Artan Fuga: Leksioni që Ismail Kadare u dha urrejtësve të tij

Profesori Artan Fuga në një reagim në Facebook, ka shkruar për të ndjerin Ismail Kadare.

Fuga shkruan se ajo që klasa politike dhe elitat nuk kuptuan dot për të, është pse 30 vjet rresht, Ismail Kadare heshti dhe nuk denjoi të bënte dikë personazh madhor të veprës së tij.

Postimi i Artan Fugës

Misteret e historisë shqiptare!

Ajo që klasa politike dhe elitat nuk kuptuan dot, që nuk e menduan dot, që nuk patën fuqi ta shpjegojnë, ta flasin, ta thonë, është:

Pse 30 vjet rresht, deri sa iku nga kjo botë e degraduar, Ismail Kadare, ky shkrimtari dhe mendimtar i nivelit nga më të lartët që ka nxjerrë historia shqiptare, heshti, nuk foli, nuk dha jo më një vepër madhore për epokën tonë, por as denjoi të bënte dikë personazh madhor të veprës së tij, apo të shprehej thellë, gjerë për këtë periudhë të rëndë që shoqëria shqiptare kalon në Shqipëri dhe Ballkan.

Heshti! Kuptohet se përse nuk ja hodhi gurin, por u vetëpërmbajt, por shpjegoni se përse mjeshteri i fjalës nuk pranoi ta konsideronte pozitivisht.

Lëreni disidencën e tij në epokën totalitare! Ai bëri më shumë se çdo shqiptar! Por, gjykoni pak heshtjen e tij tridhjetvjeçare, çfarë disidencë në kohë lirie!

Çfarë përbuzje madhore! Çfarë domethënieje madhore heshtja e tij, deri sa arriti në refuzim për të folur edhe në mikromjedis.

Bravo mjeshtër! Nuk e meritonim!

Si një gjirokastrit i madh, mospëlqimin e shpreh me heshtje, neglizhim, me heqje nga fushëpamja e tij atë që neverit. Nuk të sheh më!

Je mosgjë për të! Mos kujtoni se ishte i sëmurë!

Fotot dhe videot ku ai hesht, hesht, hesht janë madhështore! Ç’nuk bënë t’i shkëpusnin një lëvdatë. Nuk i blenë dot veçse heshtjen e tij! Heshtje që në kodin tonë gjirokastrit është përbuzje! Nuk po flas për shpjegimin psikanalitik të kësaj heshtjeje, meqë Frojdi në metodologjinë e albanologjisë kuptohet po aq sa mund të kuptojne ca pijanecë një alien.

Këtu qëndroni! Mos merremi me varreza e punë varrëmihësish!

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: A I ËSHTË DASHUR LETËRSIA NJERËZIMIT?