Arti filmik është më i bukur kur ka simbolikë

Intervistoi Ag Apolloni

Për arsye triviale, do të doja ta nisnim këtë intervistë me një thënie të një regjisori të madh italian. Meqenëse, thuajse gjithmonë ju kam takuar në lokalin që mban emrin Fellini, po e vazhdojmë traditën, duke mos u larguar prej tij. Fellini ka thënë: “Unë gjithmonë e bëj të njëjtin film. S’mund ta ndaj njërin nga tjetri.” Edhe mes filmave tuaj shoh një lidhje të fortë që vjen si rezultat i simbolikës vizuale. A e keni pranuar si aksiomatike thënien e regjisorit italian?

ISA QOSJA: Ah, Fellini! “I mirë, i mençur, gjenial. Edhe filmat i ka ashtu siç është vetë”. Kështu thoshte Andrei Tarkovsky për të. Po. Fellini ka jetuar me personazhe të filmave të vet,  është ushqyer si ata, ka vepruar si ata. Jeta e tij projektohet në filmat e tij. Ai ka xhiruar pa ndërprerë dhe prandaj i dukej se ishte duke i vazhduar ngjarjet e një filmi në tjetrin. Pra, sikur është duke e bërë të njëjtin film. Kështu, edhe pse ka shumë vite, muaj e ditë në kohën e tij reale, ai kohën filmike e shndërron në një ditë dhe në një natë që ndërrohen mes tyre, a thua se janë shumë net e shumë ditë e në të vërtetë është vetëm një ditë dhe një natë. Dhe duhet t’i besojmë Fellini-t. Nuk mund të mos i besohet çdo thënieje të tij, sepse me magjinë e filmit e shndriti vendin e vet, kinemanë italiane, evropiane dhe artin kinematografik në përgjithësi. Ndërsa, një arsye pse filmat e mi ngjajnë sikur janë një rrëfim i gjatë, apo një film i gjatë, është më tepër rezultat i asaj që thoni ju: simbolika vizuale. Të gjithë filmat i kam xhiruar pothuajse në të njëjtin ambient, me kompozicion të ngjashëm të pamjeve dhe në bazë të kësaj na duket që koha ndalon në kodrinat kosovare. Por nëse koha ndalon për ambientin, karakteret ndryshojnë dhe marrin me vete fatin e vet nëpër kohë të ndryshme. Më duket se nuk mund t’i ik idesë se fatin e njeriut e përcakton vendi, natyra. Dhe natyrisht që unë e dua natyrën edhe për faktin e kontrapunktit në film: për të ardhur në shprehje marrëdhënia mes bukurisë dhe neverisë. Më duket që ne mbajmë qëndrim të caktuar në vend të caktuar, apo se fati ynë lidhet me një ambient të caktuar. Shpesh kemi dëgjuar të thuhet: ky vend e ka ujin e egër. Eh, unë pra mendoj që ne vetë nuk kemi mundur e as nuk mund të jemi farkëtues të fatit tonë. Nëpër vite ishte dikush që e caktonte fatin tonë dhe këtë e trajtoj në të gjithë filmat. Unë mendoj që të katër filmat e mi janë një omnibus me titullin “Na ishte njëherë në Kosovë”. Koncepti “njeriu dhe natyra”, që tek unë është kthyer në obsesion, është në të njëjtën kohë edhe “huazimi”, apo përvjedhja e vetes sime në filmat e mi.

Pra, ka të drejtë Hitchcock-u kur thotë se vjedhja nga vetvetja quhet stil?  

ISA QOSJA: Po. Hichcock-u ka jetuar edhe privatisht, edhe artistikisht duke i befasuar të tjerët dhe veten. Ai nuk mund të jetonte pa këtë ritëm. Kur thoshte p.sh. që “Psycho” është komedi, atëherë të gjithë shtangeshin dhe ai shpjegonte që ky është humori i tij, humor që i ndihmon që filmi të mos jetë i neveritshëm. Por jo vetëm Hitchcock-u, edhe shumë të tjerë i kanë “huazuar” shumë veti të vetat në veprat e tyre. Zaten kështu funksionon arti, posaçërisht filmi.

Në një libër autobiografik të regjisorit Sidney Lumet kam lexuar një mendim shumë inkurajues për regjisorët e rinj. Aty ai thotë: “bëjeni filmin e parë, çfarëdo qoftë ai! Të gjithë do t’ju mirëkuptojnë, se është i pari.” Filmi juaj i parë, “Proka”, nuk pati nevojë për mirëkuptim ngushëllues, pasi rezultoi i suksesshëm jo vetëm në Kosovë, por edhe në festivale ndërkombëtare, siç ishte Festivali i Kanës, ku në kategorinë e të rinjve fitoi disa çmime. Si erdhi “Proka” te ju dhe sa e vështirë ka qenë ta sillni atë në ekran?  

ISA QOSJA: Sapo e kisha përfunduar Akademinë e Filmit dhe kisha tre vjet që punoja në një emision të gjatë dokumentaro-artistik në RTP (Radio Televizionin e Prishtinës). Nga Kosovafilmi më bënë ftesë për të qenë pjesë e këtij institucioni, konkretisht përgjegjës i prodhimit, por me prioritet të regjisurës. Unë u inkuadrova në këtë institucion dhe aty i gjeta të depozituara ca sinopsise, tretmanë, skenarë. Një prej tyre ishte edhe “Proka”, që ngjante më shumë me tretman sesa me skenar. Tema ishte ajo që mua përherë edhe si student me ka interesuar: pra një lloj ballafaqimi i individit me mjedisin. Individi që dallon nga të tjerët. Pasi ky tretman i bazuar në novelën e Filip Papajanit, u shndërrua në skenar, atëherë ishte kërkesa ime që filmi të pasurohej në përmbajtje përmes vendit të xhirimit dhe dimensionit ideo-estetik. Kështu bëra dhe doli një tregim ikonografik në kuptimin vizual. Ky tregim e gjeti admiruesin e vet në skenën ndërkombëtare dhe nuk mbeti pa u vërejtur ideja, qëllimi dhe estetika, edhe pse ishte filmi im i parë. Pra, nuk është për t’u çuditur që filmi im i parë nuk pati nevojë për mirëkuptim ngushëllues, siç thotë Lumet. Kemi raste të shumta kur filmi i parë i regjisorit ka qenë edhe më i miri. Mendoj se te filmi i parë investohet më shumë përkushtim dhe sinqeritet.

Çka ju tërhoqi te “Proka”?

ISA QOSJA: “Proka” është një rrëfim baladik për njeriun e vogël që ia mësyn kësaj bote, pa e ditur se është plotësisht vetëm. Vetëdijesohet sapo nis stuhia e persekutimeve. Persekutuesit e tij janë bjerrakohës, ndryshe nga ai që dëshiron ta farkëtojë fatin e vet me mund të vetin. Kështu, vijmë te dy konflikte: social dhe shpirtëror. Konflikti shpirtëror i Prokës është një zanore e humbur. Kjo fabul më ka inspiruar për këtë arsye dhe për faktin e instalimit të fuqisë së natyrës në anën e njeriut të vogël. Pra, në anën e Prokës hallemadh e të pashpresë. Kjo e ka motivuar edhe këngën që gjendet në film: nuk kam dert nga Perëndia/ ku më shpie, ku më qet/ këtë botë kur e nisa/ nuk e dita që jam vetë.

Të kthehemi pak para “Prokës”. Si dhe kur vendosët ta studionit regjinë? Ishte profesioni i aktorit që ju drejtoi kah regjia, apo kishte ndonjë film a regjisor në veçanti që e pëlqenit dhe që dëshironit t’i ngjasonit?

