Artan Fuga: Veç të tjerash, je edhe budalla o i shkretë!

artan fuga turizmi

Nga Artan Fuga

Veç të tjerash, je edhe budalla o i shkretë!
Vajta në atë katedrale – manastir diku në një luginë të thellë të Evropës, mos e them emrin, për të punuar për romanin tim MURGU, botuar nga Papirus.

Në fund vizitova edhe bibliotekën ku gjeta një vëllim shumë voluminoz të mësimeve të Shën Johan Christosomos (Gojëarti – mbiquajtur). E bleva dhe pak nga pak më përpiu duke më mësuar pavdekshmërisht etikën e ekonomisë, të politikës, të ligjit, të së drejtës, të dashurisë, bukurisë, etj.

Dhe që atëhere them se të kishte të drejtë Platoni që nënkuptonte se egoistët, kurnacët, të çmendurit pas parasë janë edhe budallenj!
Po po budallenj! I keqi është edhe budalla!

Nuk dinë se çfarë i pret!

Sepse dje kur thashë më mirë të pasurohen njerëzit dhe andej të pasurohet individi, dhe jo të pasurohet egoistikisht individi. Ose një grup i veçantë shoqëror duke menduar veç për vete, kujtuan nja dy a tre vetë, se bëja propagandë unë!
Mirë o mirë! Andej jam kthyer!

Kristosomi çdo të dielë predikonte qysh në shekullin e katërt pas Krishtit në katedralen e Selanikut të atëhershëm. Fjalët e tij studjoj me kujdes!
Pasuroju o njeri, por kujdes se një ditë turma varfanjakësh do të të sulmojnë shtëpinë e do ta bastisin! Se nuk duron populli të jetë i varfër duke u pasuruar individi! Qytetërimet egoiste na ka lënë veç një grumbull gërmadhash të shkaktuara nga sherret e brendshme!

Ja u pasurove, por do të jetosh i rrethuar në një qytet me të varfër, me epidemira, vrasje, pasiguri. Do të detyrohesh, thoshte ai Gojëmjalti, të mbyllesh në një qytezë brenda qytetit, i rrethuar me mure të lartë, me roje, nga frika dhe nuk do të kesh veçse privime!

Dhe me të varfërit rreth e qartë do të jetosh në një qytet ku varfëria do të prodhojë padije. Njerëzit e rropatur sigurisht nuk do të kërkojnë ta mbajnë pastër qytetin.

Do jetosh në një mjedis të shëmtuar me plehra, me rrugë të prishura, me fasada të laparosura, pa hijeshi, pa jeshillik, me pluhur. Pislliku i ajrit do të vijë deri te ty, atje te shtëpia e rrethuar me gardhe dhe me mure.
Duke braktisur gjithçka veç valixhes tënde me parà, pa menduar për shoqërinë, çfarë uji do të pish o i mjerë, se tubacionet do të jenë për ibret, as ajrin, as ujin, as mjedisin, nuk do ta blesh dot- me paratë e tua!

Ti vetë, dhe fëmijët dhe nipat e mbesat e tua, thoshte Gojearti në meshën e së djelës së mëngjesit selanikasve të tentuar nga pasuria, do të jetosh në një mjedis frike, urrejtje nga shoqëria. Do të duhet që paratë e tua t’i investosh për t’u mbrojtur, për roja private, për vete dhe për brez pas brezi. Paraja do të shkojë për të mbrojtur paranë. Pra do bëhesh viktima e thesit tënd me parà!

Dhe në fund i mësuar me pasuri, vjen dita që sëmundja, pleqëria, dobësimi do të të mësojnë se paraja nuk të mbron nga zhdukja, dhe do të nisësh të vuash se si do ta lesh këtë parajsë tokësore!

Kujtove se shtëpia që ke bërë si kështjellë e lartë me shumë kate është jotja? Hahahahaha! Ke thënë: Ja kështjella ime? Hahahahaha! Nuk e ke pasur veçse me qira. Një ditë do të nxjerrin të shtrirë në një arkë druri që andej! Në rastin më të mirë hë!

Miq nuk do të kesh sepse të gjithë do të duan paratë e tua, por jo ty. As dashuri, as grua, as fëmijë që një ditë mbi egoizmin tënd do të nxjerrin shpatat për të ndarë pasurinë tënde! Atëhere do të shohësh e çdo shohësh! Gjoja ke vendosur pasuri për të mirën e fëmijëve, për familjen, shumë shpejt do shohësh se familjen e ke bërë copë copë.

Pa miq, i urryer nga shoqëria, i kërcënuar çdo natë nga brigandët dhe armiqtë, do humbësh qetësinë, do çmendesh – thoshte Kristosomosi duke i habitur selanikasit e shkretë që para tij kishin dëgjuar edhe Shën Palin që rrugës për në Romë kishte bërë qendrimin e vet!
Prandaj mos harroni këto ligje të shenjta. Këtë etikë të pavdekshme të politikës, ekonomisë, sociologjisë. Se ca kujtojnë se etika është fol kot, ajo ka ligjet e veta të hekurta. I shkelë prit rrufetë!
Prandaj unë dua të kem mirëqënie, por jo në mënyrë egoiste, siç kërkojnë disa. Por duke u përpjekur për të mirën e përgjithshme!

Jo për bukën tënde të gojës, por për mirëqënien e përgjithshme.

Kristosomi çdo të dielë të dymijëvjetëve më parë më mësonte : Ji idealist, jo egoist! Mos kërkon çapën e bukës për vete, vetëm! Ndryshe je i mbaruar!

Je edhe budalla!

ObserverKult

Lexo edhe:

ARTAN FUGA: TIRANA E SHKATËRRON JETË E MOT SHQIPËRINË