Arti Lushi: Letërsia më ka ndihmuar ta njoh veten dhe të shprehem

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Arti Lushi.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Natyrisht që ka kontakti i parë me letërsinë ka qenë në fëmijëri por jo si diçka serioze. Leximet e detyrueshme të kurrikulës shkollore dhe librat që kisha në shtëpi, nga biblioteka e prindërve.

Kur ratë në “grackën” e saj?

-Besoj në shkollë të mesme. Mund të them që leximi i letërsisë më jepte kënaqësi dhe ka patur një rol vendimtar në formimin tim dhe përcaktimin e pasioneve. Të mos harrojmë, kemi të bëjmë me adoleshencë, ku nuk e njihja ende veten dhe shpërqëndrimet ka qenë po ashtu të mëdha: Ndonjë dashuriçkë, muzika, sporti, kontaktet e para me alkoolin dhe cigaren. Por e konsideroj veten me fat që letërsia e la një gjurmë të fortë dhe të pazëvendësueshme, të cilën munda ta kultivoj edhe më tej.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Kur shkruaj, natyrisht. Dhe e kam njohur dhe pranuar si vokacion. Për mua letërsia është përmasë lirie. Më ka ndihmuar ta njoh veten dhe të shprehem. Pra, vetëdija u bë më e strukturuar.
Botimi i librit të parë, mund të merret si konvencion për të qenit dhe ndjerit shkrimtar.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Shkruaj sepse kam dëshirë dhe mundem të shkruaj.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Kurajo për të dëgjuar zërin e brendshëm. Dhe kjo përfshin stilin, autenticitetin, liri dhe një dell të shëndetshëm çmendurie.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Çdo gjë që më ka ngacmuar dhe ka përbërë lëndë estetike. Një shkrimtar autentik, jo doemos duhet të lëvroj tema të mëdha për t’u konsideruar, në radhë të parë shkrimtar, e mandej, shkrimtar i madh.
Repertori dhe regjistri i temave është i pafund. Po përmend: Zotin, njeriun, dashurinë, luftën, fatin, absurdin, vdekjen, lirinë, virtytin, kobin, natyrën dhe deri te zodiaku dhe inteligjenca artificiale.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-E mira s’ka fund. I njëjti parim vlen edhe për letërsinë. Do dëshiroja që një ditë të shkruaja romanin e jetës.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Është e udhës që muza të të gjejë duke punuar. E kam harruar autorin e kësaj shprehje. Pajtohem.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Ka periudha që nuk shkruaj fare. Është gjithashtu pjesë e procesit. Nuk i trembem as bllokut krijues.
Sikurse e shpreha diku më sipër, shkruaj kur kam mundësi dhe dua të shkruaj.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Sigurisht. Është një ndër kënaqësitë porse edhe përgjegjësitë më të mëdha dhe më fisnike të jetës.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARTI LUSHI: E PASHË SHPIRTIN BINJAK

ARTI LUSHI: NUK PATA NEVOJË PËR FILLIN TËND, ARIADNE


ARTI LUSHI: LULET E SHEGËS