Arif Molliqi: Ditari i një kohe

arif molliqi

Nga Arif Molliqi

  1. fallxhorja

gati e kishim harruar fallxhoren nga Deçani
që n´vesh të fëmijëve e shpërfillte njeriun
duke ia numëruar krimbat e verdhë

së pari që të dihet
ajo zhvendoste një shami në gojë
e pastaj mbushte tavolinën me gjallesa të vocërra
gjithmonë te të njëjtës ngjyrë

s’kam besuar se mund të kishte krimba
në veshin e fëmijës tremuajsh
por kur bërtita:
ç’të jenë vallë këto specie
vura re trishtimin në sytë e nënës

sa herë që fëmijët e shihnin fallxhoren
n’ derë të oborrit
e dinin se mbi kokat e tyre
do të numërohen krimbat

s’e di bre
s’e di si shumohen ato gjallesa
në organin e njomë të fëmijës
por e di
se saora shtëpia mbushej me krimba

  1. gjarpri

nëse zvarritet gjarpri rreth shtëpisë
mëso ku merr fund udha e tij
se mund ta helmojë truallin

nëse e ka hequr lëkurën
dhe e gjen pas murit
shiko mos kanë plasur themelet

në çarjen e gurit vendosja dhëmbët
kokën në trarin e ahurit
askush pos teje mos ta dijë

punë e ngatërruar
kjo puna e gjarprit
kur e grimcon truallin

çfarë t’ju them më shumë
diçka kurrë nuk mësova:
si kafshon gjarpri i shtëpisë
me dhëmbin e syrit
apo dhëmbin e qumështit

  1. etja e pi detin

atdheut tim po i përsëritet stina
po i thahen pemët e njoma
dhe të merr malli edhe për borën e ftohtë

(kur s’ka shi edhe breshëri shuan etjen)

asnjëherë nuk po e kuptojmë
të papriturat vijnë papritur
pa pyetur na shteret lumi

(ka pak rëndësi nëse e thajmë vetë)

në kohën e pazakontë
etja jonë do ta pijë detin
bimët do të lotojnë si shiu

(është e rëndësishme
të rritem para kosëtarëve)

  1. fjalët e moshatarëve

kur e shembën kullën e vjetër
muret e gurit u kollitën

nëpër krismat e eshtrave
arrita deri te dhoma e djegur

nëpër rafte
rrinin fjalët e pikëlluara të moshatarëve

në varësen skaj oxhakut
gjeta shulin e pushkës

s’munda ta varros
se u hap qielli dhe ra shi rrëke

ObserverKult


Lexo edhe:

PËR HATËR TË ZOTIT, TI A NUK MË FAL…

Nga: Robert Burns

Lamtumirë përroje
ku lehtë fryn puhiza
Rreth kasollës së vjetër
ku rrit shtatin Eliza.

Asgjë s’vlen kujtimi
Asgjë s’më ngushëllon
Në gjoksin tim trishtimi
Brinjët mi shkallmon.

N’pranga i pashpresë
Zinxhirë në shpirt e duar
Në çdo venë një zjarr
Në heshtje i dënuar.

Skllavin e dashurisë
S’e sheh s’e denjon,
Por dhimbja e pamëshirë
S’më vlen, s’më shpëton.

Gjoksi më gufon
Dhimbje, psherëtimë
Zemra s’e tradhton
përjetë dashurinë.

Në heshtje i duroj
dëshpërimin,vuajtjen
I mbushur plot brengë,
i mbushur plot mall.

Elizë moj e dashur
A s’më dëgjon lutjen
Për hater të zotit, a
Ti a nuk më fal.
…………
Zëri yt si melodi
Se ë’më mban peng më skllavëron
Por s’më trembin më jo ata sy
Se frika nga asgjë nuk më shpëton.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult