Në amfiteatrin e Durrësit kanë filluar sondazhet, që synojnë zbulimin e elementeve të arenës ende të mbuluar. Po ashtu lidhjen me kodrën ku është mbështetur një pjesë e monumentit.
Drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohito tha për BIRN se sondazhet po realizohen nga firma “Altea & Geostudio 2000”.
Leja e ministrisë së Kulturës ka mundësuar punimet e firmës së licensuar për ndërhyrje të këtij lloji – tha Ramohito.
Specialistë dhe arkeologë po ndjekin nga afër punën që po kryhet në pjesën qendrore të amfiteatrit.
Ky është hapi i parë për zbatimin e projektit afatgjatë për hapjen e plotë të amfiteatrit të ndërtuar në shek II pas Krishtit.
Projekti për hapjen e plotë të amfiteatrit si dhe për rehabilitimin e plotë e zonës qendrore të Durrësit u bë i njohur dy vjet më parë.
Bashkia e Durrësit, ministria e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillim AADF po bashkëpunojnë për zbulimin e plotë të monumentit më të madh që është gjetur deri tani në vendin tonë.
Amfiteatri i Durrësit u zbulua në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Gjatë ekspeditave verore 1966-1970 u zbulua rreth 2/3 e monumentit, që ishte ndërtuar në periudhën e perandorit Trajan.
Për hapjen e shkallareve dhe galerive autoritetet e kohës urdhëruan në pak javë prishjen e 33 shtëpive dhe transferimin e 50 familjeve. Këto familje pa e ditur, kishin banuar mbi një vepër monumentale 1900-vjeçare.
Megjithë kërkimet arkeologjike në hapësirën e amfiteatrit, në më shumë se 50 vjet nuk ka patur asnjë ndërhyrje me synim zbulimin e elementeve të tjerë të rëndësishëm.
Projekti që pritet të zbatohet ka nisur me shpronësimet dhe kompensimet e familjeve që banojnë në pjesën veri-lindore të amfiteatrit.
ObserverKult
Lexo edhe:
GJETJE TË REJA NË AMFITEATRIN E DURRËSIT, VAZHDOJNË GËRMIMET
Të tjera gjetje e fakte kanë dalë në dritë nga projekti kërkimor-shkencor i Amfiteatrit të Durrësit. Pavarësisht temperaturave të larta, procesi i gërmimeve vazhdon për njohjen e mëtejshme të trashëgimisë arkeologjike.
“Ishte një ndjesi e veçantë të asistoje në procesin e gërmimeve të një skuadre shqiptaro-italiane”. Kështu u shpreh ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, e cila ka parë nga afër gjetjet.
Projekti i gërmimeve bashkëdrejtohet nga dr. Elvana Metalla (Instituti Arkeologjisë) dhe dr. Sonia Antonelli (Universiteti Chieti, Itali), bashkëfinancuar nga Ministria e Jashtme Italiane e bashkëpunimit ndërkombëtar – MAECI dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, pranë Ministrisë së Kulturës.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult