Arkivat thyejnë barrierat: Salla studimi në çdo cep të Shqipërisë dhe qytetet shqiptare në rajon

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të krijojë salla studimi jo vetëm në qytetet e Shqipërisë por edhe në qytetet shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këtë projekt e ka nisur dje me krijimin në Bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës të këndit arkivor të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Një projekt i tillë do të mundësojë që elita intelektuale e qytetit, përmes sistemeve elektronike të vendosura në dispozicion, të mund të ketë qasje në dokumentin arkivor, si të ishte në Tiranë, pa pasur nevojën e udhëtimit drejt kryeqytetit.

Për të përuruar këtë shërbim të ri të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i DPA, Ardit Bido, deputeti i zonës Bledi Çuçi, i cili po ashtu mban postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Prefekti i qarkut Gjirokastër Odise Kote, kryebashkiaku Flamur Golemi, përgjegjësja e Bibliotekës Arminda Mevlani dhe pedagogu Shyqyri Hysi.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave qëllimi i kësaj iniciative është që të nxitet kërkimi shkencor në Gjirokastër dhe të rrisë frekuentimin në bibliotekën e vet. Shërbimi për studiuesit do të ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes e-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune./shqiptarja.com