Arlind Farizi: Një shkrim për ditën e nesërme

Ky shkrim do bëhet i vjetër pasnesër. Edhe ai do jetë m’i vjetër sa tash. Kalendari do e ndërrojë letrën e verdhë e do e hedh pas shpinë si gjënë më të panevojshme. E përsëriste shpresh atë thënien e bukur, ej, jemi bërë si pluhuri që rrjedh në klepsidër, shkoi jetë, lajtëm’…

E nesërmja do vijë. Ishte shumë i sigurtë për ardhjen e saj. Në fakt ajo qe nisur që kur filloi të shkruante eseun për ditën e nesërme. Si një thirrje shituese sirene e nesërmja është. Alarm rrënqethës ajfoni. Zgjim i huxhumshëm shtrati. Veshje e pashije. Lidhësa të ngatëruara si politika. Kravatë sa;; për t’u krekosur. Veturë të vozitur për vijash të bardha, si një kriminel kominikacioni më që më çdo kusht kërkon dënimin. Arritje në vendin e shenjtë të punës. Kafe të idhët. Njerëz të idhët. Qytet gri. Asfalt gri. Gri gjithkund.

Që e nesërmja mos i ngjajë të djeshme ai provoi të ndërronte skenar. U përzi paksa në punt e perenis’. Kapi atë dreq telefonin, kur rrinte fshehur në blocklist’ një numër. Qe numri i saj. Qe numri që më shumë se cilido numër ka pasur tërmete fjalësh. Shenja viberi, buzë, lule, sent photo, printscreen-a, ndonjë goodnight, ndonjë fuck you…

Ai numër kishte qesen më të madhe të kujtimeve, të fjalëve, një leksikë të rrallë e të pasur prej viberi… Aty ishin dëshirat për gjërat e papërjetuara, centimetrat e lekurës së pa shijuar, leximet e fragmenteve të jetërave të panjohura, intervistat për ish-at, shikimet që flasin e merrën vesh në gjuhën e tyrë, udhëtime të largëta për qëllime kundërzbulimi, këshilla për ndryshime, ëndrra që rrinë varur në degën e hollë e të thyer të fatit të keq, njohje të vonuara, dashuri të vonuara, vonësa që vijnë vonueshëm në ditët e nesërme…

Fillimisht i bëri një “gjess”. Dhe priste me padurim transferimin e fjalës “delivered” në “seen”. Priti gjatë kthimin e përshendetjes si një narkoman që pret lajmin se kur do ti vijë malli. Qe dashuruar keq dikur në vajzën më të përfolur në qytet. Qe dashuruar keq, e kjo keq, sqarohej mes dilemave të asaj çka flitej dhe çka vërtetë ishte kënaqësia e kllumjes së djallit në ferr… Është botë llafesh të qarkullueshmë njëjtë për gjithkënd, mjafton të dalësh më shpesh në instagram me fotografi t’shajshta’, edhe vulën e ke pas…
Ngriti me fund filxhanin e kafesë, hëngri dhe sheqerin e mbetur si për gjunaf në fund. Dhe, ja, te telefoni u shfaq shenja e kuqe, tellali modern, sms-i. E rroki një ankth i rrallë. Një seri pyetjesh ia sorollati mendjen. Hapi viberin dhe lexoi. “109”…

“109” qe simbolika e një diçkaje që e dinin vetëm ata dy. Një hapësirë e fshehtë ku flitej shumë për dashurinë. Dashurinë e cila nuk është si e disave. Dashuri e përzier me kujdesin, ndjenjën e vetëmashtrimit, harxhimit të pështymës, larjes së mëkateve me ujë të ftohtë dushi, plotësim të gjysmave që u mungonin dhe së fundi dalje nga safari i lumturisë…

Gjithçka ndodhi shpejtë, blic. Ata ikën duke kërkuar vetvetet e humbura. Ikën në vetmitë tipike me njerëz. Ajo nuk shkroi më. Por edhe ai nuk e ngacmoi. E quajtën të nesërme çdo kujtim. Sepse të nesërmet janë si ëndrrat që maten me etalone pritjesh të gjata.
Ai fshehtash ia shikonte fotografitë ndërsa ajo fshehtas ia lexonte shkrimet.

LEXO EDHE: ARLIND FARIZI: ASAJ, PËREMRIT MË TË DASHUR