Arlind Farizi: Nana e djegur…

Arlind Ferizi

Nga Arlind Farizi

Nana u kollit ndryshe. Thellë, e u rra. Nana po ikte… Thirra ndihmën e shpejtë. E ajo erdhi shumë ngadalë! Rrugën nga fshati deri në qytet qe e gjatë dhe e frikshme. E prekja nanën, ka shpina, fytyrën e saj plot rrudha mundimi, për m’i thënë se jam këtu me ty, se ti m’ke dhënë mua jetën, e unë ty, unë ty, vetëm pak kujdes. Nana merrte frymë shumë, e hapësira e veturës së ndihmës së shpejt qe e vogël. Nana donte 02.

Lutesha rrugës. Nan’ rri e gjallë. E atje po të dërgojmë, në atë spital që sigurisht është shtëpi shprese e mbijetese, tek ajo kuti plastike në formë spitali modular të lutem dil e gjallë! Nan, ka pakëz vende boshe, kjo kuti shprese, prej plastike, e korridore të ngushta frike,  por do intervenoje diku nan’ kam shokë, e ndoshta  na e bëjnë një vend…

Nan’, ka kohë që ushtarë të paftuar koronavirusi ta bëjnë ugar shpirtin. Një virus picirruk i vogël dhe shumë i dëmshëm. Urgar të bën shpirtin, atë shpirtin tënd të bardhë tebeshir. Erdhën si sfinks nga Kina, kina e mallit të dobët, të padukshëm dhe të dëmshëm.  Vrapojnë si morrnicë në shpinën tënde të mpirë si nata. Hanë, pinë si pushtues të diçkaje të çmuar. Të çmuar sa jeta. (Ndoshta më herët s’do të na kishte shkuar mendja kurrë te ky krahasim as mua, as ty Nan;!). Kanë meny të pasur, Nan’, mushkëri të bardha e të zeza. Hanë mish, pinë gjak e limfë… Sosin ëndrrat e të një gjalli…

Nan’, vetëm ti e di se sa dhembje ke kur ndjen se si harxhohesh përditë, kur ndjen se si zvogëlohesh, tretesh… Bukur të rri ai tubi prej nga merr oksigjen e shpresë.  Nan’, ka kohë që ti je arenë virusesh.

U bë një muaj. E në këtë shtëpi plastike, ku jemi të dytë, dhe 14 të tjerë që i dua po aq sa ty, a thua do jetë shpëtimi gjithëve. Ka pakëz kushte, dhe kemi ftohtë. Por shpresa për shërimin tënd na mbanë gjallë, ngrohtë…

Je arenë ku vdekja nget me shpejtësi ere. Je betejë mes virusit Covid19… Nan’, e ndjej thellë pafuqinë ndaj këtij ligji mjekësor, jam i vogël përball sfinksit gjigant kinez.

Nan’, Ti do ta fitosh këtë luftë si çdo tjetër në jetë. Ke pas dhe më herët dhimbje e i ke fshehur që mos na mërzitësh, por kjo e fundit të duket përtej, si meduzë të duket sëmundja, e tejdukshme dhe e frikshme.  

Ti do t’i kthehesh vetvetes sërish si mikeshe më të mirë.  Si një gruaje që u pjesëtua dikur në dhjetëra letra e fotografi matanë mureve të mallit e që sot mbase vjen në kokën tënde kur bën bilancin e asaj që humbe e fitove në kaq pak jetë, kaq pak gëzime e rini. Ti do jetosh shumë gjatë… Ti nuk do majmesh nga vdekja, jo!

Nan’, Ti infeksionin e mat me kilogramë që bien e centimetra humbjeje dhe nuk të brengos hijeshia, as flokët e rrëzuara nga terapia. Po shamia të rri bukur.

Në atë kokë që s’di sa herë jam mbështetur, qarë, e qeshur. Dje, teksa rrija afër teje, në spitalin modular,  e kërkove një pasqyrë me e pa veten, e mua m’u bë se i rashë qark botës për të ta dhënë në dorë. Pastaj pashë si bëre Gjergj Elez Alinë para Bajlozit/Virus të rëndë që dikur qe fytyra jote.

