Artistja shqiptare në Itali habit pushuesit me performancën e saj (Video)

Është një pamje e pazakontë në bregdetin e Santa Maria al Bagno në Pulia. Një grua e veshur e gjitha me të zeza deri në flokët e saj, shpërndan “bukë  për peshqit”. Fillimisht mund të duket si një panoramë e çuditshme, por në fakt është një performancë e artistes shqiptare,  Ermelinda “Emma” Birca.

“Bukë për peshqit” është një shfaqje e Ermelinda Emma Bircaj në bashkëpunim me artisten Paola Maritati. Mesazhi i performancës së saj është i qartë, “buka për peshqit është ushqim, njësoj si trupat e qindra refugjatëve të humbur në det, mes tyre dhe bashkëkombësve të saj”.

Nuk është hera e parë që artistja shqiptare trajton temën e emigracionit. Me herët ajo ka ideuar dhe realizuar në bashkëpunim me Teatrin Internacional të Institutit Italia pjesën “Katër i Radës – Kujtime migrantësh”, një projekt i krijuar në kujtim të tragjedisë së përmbytjes së anijes shqiptare “Katër i Radës”,  më 28 mars 1997. Mbi bordin e tij qëndronin rreth 120 shqiptarë, ku pjesa dërrmuese ishin gra dhe fëmijë, të drejtuar drejt Italisë. Në përpjekje për ta kundërshtuar zbritjen në bregdetin italian, përplasja shkaktoi fundosjen e anijes. Në këtë tragjedi humbën jetën 81 persona, u zhdukën pa ju gjetur gjurmë rreth 27 dhe mbijetuan 34 vetë./DiasporaShqiptare

LEXO EDHE: Fotoreporteri italian që përjetësoi pamjet e anijes Vlora, Luca Turi: Sot jam shqiptar