Arti italian, Bideni në grunajë

Me ndihmën e traktorit të tij, një artist italian ka krijuar portretin e madh të kandidatit amerikan për president, Joe Biden, në një grunajë afër Veronës.

Dario Gambarini ka kompletuar portretin e rivalit demokrat të presidentit amerikan, Donald Trump, në një hapësirë prej 27 mijë metrash katrorë.

Ai ka nisur punën në agim, duke e ngarë traktorin e tij të kuq nëpër fushë, për të krijuar imazhin e ngjashëm me të Joe Bidenit.

Në një deklaratë për veprën e tij, Gambarini ka thënë se ishte prekur prej një citati të Bidenit se për njeriun nuk ka rëndësi sa herë bie, por sa shpejt ngrihet.

Ai ka thënë se Bideni ia ka kujtuar babanë e tij, dhe se e ka frymëzuar për ta shkruar një mesazh në fushë për Bidenin “jump and fly”, apo “hidhu dhe fluturo” drejt Shtëpisë së Bardhë.

Artisti italian njihet për vepra të ngjashme në fusha. Më parë kishte bërë portretet e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, Papa Franceskut dhe liderit të ndjerë jugafrikan, Nelson Mandela.