Artan Fuga: Motori Vespa, skaneri im…

artan fuga turizmi

Nga Artan Fuga

Më kujtohet se dikur ndërkohë që nuk kishte shumë vetura në qarkullim, motoçikleta ime Vespa, ishte shumë funksionale.
Mësova edhe të kuptoj njerëzit. Si? – do thoni ju.
I thosha hip pas meje në motorr.
Hipte robi!
Vespa i bënte radiografinë! Skaner direkt.
Nëse timoni niste dridhej, kuptohej se ai që kishte hipur pas, ishte pak frikacak, i pëlqente të jetonte edhe ca kohë, ose ishte ambicioz, i dukej vetja i rëndësishëm.
Sa më shumë dridhej timoni, pra nga dridhjet e atij pas, aq më shumë këto tipare përforcoheshin! Kishte tipa që rezultonin fare delirantë, egoistë, etj.
Nëse timoni nuk dridhej fare, tipi pas ishte garip, njeri i thjeshtë, kishte ardhur me besim të hipte aty, e kishte mbledh mendjen, ose kur nuk lëvizte fare. Ishte një njeri i thjeshtë për ta bërë kryeministër, aq shumë vlera kishte.
Sa nga këta që sot janë politikanë, biznesmenë të njohur, figura publike kanë hip te Vespa ime! Aty është skaneri!
Ndërkaq Vespa dallonte edhe kriminelët, keqbërësit, etj. Këta rrinin qetë deri në një farë vendi, pastaj sapo një rrezik i vogël dilte, ta zemë një kthesë, tundeshin aq shumë dhe me agresivitet, saqë mund të mendohej që do të të jepnin një të shtyrë dhe do të hidheshin nga motorri.
Kështu mësova që ta përdorja motorrin edhe për të njohur njerëzit dhe marrëdhëniet e tyre me mua.
Kur për ndonjë tip kisha ndonjë dyshim, gjeja rastin dhe i thosha: Do të vish të çoj deri në shtëpi?
Kishte nga miqtë e mi që e dinin këtë aftësi të Vespës për skanerizim psikologjik dhe më thoshin: A të hipi pak të më nxjerrësh çfarë tipi dal se nuk po e njoh më veten!

ObserverKult

Lexo edhe:

ARTAN FUGA: SHITËSI QË MË DHA NJË BAKSHISH TË MAJMË