Ardiana Shala Prishtina: Mirëmbrama, popull patriarkal!


(nji ligjeratë falë)


Të nderuem BURRA FEMINISTË, ose (nëse s’jeni trimnu hala me quejt veten feministë) thjeshtë “BURRA TË MIRË”, mirë që ju kena, POR edhe ju mshelne, kahnjiherë! Veç nji herë, bre.
Kur doni me e kuptue ju që dhuna ndaj grave nuk asht muhabet i burrave të mirë e burrave të kqinj, nji dardhe të keqe qaty; POR vjen si rezultat i dominimit të burrave (krejve) në çdo sfere të jetës shoqnore, politike, ekonomike? Edhe, në diskurse publike. Edhe në Facebook.
A po don me u ba i vyeshëm në luftën për barazi gjinore a? Hajde përhajr na koftë!
A e din qysh mundesh me ndihmu? Mundesh thjesht me lëshu vend pak. Lumi ti që ki audiencë të madhe, e paske shum lexues; ndjekës, super! Ke pasë shekuj kohë me mledhë mas vetes gjithë atë ushtri.
Kur asht hera e fundit, “burrë i mirë”, që t’ka kërcnu dikush në diskutim publik, onllajn, direkt, veç pse je burrë?
Un, mjafton me e çelë gojën. Për mesazhet e dhunshme private s’po folim ma mirë hiç, se jesim këtu tanë natën. Por, a e din pse ndodh krejt kjo? Sepse, barazia gjinore në radhë të parë asht luftë për hapësinë të barabartë. Ata nuk dojnë un, nji grue, me pasë hapësinë, ata dojnë ti, nji burrë, me pasë krejt hapësinën. Ti burrë. Ata burra. A po e sheh pse asht e randësishme ti me e rimendu hapësinën e të shprehunit që e gzon? Sepse, e ke nji ushtri mbrapa, s’ka lidhje që s’i ke rekrutu vet, që ta mirmbanë ty atë privilegj.
U vra nji grue. Lajm! Qe momenti me lulëzue tre ditë me urtësi. Konsekuencë! Pse s’po i merr me i shpërnda reagimet e grave; zanat e grave, por po lodhesh me thonë diçka në emën të tyne?! Dhe, po e thue pa e kuptu thelbin. Të kishe kuptue bile çka po folë. Gratë janë tue folë vet. Krejt çka po mendon ti që ki çka me thonë, ato e thojnë treqindfish ma mirë se ti. Dhe ma saktë.
Ti kurrgjo origjinale nuk je tue thonë ashtu kështu, çka s’po e thojnë gratë vet me shekuj. Mos i kopjo e tani me u ba kishe ti ki çka me i mësue ato. Joooo! Pra, ngo, e përço zanin e tyne. N’daç me i përkrahë. Mos daç, ani, por dije që s’asht mendimi yt aq i randësishëm, që ti mendon që të ban me u dokë si “burrë i mirë”, sa prezenca jote dominante, si burrë, gjithkah, që të ban ty pjesë të problemit. Po, po, ty. Dhe sa ma të madhe ushtrinë mas vetes, qaq ma shum.
Në dhunën e përditshme me të cilën po ballafaqohemi na gratë nuk ka burra të mirë e burra të kqinj. Me thojza e pa thojza. Ka burra, burra, burra, gjithkah. Qetu asht thelbi i problemit. Pikë.
Veç heshtni e ngoni. Pa u mësue burrat me ngu, e për me ngu duhet me dijtë me heshtë nja pesë minuta (edhe kur kanë mendim, e sidomos kur kanë mendim për vrasjen e grave; pabarazinë gjinore etj.) por edhe për çfarëdo teme “tjetër” (tjetër, në thojza sepse çdo temë asht çdo herë edhe temë e barazisë ose pabarazisë gjinore, pa asnji por) nuk ka me pasë barazi gjinore.
Sepse, kushti i parë që lyp barazia gjinore asht hapësina me folë. Mos të kishe pasë ti ku me folë kaq shum, a po mendon që jish ni “trimnia, forca, urtësia, drejtësia” jote a? Hapësina me ekzistu si za asht shum e randësishme për barazinë gjinore. Tjerat i zgjidhim vetë.
Për aq sa vlenë edhe hapësinën e kena dhe kena me vazhdu me e krijue e marrë (aty ku me krijue nji të re paralele asht e damshme) vet, por gjatë rrugës mos u çudit tani kur ti, i urti, “burri i mirë”, gjithashtu, identifikohesh si problem.
Sepse, ti je problem.
Un e di prej përvojës çka asht problem për mue si grue. E krejt citimet tua për barazi gjinore, ti i din veç prej kopjimit të zanave të grave, që të doken boll të mençme me i kopjue, por jo me jau lëshu vendin me ju ndi zani asaj vet, dhe korrektësisë politike, natyrisht, ndërkohë që insiston se insiston me çdo cicërimë patetike që e lëshon prej vetes, me e shpërfillë dominimin tand si burrë si pjesë kyçe në dhunën sistematike dhe shumdimensionale ndaj grave, pabarazisë gjinore etj. e thu un jam ma i mirë.
Qysh je? Veç pse s’ke vra a?
Grueja vrahet në forma të ndryshme, e ma së pari në emën, në za dhe reprezentim. Emni i saj asht i margjinalizuem e randuem prej hijes tande kolosale. Ka jetu përskej teje prej kohës të majmunit, e në dy rreshta histori menxi e gjenë të përmendun.
Përnime, a s’je tue pa, a s’je tue dashtë?
Badihava i thue ti tani piskamës të saj shurdhuese, “mos hesht”, kur s’je mësue kurrë me e ngu e me e pa që ajo s’ka heshtë, as s’po heshtë, ama s’po nihet prej teje; e kur po nihet pak, po kërcnohet shum, me konsekuenca, nayrisht. Për gruen, e jo, për burrin.
A s’pe sheh ti vehten qysh je shkepë gjithkah a? Ku asht grueja?
Grueja edhe kur merr medalje ari në sport, shoqnisë i intereson ma shum qysh dokket, asht a e martume, a ka fëmijë…! Meritat ma të mëdhaja i merr burri që e ka trajnue, e asaj i mbetet nofka kanunore “çika që ja ndrit fëtyrën kombit.”
Grueja në shërbim të mbrojtjes të nerës së kombit.
Dhunshëm.
Historikisht.
Barrë e madhe, të cilën burrat s’dojnë me e nda. Ata e dojnë veç kusurin. Nerën dhe kombin. Grueja bahet presidente, burri ja matë peshën e trupit për me ja ndalë peshën e fjalës. Bile me vulë profesori. A doni edhe raste tjera? Ka plot.
“Burrë i mirë” s’ke faj që je seksist, me dije ose mosdije.
Po get na gratë kena faj, prap.
Nashta kena folë ma shum se që duhet për shtypjen E GRAVE, për diskriminimin E GRAVE, për vrasjet E GRAVE, për përdhunimet E GRAVE, për stigmatizimin e përvojave TË GRAVE … në vend se me folë për dominimin E BURRAVE, për dhunën E BURRAVE, për diskursin E BURRAVE, për pushtetin E BURRAVE, për burrninë E BURRAVE, për përmendoret E BURRAVE, etj. dhe kështu po get ta paskemi dhanë përshtypjen që problemi asht te gratë dhe heshtja a mos’heshjta e tyne, edukimi a mos edukimi i tyne, veshja a deshja e tyne, lakmia a mos lakmia e tyne, guximi a mosguximi i tyne, për mos me thanë aftësia a mosaftësia e tyne me u ba burrnesha. Kjo asht sikur me thanë, shiu ka faj që po laget njeri. Jo, burri ka faj që po laget grueja. Ja ka marrë kulmin.
Lexo me kujdes!
Nuk thash s’ja ka dhanë kulmin, por ja ka marrë kulmin e shpisë të saj. Dhe kështu, po get ta kena dhanë përshtypjen që dhuna sistematike e historike ndaj grave asht çashtje e grave. Gati edhe veten e kena mashtru. Realiteti asht që dhuna sistematike e historike ndaj grave asht çashtje E BURRAVE. Çashtje = problem. Problem = DOMINIMI I BURRAVE!
BOLL shite mend. Kena mend vet. S’jena tue ble. Pazarin po e dojna. Hajt bon pak vend, se mos mendo që e ke fitu me mund, e dije, e angazhim personal të drejtën dhe hapësinën me shitë.
E ke fitu me pec. Të ka ardhë hise. Me qat pecin për të cilin kanë ba dasme kur ta kanë pre pak. Në të njajtën kohë që vajzave kur ju kanë ardhë menstruacionet, ju kanë thanë “ruju tash çika jeme se qaty asht nera e krejt kombit. Ruju se po të han ujku. Sytë te poshtë, gojën mshelë. Edhe në luftë, ruju.
“Në luftë??? Pa asnji armë në dorë, e qysh? “. Qashtu tue i ngreh zhag mas vetes fëmijët e pleqt, ruju, kce si princesha Argjiro shkambijve te poshtë, e mos U përdhuno.”
Në prapavi jehon dasma për pecin e ujkut tue e mbytë kundërshtimin e vajzës thellë në bark e tue ja lidhë në kthizë fatin e robit.
“Burrë i mirë” ti tani gjenë guxim edhe me e përqesh veshjen, deshjen, botoksin, vetëbesimin … e grave, e me i nda gratë në gra të mira (si nana jote shërbëtore, motra që s’merr hise te baba [për nanën s’ka vend ktu] e ja len vëllaut; e si ajo që ti e lyp për nuse: gojëambël e fjalëpak, gjithësesi virgjine, e bukur, e zoja, ama, e përmbajtun, sidomos në gjuhë; ajo de që i ka pshtu ujkut se s’ka lakmu “Audi8″…) dhe gra të kqija (si ato me vetëbesim; pa marre; qaq të bukura sa ta çojnë e s’të lojnë me i prekë, kurvat; që marrin hise edhe mirë bile; që dijnë ma shum se ti – kuku, kto s’durohen hiç; që janë të zojat e kanë gojë; e ato që janë të mbijetueme të përdhunimeve të luftës – po pra, a mendove që e lo pa i përmend a?! )
Sus, të lutna. S’po thom që je qëllimisht seksist dhe problem. Ata të qëllimit lypin gjuhë tjetër. Por edhe ti je, kështu që ngo e mëso qysh mos me konë. Fundja, e di, prej përvojës teme si grue, por edhe sepse un ty t’kam ngue (me shekuj), që ki nevojë edhe ti për kit emancim.
Kqyr aty poshtë FB e ka nji sustë me bo “share”. Jo kit shkrim, hiçmu këtij. Por, kap lexo e shkepe çdo piskamë të grave për drejtësi. Teoritë, hulumtimet, kritikat, analizat, mendimet e GRAVE janë përgjigjja për zgjidhjen e problemit. Problemi = DOMINIMI I BURRAVE.
Apo nashta e ke ndrru kanalin, se u kry kjo temë? U mbyll vorri. Kryeministri i lëshoi lulet. Për fat të keq, zemra po ma thot, ma shpejtë se që durohet ka me u hapë nji tjetër për me ba vend, të vetmin vend të cilin burrat e japin lehtë tue e çelë me durë të vetta, për nji grue.
Natën e mirë, popull patriarkal!
ObserverKult