…se gjithsesi duhet të ketë një mënyrë
që unë dhe ti të mbysim botën
në një puthje, mbase edhe në dy,
po kur gjinjtë e tu kokëfortë
të humbasin krenarinë në gishtërinjtë e mi
si do t’ia bëjmë pastaj?
gjethet cila dorë do t’i shfletojë?
kush do t’i shkruajë vargjet?
se shkëmbi është shkëputur nga mali
rrokullisur përplasur thërmuar
një gur i vogël ka mbetur në fund
me mungesën e lartësisë i mësuar
tespije për kujtimet e ndokujt…
por ti mos mendo keq për mua
pse monopatet m’i ka mbuluar pluhuri
kam fituar betejat e të tjerëve
kam humbur luftërat e mia
në tempullin e Kohës i kam dorëzuar armët
dhe vendi i gabuar është bërë i duhuri…
unë nuk besoj më te zjarri dhe flaka,
veç te puhiza që le pas jehona
bota çdo ditë mbytet në miliona puthje
e një nga ato
padashje
mund të jetë e jona
kur gishtërinjtë e tu të hollë e të gjatë
mes qiejve të ujërave të arrijnë këtu larg
dhe të shuajnë zjarret e harruar ndezur
në tastierën e gjoksit tim
ku gjithnjë mungon një brinjë
që netëve nuk arrin të bëhet grua…
ObserverKult
Lexo edhe:
ARTAN GJ. HASANI: KUR TI NDJEHESHE MARIANNE DHE MË QUAJE LEONARD
Poezi nga Artan Gj. Hasani
1
kujtime të paharruar, harruar pa u ndërruar
si fletët e kalendarëve në hotele të dorës së dytë
ku serviren kokteile turbullues poetësh
në ditë të mbushura me të qeshura të bujshme
dhe netë tropikale me lotë të nxehtë
kur ti ndjeheshe Marianne dhe më quaje Leonard
pak kohë para se të bëhesha Neruda yt…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult