“Artistët në Shqipëri po luftojnë për ekzistencë, në kuptimin e parë të fjalës. Tashmë e dimë, se që nga fillimi i pandemisë ata ishin të parët që mbetën pa punë. Sot që flasim jemi në muajin e nëntë të kësaj drame profesionale, ekonomike dhe familjare të artistëve shqiptarë dhe askush nuk çan kokën për ta”.
Kështu e nis reagimin e tij Julian Deda, artisti i humorit, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale bën dallimin mes qeverisë në Tiranë dhe asaj në Prishtinë për mënyrën se si i kanë trajtuar artistët gjatë pandemisë.
“E njëjta situatë ndodh me Artistët shqiptar në Kosovë, edhe ata kanë pothuajse aq kohë që nuk ushtrojnë profesionin e tyre dhe si rezultat, po aq kohë që luhaten ekonomikisht. Por në Kosovë me sa duket paska shtet. Qeveria kosovare nëpërmjet Ministrisë së Kulturës ka vendosur t’i japë një dorë, duke akorduar as me pak e as më shumë por 2.5 milion Euro për Artistet gjatë kohës së pandemisë. E dini pse ndodh kjo? Jo për ti përdorur elektoralisht, se atje nuk ka zgjedhje, por sepse në Kosovë kanë respekt për Artistin dhe për kontributin tij. Këtë bën Qeveria e Kosovës, një shtet më i vogel se ne, shumë më i ri se ne, me ekonomi më të brishtë se ne, por me sa duket më njerëzor dhe respektues”, shkruan Deda
Por çfarë po ndodh në Shqipëri, sipas Julian Dedës?
“Krejt e kundërta. Qeveria jonë komplet kontrapetal. Ministres sonë të kultures, jo vetëm që nuk i shkon ndërmend të bëjë një gjë të tillë, por as nuk denjon t’i takojë Artistët, qoftë edhe për tua qarë hallin. O zonjë, që nuk ta di as emrin, informoje pak shefin tënd, thuaji që Artistët janë në hall të madh, janë pa punë, pa të ardhura. Ata kanë familje për të mbajtur dhe një personalitet artistik për të mbrojtur”.
“Spektakli” i Veliajt me artistët
“E vetmja here kur Ed “artisti” interesohet për Artistët është kur i kërkon Erionit ti marrë e ti përdorë për fushatë, për të shtuar vota te thesi i rilindjes, vetëm kaq, pastaj i fut shkelmin dhe i hedh në rrugë. Nuk paska Shqipëria dy lek për ta? Sigurisht që ka, por babëzia për të vjedhur gjithçka në fund të mandatit nuk të lë të mendosh per bukën Artistëve”.
Dy fjalë për kryeministrin Edi Rama
“Edo, ti e di mirë se një popull pa Art e Kulturë nuk është me komb por thjesht kope dhe ti kështu i do shqiptarët, ca dele të varfra dhe injorante, që të kesh mundësi t’i përdorësh dhe jo t’i respektosh. Po ku di ti çfarë është respekti, nuk e njeh si fjalë.
Ed, mos bëj sikur nuk dëgjon, por hap thesin dhe ndihmo Artistët…!”/kohajone