(Lindita Ahmeti, “Mbrojtja e Hekubës”, Bard Books, Prishtinë, 2020)
Nga Sherif Luzha
Lindita Ahmeti, e lindur në Prizren, por që jeton në Shkup që nga fëmijëria, është poete e lexuar dhe e vlerësuar, e përkthyer dhe e shpërblyer. Poezia e saj ka shenjat e veta në strukturë, stil dhe motive.
Strukturimi grafik
Nga pikëpamja grafike poezia e Lindita Ahmetit anon kah vargu i lirë dhe në përgjithësi është astrofike. Shpesh vargjet janë të thyera me qëllim që këto thyerje të marrin një funksion në gradacionin që e përshkon domethënien e fjalës apo vargut. Me përjashtim të përmbledhjes Mjedra dhe bluz (në të cilën secila poezi fillon me shkronjë të madhe), në asnjë poezi tjetër, nuk janë përdorur shkronjat e mëdha dhe as shenjat e pikësimit. Herë-herë, e posaçërisht në përmbledhjen me titull Nga mështeknaja e babait poezitë janë shkruar në rreshta, ose, thënë ndryshe, janë proza poetike të cilat nga pikëpamja e strukturimit grafik dallojnë nga poezitë e tjera, por të cilat nga pikëpamja e figurshmërisë janë të ngjashme dhe karakaterizohen, njëjtë, nga një sfond i gjerë referencash.
Nga pikëpamja e intonacionit (me pak përjashtime) poezia e Lindita Ahmetit nuk aspiron nivelin melodiko-ritmik dhe kjo ndodh për shkak se vargjet janë të parimuara. Pjesa dërrmuese e poezive të kësaj autoreje mban tituj të cilët premtojnë gjuhë të denotuar, por, sapo lexuesi nis të lexojë vargjet, e kupton që do të përballet me një mal metaforash të cilat së bashku me prurjet referenciale, e imponojnë një lexim të ngadalshëm dhe të kujdesshëm të poezive, të cilat sa më mirë kuptohen aq më tepër shpërfaqin kujdesin që autorja ka ndaj gjuhës.
Pushteti i metaforave
Pra, thamë se poezia e Lindita Ahmetit karakterizohet nga niveli i lartë i figurshmërisë, nivel i cili shtrihet dhe formësohet brenda një rrjeti të gjerë referencash. Këto referenca, në vija të trasha, ndahen në tri lloje, dhe atë: 1. referenca nga mitologjia, 2. referenca nga historia dhe 3. referenca nga kultura.
Tek referencat që lidhen me mitologjinë, kryesisht kemi figura nga mitologjia greke, pa lënë anësh edhe ato ilire apo romake, si: Heliosi, Nioba, Hekuba, Pani, Hermesi, Posejdoni, Aresi, Redoni, Anzotika, Thana etj. Referencat nga historia janë të lidhura me historinë e popullit shqiptar, si: Skenderbeu, Hesati, Hamzai tradhtarë, “bullgari i parë”, “bullgari i dytë”, Lidhja e Prizrenit, Adem Jashari etj., ndërsa, sa përket referencave nga kultura, kemi një numër autorësh, toposesh, veprash e vargjesh të cilat janë pjesë domethënëse e figuracionit në poezinë e Linditës, si: Edgar Alan Poe, Bajroni, D.H Lawrence, Turgenjev; Kali i Trojës, Danajt, Golgotha, Procesi, Simfoni e pestë, Flamur gjak, flamur shkabë, Të digjem e të përvëlohem, Syri i meduzës, Vargu i Blake etj.
Referencat e mësipërme, qoftë kur vijnë si aluzione, reminishenca apo afiliacione, rikonfigurohen brenda paradigmës metaforike që është ndërtuar brenda secilës poezi, e rrjedhimisht brenda secilit libër. Në fakt, tri llojet e referencave të sipërcekura inkorporohen për të marrë një dimension të ri brenda atij që mund të quhet “situim etnokulturor” ose, (meqë bëhet fjalë për aspekte linguistike) brenda asaj që quhet “semiotikë shoqërore”.
Fjala që më së shumti përmendet në të gjithë librat me poezi të Linditës, është kulla e cila përcillet me një rrjet të gjerë shprehjesh e thëniesh që, natyrisht, derivojnë nga konteksti sociokulturor të cilit i përket edhe vetë autorja, siç janë: shtëpia e mysafirit, rruga jote derë e huaj, bukë e kripë, dardha bie nën dardhë, nuk lihet shtëpia krejt vetëm, dardha e moçme, kënga e malësores, qengji i butë i thith dy nëna, plakat nuk bëjnë hop pa e qitur hapin etj. Por, duhet thënë se nuk është vetëm rrjeti i gjerë i referencave që e bën metaforike poezinë e Lindita Ahmetit, sepse figuracioni është intencë autoriale, pra vetë ajo për të cilën flitet (tema) shtrohet si metaforë, dhe duke qenë kështu referencat vetëm sa e pasurojnë atë.
Ndërkaq intenca e autores nuk është vetëm për të shkruar në gjuhë të sofistikuar metaforike, si qëllim në vete, sepse intenca rrjedh nga pozicioni i autores që e shpërfaq vetëdijen e lartë kombëtare të saj, e prandaj, në këtë rast, pozicioni është mision. Misioni e shpalos preokupimin epik të autores, ndërsa, natyrshëm, stili i saj është lirik dhe krejt këto janë të realizuara brenda një fushëveprimi linguistik. Për shembull, në librin Brezi i Zonjës e gjejmë një poemth që titullohet Hija e Adem Jasharit në kryeqytet, që fillon me këto vargje: o hapma kutinë e mrekullive ti ma e madhja zanë/ ti e para ndër të lumet bukuroshja thanë/ ma jep ti t‘lutem frymën e mirë/ ti që të thirrin zonja e dlirë/ ma jep ta thuri kangën për rrëmujën që pat vendi/ dhe trimninë që tregoi ademi, pra, poetja (vetëdijshëm), ashtu si Homeri që thërret hyjneshën, thërret hyjneshat ilire për të thurur vargje të cilat nëpërmjet metaforash rrokin krejt historinë e popullit shqiptar.
Por edhe kur poezitë e Linditës nuk fillojnë duke thirrur hyjneshën, pra edhe atëherë kur ajo “këndon vetë”, sepse siç thuhet në një varg të saj, ajo është e caktuar këngën ta këndoj, ajo përsëri vazhdon t’u këndojë bëmave dhe popullit të vet në rrugëtimin e tij, gjithmonë duke qëndruar brenda asaj botës së brishtë personale që jep momente të ndjeshme dhe çaste plot lirizëm prekës.
Kështu, mështeknaja në poezinë e Linditës nuk është veç mështeknajë, sikurse ishulli që nuk është veç ishull, dhe as dhoma veç dhomë, e as brezi veç brez, ashtu sikurse babai nuk është veç baba, por është edhe rrugëtim, popull, identitet, histori, sikurse shkrimi që nuk është thjesht shkrim, është gjuhë, monument dhe dokument njëherësh.
Lindita e njeh rëndësinë e gjuhës dhe vizioni i cili “përvidhet” në disa vargje të poezive të saj është i lidhur ngushtë me gjuhën si qenie, vizion i cili pashmangshëm na e kujton atë që e thotë fiozofi gjerman, Martin Heidegger, se qenia banon në gjuhë, prandaj jo rastësisht në disa vargje e gjejmë të shkruar gjuhën e vjetër shqipe me klen a mos me klen dhe jo rastësisht nëpër vargje janë të përmendur rilindasit si Naimi e De Rada.
Kështu lirizmi në poezinë e Lindita Ahmetit na vjen i konotuar për shkak se, në njërën anë, perspektiva buron nga vetmia e cila herë artikulohet në figurën e një ishulli, apo dhome prej nga dalin shprehje të ndjenjave, përjetimeve, vuajtjeve dhe shpresave krejtësisht lirike (skaj një dritareje ku subjekti dashuron, kërkon në fundin e natës se thellë, shpreson apo vuan zymtësinë, bashkë me krizantemat dhe lulet), e nga ana tjetër, i gjithë ky subjektivitet ka në sfond atë rrugëtimin shekullor të babait si figurë që personifikon popullin të cilit autorja i takon, dhe i cili gjatë gjithë jetës është përballur me sfida e vuajtje.
Një inkorporim i tillë i personales me të përgjithshmen, arrihet falë gjuhës e cila te Lindita e gjen mjeshtrin që nuk lodhet. Që nuk lodhet, pra, së kërkuari format më të përshtatshme dhe më të bukura si rezultat i vetëdijes që ngulmon në përpunimin e vazhdueshëm të gjuhës që do ta ruajë ekzistencën, dhe ky është misioni. Por edhe jo rrallë, brenda poezive të saj, gjejmë të ndërfutura vargje me “halle” nga ‘zanati’ i poetëve, siç është një varg lazdran, varg i lëmuar, varg mbi të cilin mund të hip ndonjë djalë bjond, momente si koha për të shkruar vjersha etj., vargje të cilat e bëjnë lirizmin më të “pastër” dhe e autoren më të afërt dhe më të dashur për lexuesin.
Një zymtësi e dyzuar
Në përgjithësi poezitë e Lindita Ahmetit nga pikëpamja e disponimit karakterizohen nga zymtësia, por është një zymtësi e cila përcillet dhe përshkohet nga një afinitet i madh gjuhësor deri në atë masë sa subjekti lirik shpesh shkrihet brenda një ambiguiteti ku përjetimi personal merr dimensione më të gjera, duke e ndërthurur kështu lirikën me epikë. Këtu, fjala “epikë” duhet të rishpjegohet, sepse në poezinë e Linditës nuk ka narracion, nuk ka dramë kolektive të dhënë në formë betejash a luftërash, nuk as heroizëm në atë masë që do t’i jepte teksteve të saj poetike ngjyrën e epikës, madje as në poemthin e përmendur më lartë. Në fakt, ajo që është “epike” në poezinë e Linditës vjen nëpërmjet një lirizmi tejet të ndjeshëm, të butë por i cili shpesh transpozohet në figura që personifikojnë qenien kolektive, pra figura si: ati, babai, nëna etj.
Prandaj zymtësia në poezinë e Linditës, sa është lirike po aq edhe ndërfutet brenda fatit të zymtë të popullit, dhe vjen në trajtën e mesazhit të patriotit shqiptar: “Unë jam mirë kur është mirë Shqipnia”. Prandaj, edhe kur subjekti i kërkon çelësat që i kanë humbur, edhe kur nuk shihet nga askush, edhe kur është e lodhur, edhe kur qëndron e vetmuar në dhomën pa derën dalëse, disponimi rreket të tërhiqet nga metaforat që portretizojnë vuajtje dhe përjetime që shkojnë përtej dimensionit personal, sepse figuracioni i përgjithshëm sjell si në kanavacë imazhe fshatarësh që, siç thuhet në një varg, imitojnë tregimin e migjenit. Madje edhe në rastet kur para subjektit lirik vjen shpresa në figurën e një djaloshi bjond, disponimi përsëri mbetet si i rezervuari i zymtësisë, dhe krejt kjo falë poezisë tjetër, falë metaforës tjetër, falë “ditës tjetër” pas së cilës djali biond nuk shfaqet më.
Si studiuese e gjuhëve klasike (greqishtes së vjetër dhe latinishtes), Lindita është kujdesur që edhe poezia e saj të ketë rrënjë të thella, prandaj shpesh një pjesë e mirë e poezive të saj ndërkomunikon me lashtësinë. Ky ndërkomunikim arrihet nëpërmjet figurave nga mitologjia e që janë të shumta por të cilat, jo rrallë bëhen hisetarë edhe në momentet më të “reja” të historisë, me njerëz që ikin duke e lënë të vetme nënën plakë së cilës s’do të ketë kush t’ia sjellë lajmin e mirë; me njerëz që përballen me gospodarë dhe poreznikë; apo në momente të tjera historike që zënë vend memoareve të shpalosura nga pleqtë në Gazi Babë.
Për fund, mund të thuhet se Lindita Ahmeti është një poete e arrirë, poezia e së cilës i ka karakteristikat themelore që duhet t’i ketë një poet i mirëfilltë, siç janë: ndjeshmëria, bagazhi gjuhësor, motivimi i fjalëve simbol, ndërtimi i poetikës së veçantë, apo aftësia për ta ndërtuar një identitet poetik, karakteristika këto që e vendosin denjësisht Linditën në mesin e poetëve më të vlerësuar shqiptarë. / ObserverKult