaqësi nga publiku.

Ekspozita e fundit fotografike e Fezollarit jashtë vendit, është hapur para 3-4 muajsh (18 dhjetor 2018) në Bukuresht (Rumani) me titull “Shqipëria, poetika e hapësirës” e cila u përurua me ceremoni, u vizitua po ashtu nga shumë dashamirë të fotografisë dhe u pasqyrua nga media vendase. Vet titulli mjaft i goditur i ekspozitës përbën edhe thelbin e punimeve të tij fotografike, ose më ndryshe laitmotivin e peizazheve të Ardian Fezollarit, të ngjizura me aq dashuri në letrën fotografike. Kështu, ai mbetet një nga virtuozët më të shquar shqiptar të aparatit fotografik për kapjen e peizazhit.

© Ardian Fezollari
© Ardian Fezollari
© Ardian Fezollari
© Ardian Fezollari
© Ardian Fezollari
© Ardian Fezollari
© Ardian Fezollari
© Ardian Fezollari

Lexo edhe:

ARDIAN FEZOLLARI, MJESHTRI POGRADECAR I PEISAZHIT

ObserverKult