Artisti që dokumenton mbajtjen e maskave në metrotë e New Yorkut

Artisti i cili ka përdorur talentin e tij për t’ia larguar vetes stresin për shkak të pandemisë, tani është duke e dokumentuar historinë përmes artit të tij, në serinë të cilën e ka quajtur “Vizatime të maskave në metro”.

Çdo ditë, për gati një muaj, Devon Rodriguez ka kaluar orë të tëra duke udhëtuar nëpër metro në kërkim të muzës perfekte. Kur ai e gjente dikë, e përdorte lapsin e tij dhe një fletore të mbushur me skica për t’i sjellë ata në jetë në letër, duke mos lënë mangët asnjë detaj, që nga maskat deri te dredhat e flokëve.

“Metroja ka qenë pjesë e vizatimeve të mia tash e disa vjet”, ka thënë Rodriguez, 24-vjeçar. “Fytyra është një pjesë që unë jam mësuar që ta vizatoj gjatë udhëtimit në metro dhe tani shumica e njerëzve e mbulojnë atë me maska për t’u mbrojtur nga virusi. Mendoj se është interesante që të kapësh këtë moment lodhës përmes artit. Kur t’i shikoj përsëri në të ardhmen do të jenë reflektim i vitit 2020. Do të jetë interesante që të shohim llojet e ndryshme të maskave që janë duke mbajtur njerëzit dhe si po i mbajnë ato”.

I lindur dhe i rritur në New York, në jug të Bronxit, artisti ka qëndruar në qytet gjatë pandemisë së koronavirusit. Ai u familjarizua me tingujt e borive, mbajtjen e distancës dhe të maskave, dy gjëra që nuk janë të natyrshme për shumicën e njerëzve në New York, transmeton KOHA shkrimin e CNN.

Pasi që u karantinua në shtëpinë e tij për muaj, duke pikturuar dhe vizatuar derisa mëngjesi e nata nuk dallonin më, Rodriguez ishte mirënjohës që iu bë e mundur që të kthehej dhe të dokumentonte realitetin e sotëm nga afër. Duke dëgjuar muzikë në kufje, ai vizaton qetësisht, pa i penguar subjektit të tij për të kapur në mënyrë perfekte “njerëzit e vërtetë të jetës reale”, siç ka thënë ai.

“Kur vizatoj, është si një lloj meditimi. Gjersa vizatoj format dhe rrobat e tyre, unë jam duke medituar për gjërat si: çfarë thotë gjuha e tyre e trupit? Si ka mundësi që mënyra sesi ata e paraqesin veten përshkruan aspektin e tyre psikik”, ka thënë Rodriguez.

https://www.instagram.com/reel/CEhJiTSDVob/?utm_source=ig_embed