Arshi Pipa: Nëpërmjet studimit të veprës së Fishtës mund t’a njoftim mirë njeriun

Gjergj Fishta


Nga: Arshi Pipa

Asht vështirë me gjetë nji poet qi të jetë përnjiheri i kandshëm si njeri: Fishta ishte nji nër kta të rrallë. Ishte i përvujtë e nami i tij i madh nuk e pengonte aspak për me pritë e me përcjellë me ambëlsi e buzqeshje, me kuvendue me masën e me urtinë e plakut të malevet e me këshillue me autoritetin e padukshëm, por të thellë të misionarit mendtak. E kur duhej mandej, dinte me qenë edhe humorist i bindshëm e ishte mjaft mjeshtër për me tregue ndonji store të krypun. Aj tip i pavdekshëm malsori, qi Fishta skaliti në Lahutën e vet jo asht nji tip, por asht edhe nji vehtje e gjallë, asht deri diku vetë njeriu qi quhet At Fishta. Shumë vërtyte të tijat janë të shprehuna në trajtat e fatosavet të vet kryesorë: nga njena anë nga tiparet e Marash Ucit, e tjetra n’ato të Patër Gjonit. Me kohë influenca e krijesavet të tija poetike e punoi përbrenda aq tepër njeriun sa ky mori tekembramja vetinat e fatosavet të poemit të vet. At Fishta nuk pati tjetër familje posë familjes së madhe franceskane. Për të bir e bijë qenë veprat e veta. Vllaznimi i artit me jetën asht te Fishta shum i përparuem, tue përftue kështu harmoninë karakteristike të rrojtjes së tij, kthjelltësinë artistike dhe veprimin praktik.
Prandaj nëpërmjet studimit të veprës së Fishtës, mund t’a njoftim mirë njeriun. Shpirti i tij asht i ndrymun i tani nder krijesat e veta, qi, te Fishta, janë pasqyrimi gati përherë besnik i botës së tij të mbrendshme. E kjo ndodhë edhe atherë kur poeti mundohet me i hikë individualitetit, kur subjekti i veprës nuk asht bota e vet shpirtnore por nji themë e përbashkët njerëzore qi tejkalon caqet e individit.
Kto ideale Fishta i vllaznoi në binomin tashma të shuguruem: “Atme e Fe”.
Nji klerik shqiptar nuk mund t’ishte ma shqiptar se Fishta. Misionar franceskan shqiptar, poezija e Fishtës ka dy flatra qi rrahin harmonisht, e kjo harmoni asht njimend për t’u soditë me bindje. Lindën kështu nga nji anë VALLJA E PARRIZIT dhe melodramat me subjekt fetar (JUDA MAKABE, por ke JUDA MAKABE, mos të harrojmë, prifti u prinë ushtrinavet). E lindë nga ana tjetër LAHUTA E MALCIS. Fishta asht njoftun ma tepër si poet epik e poezija epike cilsohet prej impersonalitetit. Impersonalitet jo në vështrimin e zakonshëm të gabuem të mohimit të personalitetit, por n’atë të njisimit të personalitetit të poetit me ate të popullit, a ma mirë, të përvehtësimit të ndjenjës së popullit. Kështu Fishta nuk asht ma At Gjergji por asht goja e popullit qi rrahë në fjalën e tij. Në ket kuptim, impersonale asht paralelisht edhe poezija fetare e Fishtës.
E qe se pse ajo nuk kalon në mistiçizëm, por asht celebrimi i fuqishëm e i kjartë i vërtyteve të shenjta. E madje nji celebrim dinamik, nji kangë qi bahet veprim dinamik.
Kështu kuptohet si Fishta, prej staticitetit të dukshëm (thom: të dukeshëm; të lexohen poezina si “Missionari i Shen Françeskut”) kalon ke drami, ke lëvizja e JUDES MAKABE.
Fishta asht nji temperament impulsiv, nji vehtje dinamike, e fortë. Personaliteti i tij imponohet turrshëm . E mbassi personaliteti i Fishtës asht edhe ay i At Gjergjit, due me thanë i nji njeriut të posaçëm, të dallueshëm (e në ç’mënyrë mandej? ), Fishta nuk mund t’a ndrydhi ma gjatë ndjenjën e tij të veçantë e kërkon me shfry. Por ku? Në lirikë? Por guna qi ka veshë asht deri diku nji pengesë, asht nji perde qi ia ndan kufijt. E gjithashtu n’epikën e LAHUTËS Fishta, tue u ba interpret i ndjenjës së popullit duhet të flijojë dashtë e pa dashtë turrin e vet vehtjak.Qe sepse Fishta vërshon në satirikë. Dy rrugë i mbetshin çelë: dramatika e satirika. Por Fishta nuk e punon dramatikën, tue e kufizue nder subjekte shpesh dore të dytë. E mandej ma mirë gjithmonë i përshtatej satira temperamentit të tij luftar. Ktu fitojmë ide ma të kjartë mbi karakterin e Fishtës, si trajtohet prej qyshkevet historike. Fishta asht nji natyrë e fuqishme dashunore, asht nji temperament i zjarrtë e passional. E nuk mjafton as adhurimi i binomit “Atme e Fe” për me e mbushun hapsinën e hovit të shpirtit të tij. Shum mirë idealet e epërme, tejindividuale, të përbashkëta njerëzorë! Po njeriu, a nuk e ndinë vallë nevojën për me pasë dashuni të posaçme qi vetëm aj të ketë, qi vetëm aj të përkëdheli? Thamë se dashunija profane i mbetet Fishtës gadi krejt nji derë e mbyllun, prakun e së cilës aj e shikon jo pa mallëngjim. Pjesën e dashunisë qi Fishta nuk mund t’a shfrejë, natyra i a korrumpon në urrejtje e në mëni: ( në fund mënija e dashunija janë intonacionet e përanshme të së njajtës ndjesi). Qe si lindë satirika e Fishtës: prej nji pasioni psikologjik të ndrydhun, të prishun, e qi mbetë pasion.
(Prej këndej, nji herë tjetër, do nxjerrim rrjedhime të reja mbi vlerën poetike të satiravet të Fishtës)
Por Fishta asht tepër i kujtueshëm për mos me u mjerue nder satira vehtjake. Kte mandej nuk i a lejonte as missioni i tij fetar. Satira e tij ka për sfond-prap e gjithnji –probleme të përgjithshme. Pse Fishta mandej preferon ndër kto probleme Atdheun (Jo ma Fen qi ktu nuk ka vend) asht krejt e udhës. E kjo vetëm për strukturën gjenuine të shpirtit të vet malcuer, por edhe prej qyshkevet historiko-politike.
Aj e deshti atdheun me të tanë fuqinë e shpirtit të djegun nga malli i lirisë, i këndoi dhe i madhnoi malet përmendore t’amshueme të vërtytevet të fisit shqiptar. Atdheu për te u ba nji ideal i dyfishtë: më njenën anë ishte nevojë e shpirtit të tij të gjanë, e i ngjallte pezmatim për padrejtësinë qi i bahej Shqipnisë prej të huejvet, ishte ngjitja e mishnueshme e arbnorit, për trojet e veta, për ambëlsinë e votrës qi Fishta aq pak njofti, ishte ngushullim, mandej qi vinte nga shpresat, ngushullim për vehte e për popullin jetim qi mirë e ndiente mungesën e lirisë. N’anë tjetër atdheu ishte për te e vetmja themë fisnike e denjë për artin e vet, ku aj do të mundte me shprehë lirikën e vet të transfigurueme prej shkëlqimit të një ideali epik. Un jam i mendjes se Fishta ishte n’origjinë nji poet lirik, por i nji lirizmi të fuqishëm, kryengritës, jo lotues e melankolik, por burrnuer, ushqye me langun me të cilin ushqehen lisat e pishat mes shkambinjvet, nji lirizëm luftarak porsi ay i Pindarit a ma mirë ay i Tirteut. Nder qyshket e tija missionari fetar, e n’anën tjetër, i pajisun me nji ndishmëni të rrëmbyeshme, nuk i mbetej Fishtës veçse t’a shprehte lirizmin e vet me nji frymë epike. Në ket transformim Fishta u ndihmue edhe prej qyshkesh të tjera historike , prej gjendjes së Shqipnisë së robnueme. Rilindja e kombit pergatitej n’ato kohna dhe shkëndija e ndezur prej Frashërvet, Pashko Vasës, Vretos e sa e sa atdhetarëvet tjerë -ndërsa Fishta ishte ende fmij-ishte ba nji flakë e madhe qi gjarpnonte mësheftas nder dejt e mbarë shqiptarëvet. Ishin kohnat kur çdo interresë vetjake shuhej përpara madhnisë s’idealit të përbashkët. Ndjenjat e veçanta të poetit bijshin gjithashtu në nji shkallë randësije të dytë, lirika melike o arkade ‘’stononte’’ sa me u tallun. Dhe epopeja lindte e turrshme nder zemrat e vuejtuna të popullit e u ndërtonte mandej prej pendës-armë të poetit, lirizmi i të cilit flijohej për hirë t’epikës qi ringjallte e ndërtonte e të satirikës qi dërmonte. E kështu lirizmit të Fishtës i u muer shkëlqimi e mbi shpatlla u naltue epopeja. Por jo për këtë humbi.
