Asgjë nuk ndryshon, asgjë nuk përsëritet

Mbi romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, të shkrimtarit Rudolf Marku

Nga Josif Papagjoni

Gjithçka ndryshon, gjithçka përsëritet, ndërsa vetmia mbetet fatalisht streha e fundit në një botë që e refuzon dhe të refuzon. Me këtë antinomi dua të artikuloj thelbin filozofik të romanit “Tre divorcet e zotit Viktor N.” të Rudolf Markut, fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2015. Po pse nuk ndryshon asgjë dhe pse përsëritet gjithçka? Kjo nuk thuhet, kjo lexohet, më saktë nënkuptohet në rrjedhën subjektore të romanit, sidomos te përsiatjet e protagonistit, një shkrimtari dhe politikani që kishte emigruar në Angli, gati i dëbuar prej atdheut të vet para 15 viteve dhe që kthehet sërish për të vendosur një tufë lule mbi varrin e prindërve. Por assesi ai s’vjen si një politikan që mund të rinis karrierën, pra dhe rivalitetin politik, sikurse mendojnë mendjet perverse të segmenteve të dekompozuara të pushtetit.

Fillimisht thua se materia e romanit janë përjetimet politike, që në fakt zënë një hapësirë jo të vogël. Por materia është tjetërfarë. Janë përjetimet dhe përsiatjet rreth dashurisë, raportit të njeriut me vetveten, me të vërtetën, me lumturinë, me fatalitetin dhe gjithë dëshpërimin që jeta në përgjithësi sjell dhe ajo poskomuniste posaçërisht. Ky njeri me emrin Viktor është dhe s’është “shqiptar”, në kuptimin e rrethit jetësor dhe perimetrit të çështjeve që përthyhen brenda shpirtit të tij, pasi ai është sakaq një qytetar i botës, paçka se jeton e punon për 15 vite në Angli. Madje, diç të tillë autori e vë në kryekreun e romanit në formën e një kinse njoftimi policesk a dosje arkivore, ç’rëndësi ka! “Qytetar i botës” sepse opusi i mendimit të tij, i filozofisë që nënkupton dhe filozofimit që bën me vetveten rreth jetës së vet dhe njeriut si qenie, e tejkalon kufirin e një identiteti ngushtësisht socioetnik shqiptar, e një realiteti ngushtësisht politik të periudhës postkomuniste në Shqipëri. Rrethi i përsiatjes zgjerohet duke mëtuar ekzistencialen, universalen.

Titulli thotë se personazhi paska tre divorce. Në fakt s’është veçse një grua, Moxhi, më të cilën Viktori është martuar 15 e më shumë vjet më parë në Shqipëri dhe jeton me të në Angli, me të cilën po divorcohet. Po cilat na qenkan atëherë edhe dy “divorcet” e tjerë? Në kuptimin e thjeshtëzuar, ndoshta është marrëdhënia me Evën, një vajzë që e ka dashur dikur por që nuk mund të martohej dot sepse e kishte biografinë me “cen”. Rilidhet me të pas 25 vitesh dhe një hop mendon se po rikapte lumturinë e mohuar dhe të shkelur me këmbë. Historia e saj ka qenë e trishtë, një varg përdhunimesh dhe abuzimesh, që ia kanë shkatërruar “virgjinitetin” e dikurshëm shpirtëror duke ia shndërruar marrëdhënien e natyrshme me një mashkull në obsesion dhe hakmarrje.

Ne presim një fund të lumtur të Viktorit me Evën, sikurse na orienton prosedeu i romanit, por e gjitha s’është veçse një kurth letrar, një lojë e mprehtë e mendjes së shkrimtarit, për t’i dhënë atij një tjetër zhgënjim, një tjetër goditje, ndoshta të pariparueshme më, atë fatalen, që e çon përfundimisht në ngujimin dramatik dhe qerthujt ogurzinj të vetvetes, te shkatërrimi i besimit. Marrëdhënien me Evën mund ta quajmë një “divorc” të dyfishtë, ai i fillimit dhe ai i fundit. Në fakt “divorci”, sipas meje, është i shumëfishtë: divorci me atdheun, divorci me të shkuarën dhe të sotmen, divorci me iluzionin e bukur të fillimviteve të demokracisë, divorci me shëmtinë sociale dhe produktet e saj në sjelljet e çuditshme të njerëzve në Shqipëri dhe jo vetëm, divorci me politikën perverse që nga qëllim fisnik është kthyer në biznes të pistë për t’u pasuruar, divorci me mentalitetin prej provinciali, divorci me snobizmin dhe shtirjen, divorci me gjithçka të ndotë, neveritëse, me euforitë idiote, me shtinjakët, injorancën, kriminelët që të godisnin tinëz pas koke me shufra hekuri, me medien e manipuluar nga të “fortët” dhe spekulacioni, me shtetin e rrëzuar më hundët në baltë… Dhe kështu romani e lëviz tejqyrën nga mikrua te makrua, nga situata shpirtërore personale te situata psikosociale kolektive. Prandaj Viktor N. jam dhe unë si lexues, edhe ai tjetri diku, të gjithë ne. Pikërisht ky dimensionim i jep më shumë frymëmarrje romanit.

