Ashpërsia dhe hiret e burrave malësorë

burrat malësorë

Ashpësia e burrave malësorë

Nga Albert Vataj

Ata i sheh me një vëmendje shastisëse siç shohin eksploratorët shenjat e deshifrimit të një harte të vjetër thesari. Jepesh dorëzën para këtij rebusi, si përpara një përfshirje në zgjidhje. Ndoshta ata nuk mund të thonë asgjë, por gjithçka që ti përpiqesh të perceptosh përtej këtyre portreteve është koha, është jeta, janë gjithë ato ngulmime që i thirrën këto burra si në një betejë.

Pamja e burrave malësor është epike. Bukuria e tyre e ashpër. Ajo është një hir që ngjeth, është një ëndje që drithëron, është një prehje që i blatohet asaj krenarie që imponon.
Mosha, vitet, pesha e rëndë e të përditshmes, mund të lexohen në portretin e këtyre burrave, ndoshta më qartë se çdo ligjërim fjalësh dhe shpengim endës tregimtarie. Rëndonte heshtja e tyre më shumë se çdo fjalë e mendim. Tek ata zëri është më i thellë se honet që kanë kapërcyer për të sfiduar jetën. Sytë janë groposur thellë, por vështrimi i tyre shigjeton si vështrimi i shqiponjës. Rrudhat ua kanë pluguar deri në tjetërsim fytyrën, por pa mundur t’ia zbehin atë hir të ashpër që shkëlqen në shprehinë e tij. Të duket se ata nuk kanë patur kurrë rini.

Sikur kanë dalë nga legjendat për të rrëfyer histori që kurrë nuk i kemi dëgjuar, për të dëshmuar gjëra që ata panë dhe jetuan, për të lënë një gjurmë në kujtesën e një gjenerate, një prej atyre shenjave tregues të një galaksie prej nga ato erdhën.

Nuk ka piktor që guxon ta vërë në provë mjeshtërinë e tij për të realizuar portrete të tillë, që vetë natyra në kohëpaskohe i ka mbrujtur me thëngjij e barut. S’ka skulptor që të sfidojë virtuozitetin e natyrës në deshifrimin e këtyre linjave të garrametshme, e profilesh të thadruara nga erërat e cergëta e flaka e oxhakut.

I ka marrë koha në memuarin e vet, dhe tek ne kanë mbetur këto realitete fotografike, si një cak prej nga ne të mund të ngremë përmendoren e njeriut vigan, e burrit malsor që më shumë se fjala e tij e matur e zëri i tij buçitës, i flet shprehia e fytyrës, një zë i ngërthyer në kodin e fshehtë të kohës dhe ashpërsisë ku ata ishin të zakontët e një realiteti që ka ende diçka për të thënë.

Ata ishin të varfër, por pasuria që lanë është ajo që na detyron t’i jemi mirënjohës, krenaria, nderi, vatani, gjaku. Ata janë pararendësit tanë, të urtë e fisnik, etërit e një amaneti që nxjerr dheu nga gjoksi i vet, ata janë, çfarë ne jemi, shqiptar!

ObserverKult

Lexo edhe:

GJAMA E BURRAVE, ZAKONI UNIK I BURRAVE MALËSORË TË VERIUT

Lexo edhe:

FJODOR TJUTÇEV: KAM NJOHUR DY SY, OH ATA SY…

Kam njohur sy-o, ata sy!
Sa fort i desha, e di një Zot!
Kish kaq magji dhe zjarr aty,
Sa shpirtin s’mund ta shkulnja dot.

N’atë vështrim të pakuptuar
Zbulohej jeta gjer në fund.
Kish kaq pasion të përvëluar
Kaq pikëllim sa s’ka kurrkund!

Dhe shihte rëndë, madhërishëm,
Që nën qepallat me ngadal,
Dhe ish gazmor dhe ish i hijshëm
Dhe si një vojtje ish fatal

Shpesh rrihja shihja i mahnitur,
Por asnjëherë s’munda dot
Që ta vështroj pa u tronditur,
Ta adhuroj pa derdhur lot.

Shqipëroi: Petraq Kolevica

ObserverKult