Artan Gjyzel Hasani: Ty do të të plasë e qeshura në funeralin tim…

E QESHURA

ty do të të plasë e qeshura
në funeralin tim

dhe po atë natë mbi krevatin tuaj bashkëshortor
në seks do kërkosh të harrohesh
të ngushëllohesh që akoma jeton
në këtë botë të huaj
ku njeriu më i vjetër
prej shekujsh vdes çdo muaj…

do të të hipë përsëri e qeshura
dhe s’do ta bëni dot…
dhe kjo do ndodhë edhe të nesërmen…
të pasnesërmen…

do të qeshësh në rrugë…
do të qeshësh duke larë dhëmbët…
do të qeshësh duke ngarë makinën…
do të qeshësh duke urinuar…
do qeshësh duke më kujtuar…
do qeshësh fort…
do qeshësh kot…

do të qeshësh derisa një ditë
mbi krevatin tuaj bashkëshortor
pas seksit serioz e shembullor
një çast edhe ti do e kesh
kur befas do të trishtohesh
që në funeralin tënd
askush s’do të qeshë…
askush në këtë botë…
dhe e mërzitshme për vdekje
do të të bëhet jeta
si një varrim i rëndomtë
ku të gjithë derdhin lotë

ObserverKult

————-

Lexo edhe:

ARTAN GJYZEL HASANI: DASHURI PA MBIEMËR