Teatri i Operas dhe Baletit i Shqipërisë ka nisur punën. Këtë vit në shtëpinë e tyre artistike. Por Covid 19, na detyron t’i ndjekim koncertet e tyre nga larg.
“Ndërkohë që transportonim skenat, garderobat, arkivin dhe të gjithë zhvendoseshim nga godina e Operas për t’i lënë hapësirë rikonstruksionit të teatrit, mes pikëpyetjeve të mëdha se ku dhe si do të akomodoheshin shfaqjet tona në vitet pa teatër, një projekt i rëndësishëm, me titull “Artistët e të Ardhmes” më rrinte çdo ditë përpara, në mendje dhe në tavolinën time të punës”, u shpreh Zana Çela.
Ky është koncerti i pare i këtij sezoni artistik që ndonëse nis me një teatër të rikonstruktuar, sërish do të duhet t’i imagjinojë duartrokitjet. Janë të rinjtë e Teatrit të Operas dhe Baletit që rrugëtimin e tyre e nisin pa publik, transmeton ‘a2news.com’.
“Edhe pse studiot e ambienteve ku vazhduam aktivitetin në 4 vitet pa teatër ishin të vogla e të pakta në numër, edhe pse nuk kishim sallë provash regjisoriale dhe te tjera kushte normale, arritëm të identifikonim më të talentuarit e ti trajnonim me artistët tanë, të operas dhe baletit e artistë ndërkombëtar, edhe mjeshtrit tanë të skenës’’, shtoi Çela.
Sipas të dhënave nga ky teatër në këto katër vite kanë kaluar 102 të rinj që synojnë të jenë pjesë e jetës artistike në këtë institucion.