Arsim Canolli: In Memoriam për Edi Shukriun

edi shukriu

Arsim Canolli për Edi Shukriun:

Sonte zemrat tona kujtojnë
“Ikni,
Sonte zemra ime feston …
Zhdukuni nga oda ime
Se sonte shpirti do të ma dejë arsyen
[…]
Dua të loz,
e lirë
e dëlirë,
të loz në afshin e zemrës
Ju fal qaforen e dhuruar nga ju,
Merreni dhe vallen e rrejshme
Dhe ikni se sonte kam festë…
Vasha juaj ngritet mbi hijet e kullave
Me shikimin që udhëton, të duket, në asgjë”

Kështu nisë poezia e parë e Edi Shukriut, asokohe 22 vjeçare, vashë nga Prizreni i kalasë, i Shën Premtes, Hasit të Bogdanit, Drinit plak, Lidhjes e shadërvanit freskues, poezia e bijës së Muhamed Shukriut dhe Margarita Mjedës.

Kjo është poezia e parë nga vepra me të njëjtin titull, “Sonte zemra ime feston”, e botuar më 1972, një vinjetë poetike ku shpërfaqet revolta dhe entuziazmi i një zonje të re shqiptare që synon të vazhdojë rrugën e saj, si e lirë dhe e pavarur, kundruall ambientit përreth.

Me këtë pasion, që del edhe nga poezitë e saj të para, Edi Shukriu merr botën në sy drejt të mistershmes, drejt të palëpalshmes së shpirtërores së njeriut të tokës së saj.

Në udhëtimin e saj, gjen labirinthe, perëndi, mite e legjenda, gjytete e gradina, zjarrniqe e murana; atje gjen amfora e mbishkrime, art në shëmb e art në mozaiqe; rrugës gjen edhe shkrime të vjetra, dialogje të hershme mbi vendin e saj, vendin e dardhëve, Dardaninë antike.

Pikërisht këtë tokë, në një anë i studioi si studiuese, në mënyrë shkencore, e në anën tjetër, e poetizoi për shpirtin e saj dhe për kënaqësinë tonë si lexues, për të na inspiruar përherë.

Poezia dhe arkeologjia

Poezia dhe arkeologjia kanë diçka të përbashkët: ato gjakojnë të mistershmen. Poezia krijon metaforë për të mistershmen, për atë që e ndjejmë, por që vështirë mund ta shpjegojmë.
Arkeologjia synon njohjen e të mistershmes e të kahmotshmes të trashëguar nga stërgjyshërit tanë, prej hominidëve të parë e deri të ne.

Por, të dyja, poezia dhe arkeologjia, rrëfejnë për gjërat që ruajmë brenda: poezia për ato që ruajmë në gji të shpirtit, arkeologjia për ato që ruajmë në gji të tokës.

Te poezia e Edit, vërehet gjithandej një poetikë e frymëzuar nga arkeologjia, apo një arkeopoetikë, nëse duam të krijojmë figurë-model të kësaj poetike.

Ja një poezi, ku vërehet arkeopoetika e veçantë e poetes-arkeologe.

Erdhi i pari

La themelet e bazilikave
Vuri pingul në zemër
Mbishkrime varri –
Shkronja të tjera,
Fryma jonë
Erdhi i dyti,

Ngriti kisha mbi themele
I huajti duart tona
Ngriti lavdi për vete
Erdhi i treti
Prishi kambanaret
Dhe përsëri therri qiellin
Mbi livadhet e gjelbërta

Tumat
[Poezia “Tumat”, nga përmbledhja e vitit 1979 “Gjakimi”]

Edhe te përmbledhja “Syri i natës” (1986) dhe te përmbledhja poetike “Nënqielli”(1990), ku figurativizohet Prizreni dhe areali kulturor përreth tij, Hasi dhe Sharri, me metafora, sinekdota, alegori e plot figura e shenja, simbole e mite, vërehet arkeopoetika e saj, ku përmes poezisë shprehet imagjinata arkeologjike.

Gjakimi i poetes dhe arkeologes drejt njohjes së civilizimit të lashtë të tokës së saj do të vazhdojë.

Edi Shukriu mbaron studimet shkollore deri në doktoratë në Prishtinë e Beograd. Pas studimeve, ajo kthehet dhe punon në Muze të Kosovës, pastaj në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku fillon të ligjërojë historinë antike e arkeologjinë, prej vitit 1979 deri më 2020 .

Ajo bëhet sinonim i gruas arkeologe, jo lehtë në kohën e saj – ajo bëhet edhe simbol i studimeve arkeologjike mbi Dardaninë, apo Kosovën antike, siç e quajti në një ndër librat e saj, me fokus te hyjnesha dardane, kultet, monumentet epigrafike, e me radhë.

Edi hyri në labirintin e saj arkeologjik, gjeti e studioi labirinte të kësaj toke, hapi rrugën për studentë të saj, bashkëpunoi me kolegë nga universitete e të ndryshme ndërkombëtare, kumtoi për arkeologjinë kosovare në konferenca e simpoziume, u përkthye në gjuhë të huaja e dha mësim në Fakultetin Filozofik për 41 vite me radhë, edhe në kohë të vështira për të dhe Kosovën, pandërprerë e me plot vullnet deri më sot.

Studentët e saj u dashuruan me gërmimet e studimet arkeologjike dhe disa prej tyre vazhduan në universitete botërore, disa u kthyen dhe vazhdojnë gërmimet e kërkimet, por askush prej tyre nuk e harron emrin e Edi Shukriut, arkeologes të Kosovës, që grishi studentët në botën e çudirave të lashtësisë, duke i drejtuar që ta gjakojnë atë.

Veprat e saj arkeologjike, puna e saj me studentë, ligjërata dhe projektet e realizuara, shkollat verore dhe konferencat, do të mbeten përherë në kujtesën institucionale e personale të studentëve e miqve të saj.

Puna e saj në hapjen e degës së arkeologjisë, në Departamentin e Antropologjisë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, është themeltare dhe do të vlerësohet përherë.

Në veprën e punën e përgjithshme të profesoreshës, përthyhen shumë dimensione.
Ndër to edhe politika. Por, politika, jo si gjendje imanente e vokacionit ditor, por si vullnet në një kohë esenciale për të refuzuar dhunën e Serbisë dhe si dëshirë e nevojë imediate për të ndërtuar institucionet kulturore të shtetin të Kosovës, pas luftës.

Emri i profesoreshës Edi Shukriu do të jetë gjithmonë i lidhur edhe me jetën publike, shërbimin publik ndaj shtetit të Kosovës.

Gjatë viteve ’90 ajo qe pjesë e qendrestarëve paqësorë të Kosovës, iu bashkua lidhjes që kishin krijuar shkrimtarët, poetët, historianët, arkeologët, sociologët, etnologët, mjekët, gazetarët e të gjithë të tjerët, në krye me studiuesin e letërsisë Ibrahim Rugova, më vonë presidenti historik i Republikës së Kosovës.

Pas luftës, ajo udhëhoqi me Departamentin e Kulturës, që sot është Ministria e Kulturës, me Këshilllin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe themeloi e drejtoi institucione të tjera të trashëgimisë kulturore.


Një pusullë nga kujtesa personale


Profesoreshën Edi Shukriu e kam njohur nga librat dhe nga kolegjialiteti në Departament. Por, profesoreshën e kam njohur edhe më herët, që nga fëmijëri, nga një rast kur isha nxënës i fillores, kur në një organizim të shkollave fillore të Kosovës më 1991, pata marrë pjesë në një turne njëmujor në Austri, së bashku me 100 nxënës të tjerë nga gjithë Kosova.

Nën drejtim e profesoreshës, patëm përgatitur drama, recitale e aktivitete të tjera artistikë e kulturore, për t’ia paraqitur austriakëve e të tjerëve gjendjen e Kosovës së atëhershme, për një muaj rresht në Vienë, Grac, e qytete të tjera.

Ende më kujtohet refreni kryesor i këngës, që ishte një himn për Republikën e Kosovës, që Edi na pati mësuar:

Ti Kosovë moj bijë dardane
Je e mbesa e Ilirisë
Së në këto troje je sovrane
Je tribunë e demokracisë…

Prej atëherë, fjala Dardani, më është pleksur dhe tani e përdor goxha shpesh. Madje kolegët, në humor, ma kujtojnë shpesh këtë obsesion tim me fjalën Dardani. Fajin e mirë për këtë e ka pasur edhe profesoresha Edi Shukriu!

Edi Shukriu ka lënë një trashëgimi të begatë ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, trashëgimi të cilën e ka krijuar me punë dhe e ka lënë me nder, në duart e nderin e studentëve e kolegëve të saj.

Por, puna e vepra e saj do të jenë corpus callosum në arkeologjinë e Kosovës. Puna e saj na nderon të gjithëve, na inspiron e na jep guxim për me vazhdue gjakimin drejt zemrës së tokë sonë!


Sot, Edi Shukriu kaloi në amshim. Sonte shpirti i saj pushon, por zemra e saj është e mishëruar në veprën e saj, në trashëgiminë e saj të denjë në kulturën e Kosovës. Sot jemi të pikëlluar të gjithë, kolegët e studentët e saj.

Por, sonte e prore, zemrat tona do kujtojnë Edi Shukriun e do ta festojnë veprën e saj.

Pushoftë e qetë në Kosovën e saj të dashur, Dardaninë antike!

ObserverKult

———————————————————————

Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA ARKEOLOGIA E NJOHUR, EDI SHUKRIU

Ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare akademikja kosovare, Edi Shukriu.

Lajmin e ka bërë ditë Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) përmes një njoftimin në faqen e tyre.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult