Teki Dërvishi, rrugëtimi i udhësit

Nga Veli Karahoda


Ekziston një legjendë urbane sipas të cilës Dërvishi, në dhjetë vitet që punoi me BREGUN E PIKËLLIMIT, më shumë kishte shkruar në muret e apartamentit sesa në letër. Me të mbaruar librin, qe ftuar bojaxhiu për të mbuluar hartën e yjeve — rrugëtimet e Udhësit Lojtar.

Eseistja amerikane Susan Sontag pat thënë për Juan Rulfon se ky, në heshtje e pa bujë, pa pompën e zakonshme të mediokritetit, ia kish dalë të përmbushte atë që mund ta quajmë ëndërr të çdo krijuesi letrar. Thjesht, Rulfo bëri një roman, vetëm një. Shkroi Librin. Një libër. Pedro Paramon. E bëri, pra, Rulfo atë që thellë-thellë në vete e dëshiron çdo shkrimtar që i përvishet punës letrare jo për të bërë famë e nam, por për të sfiduar veten e mbase për të arritur atje ku s’arrihet, gjer në pragun e Rubikonit me synimin e zjarrtë dhe pasionin tekanjoz për t’u hedhur matanë, në anën tjetër të Dyerve të Perceptimit të William Blake-ut: sikur dyert e perceptimit të dëlireshin, çdo gjë do t’i shfaqej njeriut ashtu siç është, e pafund. Sepse njeriu është i mbyllur në vetvete gjermësa sheh gjithçka përmes të çarave të ngushta të shpellës së tij. Ashtu si Rulfo, edhe Teki Dërvishi u dha me mish e me shpirt mbas të pamundurës: të shkruante vetëm Një Libër. Dhe këtë bëri gjatë gjithë jetës së tij: shkroi dhjetëra libra për të arritur deri te Libri. Në fund të çdo libri, me një nënqeshje ironike, na premtonte se këtë libër do ta shkruante përsëri. Atëherë cili ishte kriteri estetik i krijuesit? Gatimi letrar i një amalgami magjik të ëndrrës dhe realitetit? Ç’barrierë të padukshme për të kapërcyer ia kishte vënë vetes krijuesi i prirë për vetëmundim e vetëmohim gjithnjë i shoqëruar nga vetëdija ulëritëse për mundësitë e dështimit? Këto s’mund t’i dimë, por e kuptojmë gjakimin e autorit për të marrë rolin e demiurgut. Mbase duke ngritur lart, si në mitologji, çekanin e rëndë të Thorit, krijuesi mëtoi t’u jepte goditjen fatale demonëve të tij të brendshëm.

Nuk e di.