Në gjithë rrugëtimin e personazhit në dheun e tij, përtej mallit dhe do pikave nostalgji, përdoret kontraversi i metaforës së Itakës. Odisea i “ri”, Viktori, nuk i flak jashtë shtëpisë së uzurpuar mëtonjësit e lumturisë së tij, përkundrazi ai ikën sërish nga Atdheu, Itaka, i vetëdëbuar. Plehërishtja e madhe nuk të jep shumë gëzim, por zhgënjim dhe një trishtim pa fund, shoqëruar me shpërvjelje buzësh dhe ironi që djeg. Megjithatë diku-diku sheh ca njolla të kaltra mirësie në qiellin plumb të errët. Dikush (një mik i dikurshëm i tij, Beni quhej) i ka ofruar dikur një pjatë supë, e ka marrë në autobus mes njerëzve dhe e ka çuar në shtëpi… Dhe sërish kjo mirësi tjetërsoj, e shprehur gati në mënyrë groteske, rishfaqet por tashmë nën një vesk mallëngjimi. Janë fqinjët, një grua, që i ofron Viktorit një gjellë shtëpie. “Varfëria e këtyre njerëzve i duket Viktorit si ajo masa e akullt që e ka mbështjellë me kujdes dhe nuk e ka lënë të prishet mirësinë”. (f. 48)

Në roman bëhet një radiografi në sens kritik dhe ironik ndaj antropologjisë sonë: diçka e stampuar në gen, në kromozonin dhe brendësinë e qenies, vështirë e shkulshme nga rrjedha e kohës dhe ndryshimet e dokeve dhe e pranisë urbane. Njerëz që mburren vend e pa vend, që bërtasin, që “dramatizojnë” gjendje të rëndomta e çikërrima jete si personazhet e Dostojevskit, dëshira për krekosje dhe karshillëk. Dhe sidomos kaosi, “rrumpalla”, jo thjesht e godinave që prishën qytetet, por ajo e mendjes, që mbërrin gjer te kaosi i shtetit dhe i pamundësisë së ndryshimit, ose thënë më saktë tek ambientimi me të keqen, pasiviteti, indiferenca dhe vrasja e nervit të kundërshtimit dhe protestës. Një histori cilësish thuajse arketipale të njeriut shqiptar që veçse vendosen në kohët e fundme të periudhës së tranzicionit dhe kanë përsipër petkun e tyre urban, gropat dhe zgafellet morale të komunizmit ende të hapura, krenari boshe njerëzish që vegjetojnë me paradigmat idioteske të një antikohe sa të hershme aq dhe aktuale, me gjithë produktet e kalbura të saj që helomojnë klimën politike e sociale të vendit (ish komunistët dhe ish komunizmi me surratin e trukuar si “demokratik”).

Listohen një skotë pa fund njerëzish dhe gjësendesh të zhbira e të përbuzshme, idiotësi pa numër, krime, përshfaqje neverish e rëndomtësish që të bëjnë të qeshësh sa dhe të ulërish nga marazi, kinse përparime, kinse vlera, jetë kafenesh e shpenzime pa tru të jetës, bastadrimi i gjuhës, snobizmi qesharak, letërsia e shkalafitur mbetur në mjerim të plotë, e sulmuar egër nga kich-i dhe hiçi përmes shtëpive botuese spekulative si “Libra-Seks dhe Politikë”, në emër të modernizmit dhe thyerjeve të “tabuve”, duke e goditur në zemër misionin e shkrimtarit si një farë “prifti-estet”. Duhet shënuar me takt se autori mund të ishte paksa më i kujdesshëm në përdorimin e qasjes publicistike, e cila vjen disi me tepri, me qëllim që ajo të mos ngrinte kryet, përkundrazi të tretej ëmbël në formë përsiatjesh, meditimi e sidomos emocioni e përjetimi psikologjik të drejtpërdrejtë të Viktor N.

