Nga: Artan Fuga
Vajta përsëri sot atje anash rrugës të Ndroqit për të blerë fruta dhe zarzavate. Rrugës e kisha. Bëj edhe një çikë muhabet.
Bleva zerdeli, shalqi, patjetër, domate zemër kau, dhe qershi.
– Dhjetëmijë e pesëqind – tha zotëria te tenda. Ai pra që kishte mbajt çunin për të mos ikë në Itali.
Nxorra njëmbëdhjetmijë dhe ja thashë!
-Jo, jo- më tha, – dhjetëmijë do të më japësh, dhe ma ktheu njëmijë lekshen metalike.
Ja ktheva dorën. Ai shty unë shty! Jo mor burrë – i thashë – aq sa të bëjnë.
– Pije një kafe ! – më tha.
Shty unë, shty ai paranë metalike. Unë fjalëve nuk u besoj kurrë. Devijim profesional imi. Fjala është bërë për të rrejt. Por, histori tjetër kjo! E them njëherë tjetër.
Por gjuhën e trupit e kuptoj menjëherë. Kur ai shtynte monedhën metalike, dora e tij nuk kishte dridhje. E kuptova që e kishte me sinqeritet.
Hera e parë në jetën time që kam pranuar bakshish. Shitësi i kishte dhënë bakshish klientit.
Pse e pranova? Për t’i bërë qejfin atij mo! Ai që jep bakshish tregon superioritet ndaj atij që merr bakshish. Desha ta gëzoja egon e atij njeriu të mirë.
Pastaj do t’i jem dukur si gjynafqar! Mua kjo më bëri qejfin! Ai mendonte se kisha nevojë për t’u trajtuar pak financiarisht! Ndofta vetura ime e shekullit të kaluar i ka ndjellur mëshirë në zemër. Banorët e asaj zone janë shumë të ndjeshëm ndaj varfërisë të tjetrit!
Mora ç’kisha për të marrë dhe hipa në veturë. Me atë njëmijëlekshin do të qethem sot! Do shtoj ndonjë gjë edhe vetë dhe bëhet tamam për t’i lënë bakshish berberit!
Uaaaaa, bota përmbys – mendoja rrugës kur vozisja. Nuk e kisha mendjen te timoni fare. Makina ecte vetë për në shtëpi si gomari i një kushuririt të gjyshit tim që e gjente vetë rrugën e shtëpisë të të zotit. Këtë e zinte gjumi mbi gomar!
Shitësi i jep bakshish blerësit. Imagjinoni shkojmë në një zyrë shteti dhe nëpunësi pasi na shërben nuk na merr bakshish, por edhe na jep ndonjë pesëmijëlekshe për bakshish: Na merri profesor qethu sot! Ose blej brisqe për t’u rruar!
Mirëpo aty te Plepat mendja m’u kthjellua! Ai tregtari rural poshtë xhadesë kishte në fakt të drejtë sipas filozofisë të parasë. Kur unë blej diçka dhe tjetri më jep një mall, veç barazisë të dy vlerave ka edhe një komunikim tjetër që ndodh.
Unë i blej mallin dhe e humbas lirinë time që atë mall ta këmbej me gjë tjetër. Nuk mund të shkoj te berberi dhe t’i them sa kushton një e qethme? Një shalqi a kushton? Berberi ma fut me hanxhar pas qafe po të bëj këtë pyetje.
Kurse ai që merr lekët ai fiton liri sepse me ato lekë mund të qethet, mund të blejë çdo gjë që i do zemra! Ai fiton liri unë humbas. Dhe prandaj zotëria anash xhadesë si filozofi gjerman Zimmel, në shekullin e kaluar, mendonte se ai duhej ta kompensonte me diçka faktin që ai mori liri kurse unë e humba lirinë në atë transaksion financiar aty në diell, anash arës me perime.
Të shohim kur të kaloj nesër çfarë do të më ndodhi në po atë vend. Ai zotëria më dhuroi dhe një mësim filozofie mbi logjikën e shkëmbimeve tregtare që unë e dija, por e kisha harruar.
ObserverKult
Lexo edhe:
ARTAN FUGA: SI NISET NJË KARRIERË E SUKSESSHME NË NJË SHOQËRI TË DREJTË!