Arjola Zadrima: Njeriu s’ka të ngimun me dashuni

Flasim përhanshëm me poeten Arjola Zadrima.

Nga: Xhemazije Rizvani

________________

  

Më quejnë Arjola Zadrima, le e rritun në Shkodër. Në qytetin tem njerëzit kanë pikë të dobët me kenë shkodranë den’ baba den, që don me thanë të ktuhit.
Në moshën 6 vjeçare kam fillu shkollën, por ende para emisionit në radio studioj si para provimit të fundit. Me ju rrëfy për diploma e çmime apo promovime ndihem si fëmijë, tash më kënaqin diplomat e bijve.
Prej në vogli mbaj mend tim atë që më thosh, mos kallzo kurgja jashtë, ishim të persekutuem prej sistemit, por nuk kuptojshe asgja. Kur fillova me u rrebelu kishte ardhë kohë tjetër.
Shkruej qysh herët në kohë, në fletore me vija, blloqe të vegjël, copëza letrash, edhe letra dashniet krejt afsh.
Vonë botova librin e parë “A ban me m’lshu pak rrug’”. Në Shkodër lind art e artistë çdo ditë, ndaj e titullova kështu librin e parë. Si me ju thanë, a po më bani pak vend mes jush. Në 2018 mbas tre vitesh botova librin e dytë ” Carpe Diem” që përbahet prej copëza shpirti të miat dhe foto të mrekullueshme të mikes teme Iden Temali. A do të botoj prapë, pse jo, një broshurë përkthimesh, asht fusha ku jam fokusu së fundmi.
Në jetën teme asht një rrugëtim që e mbaj mend me tim shoq, Francin, i cili nuk jeton ma. Fëmijët e mi mendojnë se unë ende jetoj në të shkuemen. Qysh se ai nuk jeton e tashmja venitet çdo mramje si një qiri i heshtun që shkrihet vetë.

je dashnia poezi nga arjola zadrima
Arjola Zadrima


Ime bijë asht krenaria jeme. Ka mësue se liria asht tipari ma i bukur që mundet me veshë një njeri. Im bir ka kaçurrelat e të atit, shpesh gjendem tij belbëzu nji kangë, oh se dy sytë mi kanë verbue, kaçurrelat e tu… Shkodrane kjo kangë me një histori të bukur.
Përkthej poezi të ndryshme, por jo të lehta. Shkëpus prej librave pjesë që jam e sigurt se dikujt i prek shpirtin, mesazhi i tyne asht qëllimi jem. Ndiej që kena harru më dashtë. Ndiej se bota asht një vend i vetmuem, i varfën. Shpesh ndij vedin tuj thanë : «Ah Migjen ku je ?»
Në çdo shkallë që kapërcej firojnë njerëzit. Jam ma e tërhequn tash. Vazhdoj me jetu në qytetin tem, ku jam shkollu e punësu. Ende i vjedh vargje stinëve, kam nji andërr me shkru romanin e jetës teme.
Kam kuptu se jo gjithkush vjen me ne deri në fund të rrugëtimit. Gjithsesi ajo çka ma shumë di asht se njerëzit ikin atëherë kur i len më ikë. Jam një gru që mbas du me lanë vargjet e shpirtit, dashuninë dhe zemrën në formë librash.
Disa herë jam thirrë në botën tjetër, kam kuptu që duhem ende këtu, kam shumë me dhanë. Asht herët për me çu meshë. Shpirti jem i duhet ende jetës.

Sa dashuri i duhet Arjolës për t’u ndier e gjallë?

Njeriu s’ka të ngimun me dashuni, e si Arjolë due dashuni si një foshnjë, që e kena ftue pa dëshirë në këtë botën e ktuhit…

Si janë ata që nuk të meritojnë?

Kam nënqeshë pak kur e lexova këtë pyetje, jo për habi sa për “çka nuk më erdh’ në mend”. Janë do qenie si pallto e randë në pa’stine, ku ndoshta edhe i ke shti gur ndër xhepa tuj i hedh rrugës për me shenjue gjurmë në kthim.

Për çfarë s’je penduar kurrë?

Që kam lanë poezinë me m’gjetë. As kam për t’u pendu ndonjiherë.

Cili njeri të frymëzon?

Ime bijë. Nëpër stuhitë e jetës më bani me kuptue se anija asht ma e sigurt me dy kapitene në bordin e saj.

Cilët janë autorët tu te preferuar?

Shumë, shqiptarë e te huej, me veçu do, ndiej se kam lanë pa thanë ndonjë që ma trand qenien. Migjeni më fle në shpirt, Alda Merini ma pranon çmenduninë.

Pa cilat libra s’mundet Arjola?

Librat me poezi i përpij hurthe-hurthe, si venën brusko, por romanet më zgjojnë ndjesinë e te shkruemit, nuk mundem pa ju kthye herë mbas here Ana Kareninës së Tolstoit, kujtohem që dashunia na kthen në qenie të mbinatyrshme.

Pa çfarë s’ka kuptim jeta?

Pa dashuninë. Asht ajo drita që na ndriçon në kohën e territ me të gjitha nuancat e saj.

Kur papritmas u bë vonë për ty? Për çfarë?

Jam nisë disa herë për në botën e përtejme, kur u gjenda në stacionin e jetës, kuptova se isha vonë me shkue diku pa vakt.

A mundesh pa poezi?

Pse kam ndjesinë sikur po me pyet, a jetohet pa frymë?!

Përse fal Arjola?

Thonë se ai qe fal, ndihet ma i papeshë se i faluni, për me fluturue në naltësi më duhet me kenë pupël. Ndihem shpesh e tillë.

Cila grua është idhulli yt?

Gratë kanë secila nga një veçori që të ban me pasë idhull, por janë do gra që i ndeshi në spitalin onkologjik Nanë Tereza në Tiranë, kane sy të dielltë, u ndrin jeta në krejt qenien…I due me shpirt.

Shpirti, apo trupi lodhet më shumë?

Migjeni shkruen në një nga tregimet e tij: ”I dhimbte ajo gja që quhej shpirt”.

Lodhet i ngrati, pa bza, pa kja, pa virrmë…

Me qenë a mos me qenë?

Me qene bre, me dhanë, me dashte, me ditë, me frymue e me lanë gjurmë diku këtu mes tjerësh.

Ku buron forca e gruas?

Poetja polake Wislawa Szymborska ka shkrue një poezi, ku një gru që kapet rob në luftë, pyetet prej kah vjen, ku po shkon, ku je këtu, përse je këtu etj. Për çdo pyetje u thotë s’di, por kur e pyesin për femijët që kishte rrethue me krahë, u thotë “janë të mitë”, edhe unë jam NANË!

Ç’është për ty vetmia?

Vetmia asht ajo qoshja mbas derës, ku je mshef me duert në buzë mos me t’u ndje viskama e gjoksit, ndoshta një moment me mbledhë gratë që jam.

Cili qytet të zgjon më shumë?

ROMA më ka zgjue prej një gjendjeje kome, ku kisha ra për një kohë të gjatë. Kuptova se mrenda meje ende rrah një zemër e butë edhe për gurë të gdhendun.

Nëse bota do krijohej nga një poet, si do ishte ajo?

Si një femijë që i ke ble balonën për herë të parë dhe po ecën shpejt me e ngrit në qiell. Kaq i bukur duket një femijë me balonën në qiell.

Ku përfundon pikëllimi i Arjolës?

Kur ndiej të qeshunën e tim biri, që kumbon amël në zemër, më paqton të gjitha shqisat…

Po mangësia jote cila është?

Një dorë në sup, mbas një dite të lodhshme, ku me thotë çdo gja asht mirë… Ka mungesa që po u dhe za, zgjohen të trishta.

Kush mendon se je ?

Nana e bijve të mi. Kam gjakun e tyne, kam dashuninë e tyne, kanë shpirtin tem. Grueja e stuhive të marra, por mbi të gjitha ajo që zbuloi dashuninë për vedin. Jam edhe EVA.

ObserverKult

Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: A PO TË BJEN NË MEND PËR MUE?