Arkeologët kanë bërë një zbulim të ri arkeologjik në Himarë. Ata kanë gjetur varrezën tumulare të shekullit XV-XII p. Kr.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari Aleksandër Çipa i cili ka postuar në faqen e tij të Facebook edhe disa foto nga zbulimi arkeologjik.
“Zbulim i ri arkeologjik në Himarë -Arkeologët vlonjatë zbulojne varrezën tumulare të shekullit XV-XII p. Kr-.
Nga një gërmim arkeologjik shpëtimi i realizuar së fundi në Himarë, nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Vlorës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore është zbuluar një varrezë tumulare e periudhës së Bronzit të Vonë (Shek. XV-XII p.Kr).
Sipas arkeologëve zbulimi është i një rëndësie të veçantë, pasi është i pari sit arkeologjik i këtij lloji që zbulohet në bregdetin e Himarës, duke ia shtuar Hartës Arkeologjike të Shqipërisë edhe një zone tjetër me varreza tumulare.
Ky është padyshim zbulimi i parë dhe kaq i rëndësishëm pas disa shekujsh në tokën shqiptare në bregdetin jugor.”-shkruan Çipa teksa poston fotot.