Por, ç’dobi mund të nxirrte krijuesi nga e gjithë kjo? Asnjë. Letërsia nuk sjell dobi, ajo është e përbotshme, e gjithkujt, madje mund të thuash se i përket gjithësisë, një thërrime vezulluese më shumë në hapësirën e pakufishme të errësirës konstante: një yll i vetmuar në qiellin e bruztë dimëror. Qetësi e mëndafshtë e shtrirë tutje-tëhu në pafundësi, fuqia auditive e së cilës s’mund të krahasohet as me klithmat më të thekshme të njeriut të vdekshëm. Sipas Borgesit, ne shkruajmë gjithmonë një libër të vetëm, një libër që është shkruar më parë dhe që do të shkruhet përsëri. Me zemërgjerësi e kurajë, pa asnjë pretendim për lavdi personale, Borgesi Librin ia atribuon Anonimit. Libri përmban gjithçka, me gjasë të katër kauzat e Aristotelit; aty përshkruhen luftërat, dashuritë pasionante, mëngjeset dhe ndajmuzgjet; aty krijohen kozmogonitë dhe bestytnitë; aty njeriu i trembur i Feuerbachut e trillon zotin, projeksionin e Chimerës, sepse zoti s’është veçse projeksion i jashtëm i natyrës së brendshme të njeriut; aty përshkruhen rrënojat dhe uji magjik i të pavdekshmëve të Borgesit, netët me pasqyrimet e hënës mbi dunat e shkretëtirës dhe hungërimat e tigrit, qytetet imagjinare si Tlöni e Uqbari, mbase edhe ajo dërrasa qesharake e Oliveirës së Cortazarit vendosur mes dy godinash, e cila, ndoshta — në lojë e sipër, me një humor të shëndetshëm dhe me kureshtjen e fëmijës që rreket të zbulojë botën — mund të na shërbejë si një trampolinë metafizike për t’u hedhur “në anën tjetër”. Matanë. Andej. Ku? Mbase në botën e pluhurt të Rulfos, ku të vdekurit ngarendin rrugëve të shkreta, ku zërat dhe pëshpërimat dhe rënkimet njerëzore jehojnë mureve dhe tarabave mbi të cilat kanë mbirë trëndafila të egër. Atje, pra. Matanë. Krijuesi në rolin e Demiurgut e kupton këtë. Në Majë të Sukës së Cërrmjanit. Në Majë të Botës. Më duket se Teki Dërvishi e la këtë botë i zhgënjyer, i papërmbushur dhe i dëshpëruar ngaqë nuk arriti të bënte Librin që ëndërronte. Teki Dërvishi ka gabuar. Ai e la Librin, magnum opusin e tij: Bregun e Pikëllimit. E la Lojtarin e tij të endej përjetësisht rrugëve të botës, një rrugëtim ciklik, platonian ose nietzschean, një kthim i përjetshëm — figurë e frikshme e serpentit Midgar që ka për të kafshuar bishtin e vet gjer në mbarim të kohës, kruspulluar si një rrotë e përkryer pagane mbi varret e Malësisë, një adhurim sakral i Diellit, i dritës eterne që shpërthen mes reve. Mbi të gjitha, në Bregun e Pikëllimit, Dërvishi ka prekur, sipas meje, një temë me shumë rëndësi, atë të identitetit eluziv shqiptar si një dilemë e përhershme kulturore-historike: Perëndim apo Lindje? Ndër kaq, e them pa hezitim se Bregu i Pikëllimit nuk është vetëm legatë letrare e Dërvishit, por e një letërsie të tërë. Një kryevepër e letësisë shqipe. Vallë, e dinte Dërvishi këtë? Nuk e di. Do ta pyesim një ditë. Një gjë e di: Si disident që mbijetoi mrekullisht gullagun jugosllav të Goli Otokut, Dërvishi nuk synoi famë e lavdi, as benefite aparatçikësh, as shpërblime e dekorata pa asnjë vlerë. Në një mënyrë të çuditshme Dërvishi e përmbush, nëse mund të thuhet kështu, njëfarë kriteri shake – speareian: njeriu është fshehur para njerëzve, kurse e vetmja mbrojtje e tij ka qenë se nuk ishte i pranishëm. E kishte për zemër metaforën e mungesës që shkëlqen. E unë them: Dërvishi vezullon e shkëlqen në mungesë, ndërkaq sa qe gjallë, shndritja e tij ka qenë aq lëbyrëse saqë, ta merr mendja, as që është vënë re. Po ju them: mbase Teki Dërvishi nuk ka ekzistuar përnjëmend. Ai erdhi dhe u zhduk, më lejoni të them kështu, në mënyrë lirike dhe ngapak të pavërtetë, si në një legjendë. Erdhi Dërvishi me nurin prej fantazme të Lojtarit vetëm për të përmbushur amanetin e Legjendës: t’ia sillte nanës Doruntinën që ajo pastaj të gjente prehje në varr. Para do kohësh, norvegjezi Knausgård, për të cilin nuk kam ndonjë admirim të veçantë, tha, megjithatë, diçka të vlefshme: në njëfarë mënyre ai kërkoi drejtësi dhe mirënjohje për shkrimtarin norvegjez Tarjei Vesaas. Knausgård, me të drejtë, konstatoi se po të mos ishte norvegjishtja një gjuhë e vogël, Tarjei Vesaas do të duhej të renditej bashkë me shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit njëzetë, me Kafkën, Borgesin, Camusin, Celinén, Cortazarin e të tjerët. Knausgårdi ka të drejtë. Tarje Vesaas, një prozator brilant i neglizhuar padrejtësisht, do ta meritonte këtë. Them pa asnjë hezitim se e njëjta gjë vlen edhe për Teki Dërvishin. Dhe këtë do ta tregojë koha dhe ndoshta edhe vetë Knausgårdi sapo që Dërvishi të përkthehet në norve gjisht. Sidomos Bregu i Pikëllimit, një kryevepër e dramaturgjisë shqiptare që s’mund të krahasohet me asnjë vepër dramatike të shkruar në shqip. Pa Bregun e Pikëllimit, drama shqipe do të ishte shumë e varfër dhe gjithsesi mediokre. Në pika të shkurtra, Bregu i Pikëllimit është konceptuar si një udhëtim prej Udhësi i personazhit Lojtari në një hark kohor nëntëqindvjeçar në kërkim të identitetit krijues dhe kombëtar, në kërkim të Motrës së Nëntë Vëllezërve të vdekur — amanet i Nanës të cilën nuk e merr dhéu pa u përmbushur amaneti. Udhësi Lojtar kthehet në Itakën e tij “as i gjallë as i vdekur”, gozhdohet e zhgozhdohet, herë varroset e herë zhvarroset gjatë rrugëtimit nëpër një ferr tokësor të ngjeshur me ngjarje e me aksidente historike, me personazhe që personifikojnë të mirën dhe të ligën, ndjenjat që ngërthejnë në vete erosin dhe thanatosin — epshin dhe magjepsjen pas vdekjes dhe kalbëzimit, me njerëz të prirur për perversione e dekadencë, etje për pushtet, brutalitet, autoritarizëm dhe tendenca për zbutjen, si te Stoikët, të egërsisë së brendshme të individit, veçse këtu jo përmes kontemplacionit filozofik dhe njohjes, po nëpërmjet kamxhikut, zjarrit dhe hekurit, nënshtrimit e poshtërimit… Ekziston një legjendë urbane sipas të cilës Dërvishi, në dhjetë vitet që punoi me Bregun e Pikëllimit, më shumë kishte shkruar në muret e apartamentit sesa në letër. Me të mbaruar librin, qe ftuar bojaxhiu për të mbuluar hartën e yjeve — rrugëtimet e Udhësit Lojtar. Sa do të doja t’i shihja me sy ato mure, por ama për të gjitha këto do të shkruajë një ditë Fëmija që, sipas legjendës, në vend që të flinte gjumë, kalonte net të tëra duke u sjellë vërdallë tryezës ku artisti përfytej me demonët e tij në natën e thellë. Këtë libër, pra, për yjet dhe për rrugëtimet e Udhësit Lojtar do ta shkruajë dikush tjetër, e unë mezi pres që ta lexoj. Por tani, Bregu i Pikëllimit është këtu. Do të jetë gjithmonë këtu. Dhe, me gjasë, tashmë ju ka rënë në dorë mbas tridhjetë e pesë vjetësh mungese. Atëherë, përse t’ju bezdis më tej? Unë jam veç një portier. Unë mund t’jua hap portën dhe ju mund të hyni brenda për të parë atë që dikur, për shkak të dritës lëbyrëse të indiferencës dhe marrëzisë, nuk keni arritur të shihni.

Bregu i Pikëllimit

ObserverKult

Lexo edhe:

BESA KALAJA: KUR ISHA FËMIJË U MERRJA ERË MOLLËVE