Arkeologu i njohur: Zbulimet në Butrint, mundësi për rishkrimin e historisë së Mesdheut

Richard Hodges: Butrinti nuk është pjesë e Shqipërisë!

Arkeologu i njohur britanik, Richard Hodges, ka rrëfyer punën e bërë përgjatë 2 dekadave në Parkun Kombëtar të Butrintit. Ai thotë se zbulimet jo vetëm hedhin dritë mbi epoka të ndryshme, por mund të shihen si mundësi për rishikimin e historisë mesdhetare.

Ishte viti 1994, kur profesori britanik, arkeologu Richard Hodges, me një grup arkeologësh, bëjnë Butrintin objekt të projekteve të tyre arkeologjike. Hapja e kufijve të Shqipërisë, nuk kish shënuar as 4 vite, ndërsa Hodges, me një eksperiencë të pasur arkeologjike në vendet më të zhvilluara, tentonte krijimin e një parku e komuniteti arkeologjik në Butrint. Sot, në funksionin e Presidentit të Universitetit Amerikan të Romës kujton fillesat e punës.

“Periudha më e vështirë ka qenë në vitin 1994-95 kur shqiptarët nuk kuptonin objektivat tona dhe ne nuk kuptonim mirë, situatën e vështirë që po kalonte ky vend” tha Hodges.

Gjatë takimit mbi “Kontributin shqiptaro-britanik në Butrint” të mbajtur nga Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë, Hodges solli në vëmendje periudhën 20-vjeçare përgjatë të cilave udhëhoqi punimet. Sigurisht, si ish-këshilltar ndërkombëtar i Edi Ramës, gjatë fundit të viteve ’90, ai ndalet edhe tek bashkëpunimi me ish ministrin e Kulturës, sot kryeministër.

Bashkëpunova me Ramën si këshilltar, si e kujtoj kur ishte ministër Kulture

“Si ministër i Kulturës në vitin 1999 ai ishte përgjegjës për krijimin e Parkut të Parë Arkeologjik në Butrint, apo në Adriatik… Dhe për të qenë i sinqertë, ai kishte një vizion modern dhe futurist për atë vend, dhe shfaqte personalitet të jashtëzakonshëm…

Richard Hodges

Edhe gjatë viteve të fundit e kam takuar disa herë, por mund të them se koha që kemi bashkëpunuar, ka shënuar një periudhë të çmuar në jetën time. Duhet të dini se edhe në Itali kontrolli dhe menaxhimi i arkeologjisë siç bën për shembull Greqia, është sfidë shumë e madhe. Rama ndoqi një metodë tjetër për ti arritur këto, dhe mendoj se kuptoi mirë të mirat e këtij projekti, sepse Butrinti është një projekt pilot për Mesdheun”, tha ai.

Vëllimi i shtatë i “Butrintit” i dedikohet Dhimitër Çondit. Ndërsa vlerësohen edhe të tjerë arkeologë që bashkëpunuan. Nga Kosta Lako, i ndarë nga jeta një vit më parë, e deri tek Luan Përzhita e Neritan Ceka. Hodges thotë se arkeologët shqiptarë sot kanë arritur të fitojnë një kulturë moderne të punës. Ndërsa më tej, vë theksin tek zbulimet më madhore arkeologjike në Butrint.

“Zbulimet më të rëndësishme lidhen me faktin, se atje kemi një panoramë të epokës pak a shumë mikenase, e deri në periudhën otomane, ku mund të shihen në faza të ndryshme ngjarjet që kanë ndodhur. Pra për herë të parë në një vend mesdhetar, mund të hidhet dritë mbi lëvizjet, vendet, njerëzit e materialet në periudha të ndryshme, e në një mënyrë krejt të veçantë. Pra, kjo është një mundësi për të rishkruar historinë mesdhetare”, tha Hodges.

Me eksperienca të jashtëzakonshme si drejtor i Institutit të Arkeologjisë Botërore në Universitetin e Anglisë Lindore dhe si konsulent arkeologjik i Fondit Arkeologjik të York-ut për minierat e arit, si e shikon Hodges të ardhmen e Butrintit?

“E ardhmja është e mirë. Është një e ardhme ku ka minimalisht 300 mijë vizitorë në vit. E gjitha përbën një pasuri të pabesueshme, jo vetëm për monumentet , por edhe për vetë vendin, liqenin e luginën që janë atje”, tha ai./shqiptarja.com

ObserverKult

Lexo edhe:

BUTRINTI, NË MESIN E DHJETË RRËNOJAVE TË BUKURA ANTIKE QË I MBIJETUAN KOHËS