“Asnjë hije në ceremoninë e Ambasadorit të Paqes”, tregim nga Mehmet Elezi

Nga Mehmet Elezi

Lajmi se bashkia e qytetit B. do të dekorojë me ceremoni një ujk, u duk si gallatë kafenesh. Qyteti ynë e ka në soj hajgaren, kemi edhe traditë karnavalesh. Edhe ftesat për të marrë pjesë në ceremoni u panë si trashje e kësaj gallate, ani pse një ftesë që bën lojna me firmën e kryetarit të bashkisë e me vulën e institucionit, duket si guxim i tepruar. Fjala e përhapur për dekorimin e ujkut u bë më intriguese, kur njerëzit çukitën në faqen zyrtare bashkiaballkan.eu. Një tekst i shkurtë me disa hollësi organizative, ku rreshtoheshin edhe emrat e rrugëve të qytetit që do të bllokoheshin atë ditë për arsye sigurie, shpërndante çdo dyshim. Apo faqja zyrtare e qeverisë vendore është hakeruar?

Portale, kafene e feisbukra gëlojnë, lajmi i shekullit: ujku do të nderohet me titullin Ambasador i Paqes! Ujku Ambasador i Paqes?! Pse jo. Duhet trimëruar, kur jep qartazi shenja se po përqafon vlerat e shoqërisë sonë. Po plojës në vathë, ç’emër t’i vemë?  Dëgjo, në ecsh me kryet kthyer mbrapa, nuk bën kurrë përpara.

Zbardhet zanafilla e dekorimit. I lodhur prej plojës, me sy të lëbyrur, ujku ndalet me marrë frymë pak. Dallon një qingjëz mbështetur te muri. Varra i kullon pikë-pikë, gëzofi i bormë bërë i kuq, në buzë i kanë mbetur dy fije bari, s’ka fuqi me i përtypë. Diçka i ndërmendet nëpër tym ujkut. Po, ia kish ngulur qingjëzës një dhëmb në fyt, e kish lënë kush e di pse dhe ishte kthyer te të tjerat, pastaj e kish harruar. Tashti  ujkut të ngimë i vjen keq për qingjëzën.  E qet në shpinë dhe lëshohet në pikë të vrapit drejt spitalit. Kamerat shkrap e shkrup.

Ndërhyrje kirurgjikore, transfuzion gjaku, qingjëza e merr veten.

– Zoti ujk, akti juaj human na mrekullon. Një sjellje e tillë nuk mund të kalojë pa u vlerësuar. Kemi kënaqësinë t’ju propozojmë për titullin Ambasador i Paqes.  

Pushteti vendor fërgëllon në ethet përgatitore për ceremoninë. Njoftohet një ndryshim programi. Meqë salla e bashkisë është e vogël, ceremonia do të zhvillohet përjashta, në shesh. Shërbimi meteorologjik jep siguri për mot të bukur.  Është ftuar krejt qyteti. Hotelet përreth ding me gazetarë. CNN, BBC, Euronews dërgojnë reporterët më në zë, që kanë raportuar nga vatrat e nxehta të luftës.

Ujkut i vezullon qimja. Ka veshur kostum të zi e kollare flutur. Edhe kryebashkiaku me kostum të zi e kollare flutur. Në sytë e qingjëzës çelin dy luleshqerra. Qerpikët hijeshuar me rimel. Jo, s’është rimel, saktëson karrocieri dhëmbërënë i ndërmarrjes së gjelbërimit, duke ia veshur pelës me kamxhik. Qingjëzën ashtu e ka hijeshuar Zoti, është sykë.  Ujku dhe syka e bardhë si flok bore ecin krah për krah. Ujku përshëndet me elegancë, duke u përkulur lehtazi.

Papritmas qingjëza mpihet, thua e nguruan zanat. Një hap s’e hedh dot. Ndonjë lëvizje pa takt e ujkut, ia ngriu gjakun? Me sytë hapërruar e vështrimin e ngrirë, bukuroshja e vogël, e brishtë, nis me u dridhë. Njerëzit e bashkisë në alarm, nuk mund të lejohet kurrfarë hije mbi ceremoninë. Ia beh me ngut mjeku. Mjeku e këqyr me kujdes qingjëzën. Mbledh buzët, s’kam ç’t’i bëj. Bën me dorë kah bebëzat e kthjellta të sykës. Le me kuptue diçka, që ai nuk e shqipton.

Në sytë e dëlirë të qingjëzës ëngjëllore pasqyrohet një re e lëbardhme tymi. Nëpër të flakërojnë zjarret, ku një varg qingjash po piqen në hell, për drekën zyrtare me të ftuarit VIP në ceremoninë e shpalljes së ujkut Ambasador i Paqes.

ObserverKult


Lexo edhe:

MEHMET ELEZI: LIRIA QE MË E BUKUR SI ËNDËRR