Artefakti 4 mijë e 400 vjet i vjetër pret të rikthehet në Irak

Pllaka sumere, e vjetër 4 mijë e 400 vjet, paraqet një prift të lartë ose sundimtar. Ishte ofruar për shitje në Britani të Madhe, për të rënë më pas në duart e policisë metropolitane

Një skulpturë e moçme do të rikthehet në Irak pasi ishte grabitur nga vendi dhe ishte ofruar për shitje në Britani të Madhe – për të rënë më pas në duart e policisë metropolitane. Pllaka sumere e tempullit që nuk njihej më parë, dhe daton rreth 2400 vjet para Krishtit, do të rikthehet me ndihmën e Muzeut Britanik, i cili e njoftoi policinë pasi kishte vënë re shitjen e planifikuar më 2019, shkruan “The Guardian”. 

“Ne jemi mësuar të ndeshim pllaka, vazo, punime metalike dhe figurina në tregun e artit e që janë të trafikuara. Por është vërtet e rrallë të shohësh diçka të këso cilësie”, ka thënë John Simpson, kurator në British Museum. E papublikuar apo listuar në ndonjë inventar muzeu, mendohet se pllaka është vjedhur në zemrën e Sumerisë, sot Iraku Jugor.

Simpson ka thënë: “Janë vetëm 50 shembuj të këtyre që njihen nga Mesopotamia e vjetër. Kështu që kjo e vendos menjëherë atë në shkallën e gjetjeve të rralla. Ne mund të jemi krejt të sigurt se ky objekt vjen nga zemra e Sumerisë. Kjo është hapësira e cila u plaçkit keq mes viteve ‘90 deri më 2003”, transmeton ‘koha.net’.

Pllaka ishte ofruar për shitje në maj të vitit të kaluar nga “TimeLine Auctions”, një kompani online e ankandeve, e cila e përshkroi atë si një “pllakë akadiane nga Azia Perëndimore” që kishte ardhur nga një koleksion privat në vitet ‘90.