Nan’, kur të shoh të vetmuar, të strukur nën një batanije të ngrohtë si shpirti yt në këtë shtëpi plastike, më vjen të të kap, të përqafoj fortë. Jeta pakditëshë me ty më ka bë të kuptoj shumë, sa e shtrenjtë je, dhe sa pak kohë të kam ndejtur pranë.

Me vjen të ulem afër teje e përsëri të ngrihem dhe përsëri të të përqafoj… Dhe përsëri, deri në tejngopje.  Nan’, Sa herë kam dashur të të tregoj dashurinë time. Isha i zënë me punë dhe të kam munguar. Se ke pa tët bir, si endet botës për të siguruar jetën më të mirë. Sa herë kam provuar të të them je më shumë së një Nan;. Se ti i dije më mirë se çdokush gabimet e mia, se ti dije butësisht të korrigjoje djalin tënd. Se ti ishe gati të shtije pushkë për mua…

Nana nuk është vetëm ajo shtylla e shtëpisë që ka kultivuar mbrojtjen  e familjes, moralit, e të gjithçkaje që ajo e ka të shenjtë e të shtrenjtë.

Nana’ është Njeri e mbinjeri, është ajo që më ka vëzhguar më gjatë si vishem, si krihem, si e mbante briskun dhe që doje të ishe ai kur të rriteshe, që doje të të rrëfente historira kur të plakej.

Nan’, më dhimbsesh shumë. Kur ti e nis fjalinë dhe nuk e nxjerr dot në fund nga kollitja e thatë dhe aparati oksigjenit në harxhim e sipër, kur mundohesh të ngrihesh në këmbë e ne duam të të ndihmojmë, e kur dëgjojmë atë frazën klishe të asaj që po ligështohet: ”Jam ende e fortë”… Ti je më e fortë se ky spital plastike dhe e mban në shpinë këtë mbrëmje të fundit me krahët që i ke endur mbi malet e Sharrit.

 Nan’, mos u bëj hije. Je ende  gjallë, është vetëm një sëmundje dhe fat i paracaktuar që ti do ta kalosh si rrufën.  Të lutem mos u bën hije… se njeriu vetëm njëherë e humb trupinNan’, Ti s’do të shkosh kurrë harresës. Do jesh gjeth i blertë në kujtimet tona.

 Nan’, ti je mes skajeve të kordeles së quajtur jetë. Në mes-jetë. Të shtrëngon keq sëmundja, virusi picirruk ngatërruar keq udhëve të mushkërive.

Të lidh si Laokont. Nan’, ti s’duhet të vuash kësi dënimesh.  E ka gabim dhe Zoti… Nan’,ti je Trojë e pamposhtur… Mes grilave të kraharorit tënd rri një zemër e madhe, me përmasa bote. Nan’. Ajo zemër s’bën të pushojë.

Më bien ndërmend ditët e peshkimit në lumin që kalonte tinëz fshatit tonë, e më thoshe: biri im, grepi yt s’bën të zë trofta të vogla, por të mëdha sa yjet. Ti djali im, thoshe, ata nuk zënë gjëra që mund të piqen në zgarë.

Qeshnim të dy. Sëmundja jote më bëri të kuptoj se vija e jetës në dorën tënde gënjen. Nuk u besoj më shenjave të fatit.

Edhe zodiakun e dëshpëron, e tëhuajëson nga shpresa kjo sëmundje me emër Covid19. Nan’,  kur të shoh ashtu, brenda meje lind një zog dhimbjeje dhe malli që cicëron heshtazi varur në një degë shpirti. Nan’, më fal, s’mund të qaj.

Po nxjerr xixa kristali. Sëmundja monotone si pizhamet e tua përlyer me dezinfektues e jod. Horizonti i ftohtë si diagnoza e mjekut, shkruar latinisht që kërcejnë e zhduken në një tingull shiu… Nan’, tani kur unë po shkruaj për ty sëmundja jote del e m’i mbyt metaforat njëpërnjë. Viruse kriminele që gjuajnë pa gabime…

Nan’,ky tekst  është i mbështjellë me pikëllim. E ti s’ke për ta lexuar kurrë. Sapo ta mbaroj, do ta mbys. Nan’, e varros çdo metaforë të botës në këmbim të një dite tënden më shumë pa dhembjet e trupit dhe pa infektimin. Bëhu e gjallë ëndërr mjekësore!

Bëhu më mirë! Nan’, Mos ik! Mos e mbush natën me akthe. Beso në përjetësi, Sëmundja jote sall një dhimbje është. Një dhimbje që nesër do ta shpallim të paqenë.

Teksa rrijë dhe vështroja grahmat e fundit të jetës tënde, në shtypin e shpresës prej plastike, një shkëndijë zjarri filloj të përhapej nga dhoma tjetër.

Zjarr,… dilni jashtë të gjithë, po digjemi… po digjej Spitali, po digjeshin njerëzit, po digjej shpresa…

Nan’ trup-rëndë ke qenë, por kurrë më lehtë se sot. Të mora në krahë më gjithë ato kabllo ngjitur gjoksit tënd, e dilja si një Avatar’ nga një dhomë në dhomë, për ti ikur zjarrit dhe tymit të zi, erës së plastikës së djegur, dhe erës së mishit të njerëzve që po digjeshin. Flaka kishte rrokur flokët e mia dhe shpinës bartja flakë.

U afrova te dritarja. Të lutesha që kjo të ishte vetëm një ëndërr. Gjithë spitali po digjej. Flaka na rroku të dyve. Mora pakëz ujë, dhe doja t’ia “fturiti” buzët e thara të nënës time, lochkes teme. E ajo m’tha, ikë biri im! jeto ti, se unë kam jetuar mjaftë…

Pashë ca duar policësh që më nxorën nga dritareje. Pjesa tjetër ishte andërr reale, mërzi, dhimbje dhe padrejtësi…

Nëna u dogj, kjo do të thotë shumë. Nëna nuk vdiq u dogj. Kjo do të thotë shumë.

Kjo orë e familjes s’ka për të ndaluar bashkë me dhimbjet e mia nan’. Vetëm erë e jodit, era plastikës, dhe era njeriu të djegur, jo vetëm nënës time por 14 trupa tjerë ka për të mbetur në hundët tona për mijëra vjet.

Tash, i rikthyer në vete, dhe pse nuk e mbaja mend varrimin tënd e ndjej, hapa të zinj afrohen, e qarkojnë shtëpinë. Dhimbja, kjo fqinjë jona e heshtur, me tonelata e rëndë, po shpërngulet, por askush s’do të banojë më në dhomën e saj. Errësira që andej do të na gërryejë sa të jemi gjallë. Di se shpinës më binin mijëra shkopinj të ujtë….

Nana nuk vdiq, nana u dogj, e kjo do të thotë shumë…

ObserverKult


arlind farizi
Arlind Farizi

Lexo edhe:

ARLIND FARIZI: NGA LARG IA VËSHTROVA IKJEN ASAJ…

Nga: Arlind Farizi

Nga larg ia vështrova ikjen asaj. Pashë derën e hapur të veturës ku e priste mashtrimi në formë të fejuari. Ashtu e lehtë si një ketër kërceu në ulësen e pasme dhe ky gjest qe i qëllimshëm, sall për rikthyer kohën e ikur më atë, diku, dikur, shumë herët, kur iknin djajtë dhe ktheheshin engujt.

Këngë që do dëgjohen nga karriga e pasme e veturës do e titullonte librin e ardhshëm. I thoshtë se shkruaj për ty. I thoshte se jam i sinqertë ndaj teje dhe letërsisë, se të dua si ty si poezinë, se u lexoj njëjtë dhe ju kuptoj po aq njëjtë. Ndërsa ajo lutej që mos ia përmendte inicialet.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult