Arnimi, brezi im e njeh mirë se çdo të thotë

Arnimi, brezi im e njeh mirë se çdo të thotë. E në mos e ka bërë vetë ka parë nënën, gjyshen, teton e ndoshta dhe motrën e madhe me gjilpërë në dorë duke arnuar ato pak veshje që kishim.

Nga Mimoza Leskaj

E duke arnuar mendimi hynte aq thellë sa shpesh dëgjohej një ofshamë, e aty kuptohej se gjilpëra arnonte dhe një copë të shpirtit.

Nuk e di nga vjen fjala-arnim, por më është dukur si fjalë e huaj dhe çuditesha se si rrinte e qetë në fjalorin shqip, dhe nuk e kishte zënë lapsi të quhej “reaksionare”.
Jam munduar ta ndaj në – ar – që do të thotë pasuri e florinjtë, dhe – nim që andej nga jugu ne quajmë minderet e asokohe, ose nim-nga gegnishtja e mesme që do të thotë ,-ndihmë. Pra si pa lidhje duket.

Në këto ditë pandemie e vaksinash (që personalisht kam filluar t’i quaj ditë zullumesh), jemi kthyer në njerëz që kemi filluar të arnojmë, sepse shpirtrat janë zhveshur aq sa është grisur çdo gjë që i mbulonte, dhe nuk di se për sa kohë do të na duhet të mbajmë gjilpërën në duar, për të arnuar krahët e të pafajshmëve.

Dmth e kemi të domosdoshme, sepse varfëria nuk është vetëm ajo që duket, por diçka më shumë, më thellë, e cila loz me padijen, frikën dhe trupat tanë.
Kam ftohtë gjer në atë pikë, sa çmenduria e arnimit është e vetmja shpresë për të më ngrohur, dhe numëroj copat që qepen mbi të tjerët, duke shpresuar të mos më prekin akoma fijet e tyre.

E gjitha kjo, në emër të jetës!

ObserverKult

———

Lexo edhe:

Si luftoj unë për dashurinë?! Luftoj me krenarinë time që të mos më bëhet pengesë për të kërkuar falje.

SILVANA KOLA-LOKA: SI LUFTOJ UNË PËR DASHURINË?!

Luftoj me krenarinë time që të mos më bëhet pengesë për të kërkuar falje. Madje për të hapur rrugë edhe kur tjetri është gabim, sepse çdo reflektim mbi gabimin ndodh vetëm përtej ndjesës së fajësimit dhe turpërimit. Pastaj, të dy e dimë se kush kishte të drejtë!!

Nga Silvana Kola Loka

Luftoj me zemërimin tim që të mos bëhet pengesë për të kuptuar se çdo njeri ka arsyet e veta për fjalët dhe veprimet që bën. Ngecja në zemërim ma pengon të jetuarit. Nuk kam kohë të tepërt për të humbur!
Luftoj me frikërat e mia nëse ia dal të jem gjithnjë ‘ajo e duhura’ dhe i kujtoj vetes se frikërat e mia e kanë burimin në pasiguritë e mia të brendshme dhe jo në sjelljen e tjetrit. Mblidhe mendjen kokë.
Ti je Ajo!
Luftoj me vetbesimin dhe arrogancën time që ato të mos shkaktojnë ‘zvogëlimin’ e tjetrit. E çfarë pastaj se unë e ditkam më mirë? Që kur na u bë dashuria një garë talentesh? Le që unë jam edhe kundër të gjitha llojeve të garave mbi të gjitha!!

Ti më pyet si u luftoka me veten për hir të dashurisë?
A nuk duhet luftuar me egon e tjetrit që të lëndon?
Me krenarinë e tij që të ngurtëson?
Me zemërimin e tij të padrejtë?
Më vjen keq nëse të zhgënjej!

Për mua, dashuria nuk është luftë që duhet të fitohet nga njëri prej të dyve. Për mua, në dashuri ose humbasin ose fitojnë që të dy.
Madje, nëse ti mendon se ke fituar mbi tjetrin duke ‘i luftuar’ çfarë nuk
shkon mirë, në të vërtetë je humbësi më i madh
E di çfarë? Nuk më vjen keq nëse të zhgënjeva!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult