Asambleja e Akademisë së Shkencave miraton Gjinushin kryetar

Asambleja e Akademisë së Shkencave ka miratuar ditën e sotme akademikun Skënder Gjinushi, si kryetar të këtij institucioni. Kreu i rikonfirmuar i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi shprehet se kjo shënoi përmbylljen e reformës së Akademisë së Shkencave që sot dëshmoi se qëndron jashtë ndikimeve politike.

“Në Shqipëri reformat shpeshherë janë ngatërruar vetëm me lëvizje njerëzish, nëse kjo edhe në administratë nuk pranohet, në Akademinë e Shkencave jo e jo. Ka pasur një presion të vazhdueshëm që reforma në ASH të ishte njësoj si në ligjin e IAL, që të hiqeshin titujt profesorë edhe ribëhej kjo trupë, që se di kush do e përbënte. Sot ndihem shumë mirë, se nuk u soll vullneti i politikës në Akademinë e Shkencave. Por është e kundërta, fakti që faktorë të ndryshëm në momente të caktuara kanë kundërshtuar, por edhe pengesat e tyre që tregonin qartë që reforma ishte jashtë ndikimeve politike në tavolinë, që kërkonin ndërhyrje në Akademinë e Shkencave. Edhe mesa duket edhe presidenti në një moment u bë palë me këto lloj segmentesh. Por rrjedhimisht, ligji, kuvendi i dha të drejtën Akademisë së Shkencave, sepse Akademia e Shkencave është një institucion autonom. Rektorët i zgjedh vetë trupa e pedagogëve edhe kryetarin e ASH-së e zgjedhin vetë akademikët. Por 43 vota akademikësh vlejnë më shumë se një firmë Presidenti”, shpjegoi Gjinushi.

Kryesia e Akademisë së Shkenca ka miratuar sot edhe statutin e ri të këtij institucioni, duke u bazuar në ligjin e ri “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë” që ka hyrë në fuqi në 8 tetor. Gjithashtu një nga pikat e tjera që është miratuar gjatë mbledhjes së kryesisë është edhe hapja e vendeve të reja për anëtarë të Asamblesë me titullin “akademikë” dhe “akademik i asociuar”.

“Sot u kurorëzua mbyllja e reformës në ASH nëpërmjet akteve themelore të saj. Prej datës 9 tetor ligji ka hyrë në fuqi, edhe sot u miratua statuti i ri në zbatim të këtij ligji. Këto akte kanë disa risi, sepse bëjnë një hapje të konsiderueshme të ASH-së ndaj pranimeve të reja, duke futur konceptin që anëtarët mbi 75 vjeç lirojnë vendin për anëtarë të rinj apo duke futur statusin e anëtarëve të jashtëm për t’u anëtarësuar të gjithë intelektualët edhe kërkuesit më të suksesshëm, që ka Shqipëria jashtë vendit etj. Por duke futur edhe konceptin që homologët tanë në Kosovë, Maqedoni të Veriut etj., mund të bëhen anëtarë të jashtëm të ASH. Përpos kësaj statuti bën një sërë rregullimesh, për të treguar që ASH është një grup njerëzish, që për meritat e tyre kanë fituar titullin akademikë edhe mblidhen këtu për të mundësuar, ndihmuar qeverinë edhe institucionet e tjera, për të evidentuar rritjet e shkencës përmes botimeve edhe konferencave. Puna bëhet përmes anëtarëve, që duhet të jenë edhe aktiv në atë që bën ASH. Ndërsa, kryesia edhe asambleja kanë vetëm rolin e koordinimit të këtyre aktiviteteve”, shprehet Gjinushi.

Ndërsa, për zgjedhjet në Akademinë e Shkencave që u bënë me ligjin e vjetër dhe emërimin e tij si kryetar me ligjin e ri shprehet se: “Vetëm në Shqipëri kur ndërrohet ligji, ndërrohet institucionet ndonjëherë. Kjo praktikë është e gabuar, ligjet nuk cenojnë mandatet e caktuara, ligji i ri përpiqet që të rregullojë më mirë funksionimin, madje demokracinë, sigurinë juridike etj. Në rast se shton dispozita kalimtare siç ka ndodh në vitin 2007 edhe siç u përpoqën tani, për të heq mandatet e fituara kjo është e papranueshme, edhe e ka rrëzuar gjykata kushtetuese. Ligjet vijojnë, si vendimet e qeverisë. Sipas ligjit të vjetër presidenti duhet të bëjë vetëm emërim, nuk ka asnjë target tjetër. Edhe ligji i ri ia merr në konsideratë edhe refuzimin edhe thotë: Vendimin e merr asambleja. Pra i jep fuqi, se më parë ishte fare paçavure. Anëtarët e asamblesë  edhe kryesisë janë zgjedh me ligjet e vjetra, sepse kështu janë dispozitat, mandatet vazhdojnë. I vetmi rast që cenohen mandatet me ligj të ri është kur ndryshon struktura e institucionit”.

Sa i takon diskutimeve që janë bërë mbi funksionin e tij politik, ku njëkohësisht ka qenë kryetar i Partisë Social Demokrate edhe anëtar i rregullt në ASH, duke bërë edhe kandidimin për kryetar Gjinushi thotë se: “Ligji i ri është më i qartë se tregon se në cilat poste duhet dhënë dorëheqjen, i pari nuk e thotë fare. Kjo është ajo përpjekje e dëshpëruar e presidentit për të gjetur ndonjë lajthitje. Nga viti 1989 jam anëtar i rregullt i ASH. E dyta, dorëheqja nga PSD është datë 15 maj 2019. Dorëheqja është vendim personal. Vetëm, një tjetër të tregon se kur ka hyrë në fuqi dorëheqja jote”./atsh