E kohë mbas kohe ky lirizëm del në shesh, e jo vetëm në trajtën e sipërthanun epike, si te “Dita e të shuemvet”, “In hoc signo vinces”, “Burrnija” e të tjera, e në tonin kozmik të “Ditës së Gjyqit”, por edhe atëherë kur janë vargje të përmallshme si ke “Nji lule vjeshte”, janë melodi mjeshtërisht e dredhun si ke “Gjuha shqype” e “Nji peng nderimit”, janë (e pse jo?) edhe vezullime të vetëtimshme të ndonji dëshire laike qi petku-perde e fetarit len sidoqoftë me u nderdukë, e qi të shumtën e herës mbaron në simbol. Ose ky lirizëm shprehet nder kujtime botnash prrallore, nder melodrama me gjithfarë argumentash, nder drama mitologjike: Vargjet ma të nalta të Fishtës janë sigurisht vargje lirike.
Por Fishta mbetë ende-sidomos për popullin-kangatari i LAHUTËS. Aj i fali epopenë qi e ka dalldisun. T’a lamë tash për tash kritikën e LAHUTËS e le t’i harrojmë të metat.
LAHUTA ka meritën e rrallë me qenë njëkohësisht vepër arti e bijë populli. Madje kje shi kjo cilsi e dytë qi i dha asajë popullaritetin e madh e e bani me u dukë Fishtën nder sytë e shumicës si Poet Kombëtar. Tue e ndigjue vehten të thirrun me këty titull të lakmueshëm, Fishta asht mundue mandej me të gjithë fuqinë me e meritue. E mbassi kombi shqiptar nuk kufizohej vetëm mbrenda Shkodrës me malsinat e rrethet e saj, Fishta lirohet prej ambjentit të mbyllun, len për do kohë mënjanë motivat verikë dhe fillon me e zgjanue horizontin e epikës së vet. E shofim kështu tue punue vazhdimisht në “Lidhjen e Prizerendit”, e tue pasunue LAHUTËN edhe me episode të nxjerruna nga historija epirote. Qysh para shumë vjetvet aj kishte pasë këndue Shqipninë e Madhe tue i a shenjue kufijt prej Tivarit e deri në Prevezë. Fishta tregohet kështu nji mendje e lavrueme qi naltohet mbi çdo provinçializëm e vështron me nji sy largpamës. E, çka asht për t’u lavdue ma tepër në te, aj jo vetëm ban vargje, e shndritë mendet e errta dhe zgjon vullnetet e mpime, por punon n’anën tjetër praktikisht tue hymun guximshëm nder shtigjet e pasigurta të politikës.
Fishta paraqet shembullin e rrallë të poetit qi e ven artin e vet në shërbim të nji ideali ma të naltë. Asht diçka në te qi të kujton aedat e dikurshëm qi shoqnojshin popullin nder lufta e u jepshin zembër me kangët e veta. Veshun me zhgunin e urdhnit ku shërben aj del jashta murevet të qeta të kuvendit për me u përzi me turmën e turbullt.
Instinktivisht Fishta drejtohet kshtu kah historija hebraike e i kujtohen gjyqtarët e lashtë t’Izraelit qi tërhiqshin mrapa popullin me fuqinë hyjnore të frymëzimit. Le t’u jetë parasyshë, si shembull i vetëm, JUDA MAKABE, kur poeti ven në gojë të priftit fjalë të zjarrta atdhe-dashunije e bekimin për ata qi vdesin për atdhe.
Fishta ka ba shumë për ket atdhe. Gjith poezija e tij buron e perfundon në lavdin e sajë. Edhe satirika e Fishtës shtiellohet rreth të njajtit bosht t’atdhe-dashunisë. Toni i satiravet të tija asht thjesht shoqnuer-politik. E në ket rasë, ma tepër se ironi, ato janë sarkazma, qortimet e tija janë ivektiva t’ashpra të gërthituna të shumtën me fjalë vulgare por qi arrijnë efektet e stërfuqishme. “Facit indignatio versun”, shkruente dikur Juvenali. Fishta asht biri i tij spiritual. E asht ky pezmatim qi helmatisë timthat e ANZAVET TË PARNASIT e qi shtypë e marron pseudoatdhetarët e GOMARIT TË BABATASIT. Ky është njeriu Fishta dhe kjo vepra e tij e vizatueme në procesin historik, në bashkazanim me personalitetin e tij.
Nji herë tjetër kemi me u kthye mbi vlerën dhe masën e poezis së tij, këtu deshtëm me ba vetëm nji parathanje kritike.

*Shkëputur nga libri i Arshi Pipës: “Kritika- Ese 1940-1944”

Përgatiti: ObserverKult

—————————

LEXO EDHE:

SI DHE PSE U ARRATIS ARSHI PIPA NGA SHQIPËRIA KOMUNISTE NË VITIN 1957?