ISA QOSJA: Do të thosha që përcaktuese për aktrim dhe për regji ka qenë vendlindja ime e bukur, magjike. Bukuria gjithmonë kërkon që të arkivohet diku: në kokë, në zemër, në ndjenja, apo diku ku e sheh sa herë të duash. Pra, unë doja që pamjet e vendlindjes t’i ndaja me dikë. Dhe natyrisht ishte filmi ai që e kishte këtë mundësi. Në fillim s’e dija mënyrën, por pas gjimnazit e kisha plotësisht të qartë. Kështu që, fillimisht e kreva aktrimin këtu në Prishtinë, ku edhe qëndrova për dhjetë vjet duke luajtur role të ndryshme. Për disa nga këto role u vlerësova edhe me çmime. Pas dhjetë vitesh m’u shpenzua kureshtja për paraqitjen në skenë. Ndërkohë shihja filma dhe e shihja hapësirën time, ambientin tim, veten time në përmbajtje të ndryshme. Shihja edhe situata që nuk më pëlqenin, që kishin gabime. Dua t’i shoh ëndrrat e mia në ekran thashë dhe e regjistrova Regjinë e Filmit në Beograd. Më tutje gjërat sa vinin e qartësoheshin në kuptimin e motivimit dhe ambicies për ta parë “veten” në ekranin magjik.

Te “Proka” vërehet një gërshetim i dy llojeve të filmave: western dhe neorealist. Çfarë ju pëlqente më shumë te këto lloje të filmave dhe si erdhët te ky kombinim?

ISA QOSJA: Gjithmonë kam pasur përshtypjen se ne shqiptarët jetën e kemi ritual. Posaçërisht pjesa rurale e vendit tonë, atje ku unë xhiroj kryesisht. Duke menduar që ky ritual i të jetuarit tonë është i lidhur ngushtë me natyrën: tokën, ujin, drurin etj., kam dashur që rituali të jetë i besueshëm, të xhirohet ashtu siç është dhe siç zhvillohet, në eksterier dhe enterier. Kam përshtypjen se rituali vjen si pasojë e dëshirave të njerëzve, e pamundësisë së tyre për të pasur atë që e dëshironin, pra si pasojë e ekzistencës. Njerëzit e kanë krijuar ritualin për të thirrur në ndihmë fatin dhe natyrën. Natyrisht që rituali shpesh i përjashton planet e afërta, sepse korrespondon me natyrën, lëvizjen, gjestin. Neorealizmi e pranon ritualin si shprehje të gjendjes së papërballueshme sociale. Neorealizmi i shqiptarëve është i ngjashëm me neorealizmin e italianëve, edhe pse flitet për vende dhe kohë të ndryshme. Pra, neorealizmi ishte, është dhe mbetet gjithmonë i pranishëm në këtë vend dhe në punën time, ndërsa westerni është zhanri që e adhuroja në rini dhe natyrisht objektivi i westernit është më i përshtatshmi në këto hapësira ku unë frymoj artistikisht. 

Filmi i dytë, “Rojet e mjegullës”, solli të njëjtin aktor në rol kryesor, por tashmë si intelektual. Pavarësisht dallimeve mentale dhe ambientale, dy protagonistët e dy filmave i bashkon fati i keq: përndjekja. Pse ky inkuizicion (nga shoqëria dhe pushteti) është kaq i pranishëm në filmat tuaj të paraluftës?

ISA QOSJA: Përndjekja. Ishte fati ynë nëpër vite, dekada. Por e keqja asnjëherë nuk vjen vetëm dhe vetëm nga një anë. E keqja jonë nganjëherë vjen edhe nga vetë ne dhe në mënyrë permanente nga të tjerët. Nëse ne me vlerat tona dallojmë nga mjedisi ku jetojmë, atëherë përndiqemi nga po i njëjti mjedis, e nëse dallojmë nga ata që bashkëpunojnë me pushtetin, atëherë përndiqemi nga pushtetet, regjimet. Kjo ishte e modifikuar në dy mënyra, në atë të mjedisit patriarkal dhe në atë të pushtetit të rafinuar, apo thënë më qartë, të pushtetit represiv. Do të thosha që nga këto histori nuk kemi mësuar shumë dhe prandaj jemi sot kështu siç jemi.

Jo vetëm te personazhi Trashja dhe jo vetëm te “Rojet e mjegullës”, në krijimtarinë tuaj ka gjithmonë diçka ekzotike për publikun kosovar. Ky element ekzotik mund të jetë edhe referencë nostalgjike për vendlindjen tuaj. Çfarë kujtoni nga vendlindja, përveç atyre që i keni paraqitur në film? Si ka qenë fëmijëria dhe rinia juaj?

ISA QOSJA: Fëmijëria – ekzotike, por e vështirë, rinia – e mundimshme. Gjithë fëmijërinë e kam kaluar në Vuthaj. E vetmja qytezë që kam parë dhe përjetuar në 14 vitet e fëmijërisë sime është Gucia. E atje kam përjetuar dimra të acartë dhe të gjatë, verë të lodhshme me punët e fushës, pranverë kushtuar shkollës dhe shkollimit dhe vjeshtë ekzotike. Plot ngjyra, pemë dhe peshkim. Ardhja në Prishtinë ishte një thyerje e dyfishtë: në moshë dhe në përjetim. Prishtina në fillim më gëlltiste, ishte e paqartë, kërcënuese. Nuk gjendesha mirë, sepse nuk isha shumë social, nuk e njihja hapësirën, por edhe këpucët më shtrëngonin dhe më dukej sikur nuk mund të ecja normalisht. E shihja në ëndërr vendlindjen dhe të nesërmen hipja në një tren që villte tym të dendur të zi. Udhëtoja me të deri në Pejë dhe prej aty vazhdoja në këmbë për dy ditë deri në Vuthaj. Flas për stinën e dimrit kur ishte pushimi i gjysmëvjetorit. Pra, rinia ime në Prishtinë nuk ishte si e moshatarëve të tjerë, meqë e kërkoja diellin e Vuthajve, hënën, ujin, drunjtë, njerëzit. Atëherë isha vuthjan në Prishtinë, tani jam prishtinas në Vuthaj. Eh, kështu është kjo. Vendlindje të bëhet vendi ku punon e jo vendi ku ke lindur.

Pra, mund të thuhet se ardhja nga Vuthaj në Prishtinë ka ndikuar që ambientet rurale t’i paraqisni sipas modelit të vendlindjes, ndërsa ambientet urbane sipas modelit të kryeqytetit, apo qyteteve që i frekuentonit dhe i preferonit.

ISA QOSJA: Dua të them diçka për vendlindjen dhe nostalgjinë. Nostalgjia është gjendje e brendshme, shpirtërore. Është kujtesë dhe mall. Tipike për njeriun që ëndërron vendin e vet dhe mënyrën e jetesës atje ku është farkëtuar. Kur erdha në Prishtinë isha katërmbëdhjetë vjeç, me mentalitet vuthjan. Ismajl Dumoshi, shok i vëllait tim, më mori dhe më çoi në një byrektore. Më porositi byrek dhe jogurt. Në Guci, prej nga vija unë, nuk kishte diçka të tillë atëherë. Kur hanim pite në shtëpi, hanim të gjithë nga një enë. Kush mbërrinte, sa mbërrinte. Këtu, kur e pashë që unë e kisha përpara “piten” time vetëm për mua, u turpërova aq shumë saqë u ngrita dhe u largova me vrap. Pasdite udhëtova për Pejë me trenin e “zi” dhe natën e vazhdova rrugën për në Vuthaj. Ishte ky një moment nostalgjie që as sot nuk di ta shpjegoj dot. Kur i përfundova studimet dhe nisa të bëja filma, ishte plotësisht e natyrshme që vendxhirimet t’i kërkoja sipas modelit të vendlindjes sime, e cila aq shumë më “gërryente” sa isha i ri në Prishtinë. Ajo më inspironte për ta vendosur ngjarjen filmike pikërisht si kontrapunkt në mes të së bukurës dhe të së keqes. Kam përshtypjen se drama bëhet më e rëndë nëse ndodh në ambient të bukur e jo në ambient të zymtë. Kështu mendoj dhe kështu realizohem në film.

Pas luftës, realizuat filmin “Kukumi”, ku marrëzia e personazhit nuk arrin ta zhdukë melankolinë e peizazhit. Që në skenën e parë ne e kuptojmë që Kukumi dhe kavalli janë marrëzia dhe mërzia, apo melankolia, që do ta përcjellin filmin deri në fund. Nga ju erdhi ideja për ta alternuar elegjinë me protestën?

ISA QOSJA: Filmi kur nuk është dokument, është ëndërr thotë Bergman-i. “Kukumi” është ëndrra ime. Nëse “Rojet e mjegullës” e kam punuar me kokë, “Kukumin” e kam punuar me zemër. I dua dhe më duhen këto personazhe te “Kukumi”. Shpesh në jetë doja të isha Kukum. Siç thoni ju, këtu janë marrëzirat melankolike, qofshin ato në karaktere apo në hapësirë. Marrëzia dhe melankolia janë shpeshherë një, sepse vetëm në melankoli njeriu bën “marrëzira” të mençura, shpirtërore, njerëzore. Është kjo gjuha të cilën e kuptoj më së miri dhe natyrisht, nëse këtë duam ta manifestojmë në një mënyrë më të qartë, atëherë protestojmë gati në formë të autizmit. Dhe të gjithë ne, jemi nga pak autistë në jetë. Unë doja që miksin mes natyrës dhe gjendjes shpirtërore ta mpiks në melankoli të peizazhit. Pos njerëzve, doja ta përjetoja një hapësirë të pikëlluar. Si duket arrita ta bëja këtë, sepse reagimet e njerëzve ishin “ku-ku”.

Pas tragjedisë së çmendjes nga lufta, ju trajtuat një tragjedi tjetër që vinte si pasojë e luftës: fatin e gruas së përdhunuar në ambient patriarkal, ku përdhunimi nuk konsiderohet tragjedi, por turp. Çfarë ju tërhoqi më shumë gjatë realizimit të këtij filmi: dokumentimi i rasteve, apo sfidimi i mentalitetit patriarkal?

ISA QOSJA: Unë do të thosha që mua edhe kësaj radhe më mori peng mentaliteti. Gjykimi dhe fajësimi i atyre grave të pafajshme, të cilat ishin të lënduara rëndë, shpirtërisht dhe fizikisht. Ato e kishin përjetuar ferrin shpirtëror dhe ne edhe njëherë i kalonim përmes atij ferri duke i gjykuar si të fajshme. Praktikisht i dhunonim përsëri. Sado që filmat që përkojnë me kohë të caktuar sjellin me vete edhe dokumentin e identifikimit të kohës dhe vendit, unë doja që këtë fakt ta “neglizhoj” në favor të trajtimit të mentalitetit patriarkal. Dhe ky mentalitet është shpeshherë fajësia jonë në pritë. Kur vepron kanuni e jo zemra, atëherë vendimet janë të pashpirta dhe më së paku ligjore.

Në krijimtarinë tuaj është e dukshme lidhja e letërsisë me filmin: tre filmat tuaj të parë bazohen në vepra letrare. Cili është raporti juaj me letërsinë dhe si e shihni raportin letërsi – kinematografi?  

ISA QOSJA: Si art gjithëpërfshirës, ose universal, filmi ka mbështetje intelektuale në letërsi. Natyrisht që kjo është një mundësi më shumë për krijuesin dhe kjo mundësi duhet shfrytëzuar. Dy koka mendojnë më mirë se një. Jemi dëshmitarë të kryeveprave kinematografike të bazuara në letërsi. “Doktor Zhivago” është kryevepër dhe dëshmi. “Pritja e madhe” apo “Brigjet e Orkanit”, ose “Fluturimi mbi folenë e qyqes”… Janë shumë kryevepra kinematografike të bazuara në letërsi. Jam i prirë që këtu ta përfshij edhe filmin biografik, sepse edhe biografitë e emrave të mëdhenj të botës së artit janë një gjini letrare që ofron shumë. Mendojeni filmin “Amadeus”!

Dihet që filmi është art sintetik. Ju në cilat arte të tjera fokusoheni më shumë kur bëni film?

ISA QOSJA: Në letërsi dhe në pikturë. Letërsia na jep qartësinë intelektuale, ndërsa piktura kompozicionin, ngjyrat, ritmin.

Filmat tuaj nuk synojnë sukses komercial. Çfarë lloj suksesi synoni me to?  

ISA QOSJA: Edhe po të donim, filmi te ne, në Ballkan dhe në Europë, çfarëdo qoftë ai, nuk mund të marrë vëmendje komerciale. Atëherë, pse të mendohet për këtë mundësi, gjegjësisht pamundësi komerciale, kur jemi të paragjykuar si humbës. Unë, edhe po të kisha një mundësi të tillë, nuk do ta aplikoja. Nuk di të mendoj “komercialisht”. Nëse duhet menduar, atëherë është më logjike të mendojmë për vlerat që komunikojnë me mjedisin kulturor dhe diskriminimin pozitiv.   

Cilët janë filmat që ju kanë formuar?

ISA QOSJA: Janë shumë: “Andrei Rublev”, “Amarkord”, “Kohët moderne”, “Qytetari Kejn”, në radhë të parë. Por ka edhe një mori filmash të tjerë nga zhanre të ndryshme që i doja, i shikoja disa herë dhe i lakmoja si model për motivimin tim. “Pritja e madhe” e Lean-it, apo “Shejn” që është një western i paharruar, “Lorenci i Arabisë”, “Rruga”, “Roko dhe vëllezërit e tij”, “Vjedhësi i biçikletave, “Rashomoni”, “Vula e shtatë”, “Fani dhe Aleksandri”, “Dyluftimi te O. K. Koral”…

Çfarë ju impresionon më shumë sot nga kinematografia botërore?

ISA QOSJA: Kushtet e punës dhe vlerësimi i filmit si art suprem.

“Kinemaja është çështje e asaj çfarë shihet në frema dhe çfarë mbetet jashtë”, thotë Scorsese. Cili është relacioni i filmit me atë që mbetet jashtë (pra relacioni i filmit me jetën)?

ISA QOSJA: Varet ku xhirohet dhe varet sa jemi të prirë për ta lënë jetën jashtë fremave. Ne, ne këtu dhe rrethina ballkanike, lëmë shumë jetë jashtë fremave. Arsyet janë të shumta, por edhe pasojat evidente. Ne ende nuk jemi në gjendja ta bëjmë një film organik dhe kjo është arsyeja që shumëçka nga jeta mbetet jashtë. Unë do të thosha se niveli intelektual është përcaktuesi i parë i filmit organik. Pastaj vijnë në pah vlerat dhe vetitë e tjera. Por nuk duhet ta humbim shpresën. Bergman-i, kur tashmë ishte emër në orbitën kinematografike, deklaron për Tarkovsky-n: “Kur e kam njohur veprën e Tarkovsky-t, ajo ka ndikuar në mua si rrufe. Jam ndier si një njeri para pragut të një dhome, çelësat e së cilës deri atëherë nuk m’i kishin dhënë. Në atë dhomë unë përherë kam dashur të hyj, por nuk kam ditur se si, ndërsa Tarkovsky është ndier komod atje brenda. Pra, ai ishte njeriu i cili dinte të shprehej ashtu siç unë gjithnjë dëshiroja, por nuk dija. Kjo nuk më ka dëshpëruar, por më ka trimëruar dhe inspiruar”.

Filmat tuaj janë konsideruar art që shqetëson politikën. A është kjo arsyeja dhe shkaku i përdorimit të një simbolike të theksuar, apo thjesht çdo film duhet të ketë simbolikë?  

ISA QOSJA: Dikur, kur ishim të okupuar, simbolika ishte metodë për t’u mbrojtur nga ata që duhej ta “lexonin” filmin. Pra, ne përpiqeshim që para “autoriteteve” ta komentonim këtë simbolikë si shprehje filmike, jo si qëllim politik. Kështu edhe i shpëtonim censurës. Megjithatë, mendoj që arti filmik është më i bukur kur ka simbolikë. Jo në të gjithë filmat mbijeton simbolika, por ata që shprehen në mënyrë poetike, arrijnë idealitetin përmes simbolikës. “Sakrifica” e Tarkovsky-t a do të ishte film i tillë pa simbolikën brenda?! Apo “Vula e shtatë” e Bergman-it? Çka mendoni ju për letërsinë: a duhet vepra letrare të ketë simbolikë?! Besoj që po. Si filmi, ashtu edhe letërsia. Ato udhëtojnë në të njëjtën kupé sa i përket simbolikës.

Si e shihni kinematografinë tonë dikur dhe sot?

ISA QOSJA: Plotësisht ndryshe. Dikur ishte më e politizuar dhe më politike. Me mundësi të madhe për censurë dhe autocensurë. Me klishe në kuptimin teknik. Më e vlerësuar dhe më e qëllimtë në synime të porositura. Më obligative. Sot autorët janë më të pavarur, mundësitë ideore dhe teknike janë pa limite, ndërsa distribuimi apo menaxhimi i filmit në skenat e rëndësishme ndërkombëtare është më i mundur.

Tani jeni duke e xhiruar një film të ri. Si ndiheni kur e filloni një film dhe si pasi e mbaroni atë?

ISA QOSJA: Kur e filloj një film jam plot kureshtje, energji dhe ritëm. Për një vit apo edhe më shumë nuk e ndal ritmin e të vrapuarit pas vendxhirimeve, bisedave, konsultimeve, provave, fotografimit dhe organizimit. Është fazë që më mobilizon, më jep infuzion për fazën e xhirimeve. Për përfundimin do të shërbehesha me thënien e Bergman-it: kur e përfundoj një film, jam si njeriu që del nga spitali ku ka qëndruar një vit. E saktë. Kështu më duket edhe mua. Megjithatë është një frymëmarrje e thellë e lirimit nga ngufatja e dilemave të shumta gjatë xhirimit, por edhe një ankth për atë se çka do të dalë.

Me çfarë kriteresh e zgjidhni temën për ta shndërruar në film?

ISA QOSJA: Me kriterin e ndjenjës për ta rrëfyer një tregim në mënyrë ideo-estetike. Nëse arti është sprovë, atëherë dua të sfidohem me përmbajtje të cilat di më së miri t’i rrëfej, t’i përjetoj, t’i “përkthej” në ndjenja dhe në pamje. Patjetër që tregimi im duhet të shërbejë si emancipim shpirtëror i njeriut. Dua të flas edhe për veten time, të shfaq qëndrimin tim për një çështje, problem apo qëllim. Pra, nëse një përmbajtje (skenar, vepër letrare) i ka këto provokime, nëse këto i shoh qartë përmes pamjeve, para se të filloj me xhirimin, atëherë vendos të punoj më tutje.

Filmat tuaj kanë zgjuar reagime të shumta, ashtu siç kanë marrë vlerësime të larta nga kritikët dhe juritë e ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Cili është qëndrimi juaj ndaj kritikës dhe cili mendoni se duhet të jetë funksioni i saj?  

ISA QOSJA: E vlerësoj syrin tjetër, zërin tjetër, gjykimin tjetër për një film. Filmi nuk është vetëm çka duam ne, por çka duan edhe të tjerët. Filmi duhet të nxisë dialog, mohim apo admirim, pajtim apo mospajtim. Kritika është e para që e fillon këtë fushatë artistike. Kritika shpesh i rizbulon disa vlera, apo të meta të filmit. Gjithnjë flas për njohësit e filmit. Ju e keni parë që shpeshherë në festivalet prestigjioze, kritika i prin shpalljes së fituesve. Kjo do të thotë se leximin e parë dhe më profesional e bën kritika. Për mua kritika është sovrane në funksionin e saj, kur atë e bëjnë ata që e kanë të njohur alfabetin e filmit.

Si profesor i regjisë, çfarë do t’u sugjeronit regjisorëve të rinj?

ISA QOSJA: Kështu e përshkruan Bergman-i aktoren Bibi Andersson: “Ajo është e bukur, e ngrohtë dhe e çuditshme. E kthyer kah realiteti. Gjithçka ka rëndësi për të. Edhe objektet që shihen, edhe ato përtej. Ajo dëshiron të komunikojë me shikuesin dhe t’ia bëjë përjetimin të jashtëzakonshëm”. Pra ky është filmi sipas saj dhe sipas Bergman-it. Bëjeni që të duket kështu edhe regjia e filmit tuaj!

(Botuar në revistën “Symbol”, nr. 16, 2019)