Nga skota e politikanëve që e kanë kthyer prosperitetin dhe mbrojtjen e interesave të vendit dhe të qytetarëve në kamje dhe mbrojtje të interesave të tyre prej hajdutësh, spikat figura e përzishme thuajse groteske e zonjës Xhulietë. Është një politikane e rangut të lartë, e cila nën sloganin e “luftës kundër komunistëve” është bërë po vetë një “zonjë e zezë”, si e ashtuquajtura gruaja e diktatorit. Kjo politikane jeton po njësoj si sivëllezërit e saj të dikurshëm “bllokmenë”, rrethuar me ushtarë me automatikë dhe syze të zeza, në shtëpi luksoze por ku ulërin gjithsesi provincionalizmi dhe rëndomtësia e shijes. Sado që komunizmi në “letër” ka kapitulluar, në fakt ai veçse ka ndryshuar trajtë, ka bërë thjesht transfuzion gjaku, për t’u paraqitur në një tjetër fytyrë, po njësoj përjashtuese për gjithë ata që e refuzojnë. Dhe këtu gjithçka bie rrokapjekthi në një humnerë, në rrethin ciklik të stuhisë në gotën e ujit, ku lëvizja shuhet dhe vritet nga fuqia shkatërruese e përsëritjes dhe mungesës së ndërtimit. Figura e Zhuljetës është pikërisht bjerrja dhe tradhëtia e shpresës ndaj gjithë atyre njerëzve që e “kishin me gjithë mend” rezistencën e tyre morale ndaj komunizmit, luftën dhe sakrificat e tyre.

Këta njerëz, që janë vetë e vërteta e antikomunizmit, përjashtohen, anashkalohen, nuk pranohen në vendin e tyre nga klikat e korruptuara politike, paçka se me emra bubullitës si “antikomunistë” etj., njësoj si dhe hajdutët dhe të zvetënuarit e krahut tjetër politik.

Po atëherë, ku është shpresa? Shpresa duket se ka vdekur… Diku thellë teje rri. Ndaj dhe përfundimisht Viktori mbetet fill i vetëm, i strukur diku në një kasolle indianësh në Parkun Richmond të Londrës. Dhe aty, si puhiza e erës në zheg, do ta ndjente veten më në fund të lehtësuar. Në fakt, ai nuk do të ndjente kurrgjë, veçse hiçin e madh, asgjënë, harresën. Dhe ky është, sipas meje, “divorci” më i madh, ai më tragjiku, divorci me të tërën, me shoqërinë, me vetë jetën. Është zhgënjimi total, humbja totale për t’u vetëmjaftuar me një flakëz jete që ende fërgëllon brenda tij, s’dihet pse e s’dihet qysh. Është kahu ekzistencialist.

Dhe romani mbyllet me fjalët: “E rëndësishme është se tani ai ndodhej në një kasolle indiane, në një shtëpi të vetën, dhe asnjeri në këtë botë nuk e di adresën e tij të re. Dhe se ai vetë tashmë nuk kujton asgjë. Kishte ditë që nuk e kishte ndjerë vetën më të lumtur”.
Kjo është gati si paqja dhe amshimi parajsor, ku lëndorja humb, kujtesa humb, dhembja humb, ka veçse një mpirje, një amnezi. Një përhumbje me gjithsej. Mos ndoshta lumturia është vetmia? Thjeshtësia e skajtë? Qenësia e vetëmjaftueshme? Le të jetë çfarë të dojë, por mendja ime shkon vetiu kah tyre. Sepse të gjithë jemi nga pak Viktor në këtë “tallava” shqiptare që të zgërlaq, të shastis, të luan mendç, ndaj dhe ti kërkon që t’i ikësh dhe diku në labirintin e vetmisë së patrazuar e të virgjër të dëgjosh rrahjet e zemrës tënde, veç tëndes… /Gazeta Liberale

LEXO EDHE: Botohet studimi “Malësorja, romani monumental i Kosovës”