Astrit Stafai: Dikur ishte më e vështirë që të bëhesh këngëtar!

Nuk ka shumë vite mbi supe, por ka një bagazh të begatë në muzikë, pasi që rrugëtimin artistik e nisi shumë herët.

Mysafir yni është kantautori e instrumentisti i njohur Astrit Stafai.

Ju ftojmë ta lexoni intervistën me të!

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi

Jeni rritur në një ambient muzikantësh, pra me prindër muzikantë. Por a ju kujtohet kur është vërejtur talenti, pasioni juaj për muzikën, për instrumentet?

Astrit Stafai: Të lindësh në një ambient ku flitet vetëm për artin, kulturën, për gjëra të bukura të jetës, lirisht mund të them se unë kam qenë njëri ndër ata të paktë me fat. Në familjen Stafai të gjithë janë artistë, insrumentist, këngëtar…

Talenti është një gjë organike, të cilën unë e kam pasur të trashëguar nga prindërit. Është punë gjenetike. Talenti tek ne është vërejtur qysh në moshë të hershme. Mua më ka tërhequr pjesa e botës instrumentale, ku këtu hyjnë instrumentet tradicionale, sharkia, çiftelia e deri te ato klasiket. Edhe këtu ka qenë një fat i madh për mua, sepse kam filluar me instrumentin tradicional çiftelinë. Më ka tërhequr sepse e ka pasur një ton shumë të veçantë dhe autentik. Në moshën 5- vjeçare kam luajtur në piano, 7 vjeçare në kitarë dhe 13 -vjeçare kam arritur të njihem me kulturën botërore të muzikës në përgjithësi.

Por, duhet të theksoj se prej moshës 3-vjeçare kam luajtur në çifteli dhe me rritjen time, jam zhvilluar në aspektin kulturor, profesional. Kuptohet po ashtu falë fatit që kam pasur në jetë ku si fëmijë kam takuar artistë nga të gjitha trevat.

Po shfaqja juaj e parë kur ka qenë para publikut. Keni kënduar apo jeni paraqitur si instrumentist? Na flisni pak për emocionet?

Astrit Stafai: Karrierën time e kam nisur si këngëtar. Kam kënduar me vëllain tim, Arditin. Edhe pse në atë kohë krahas këndimit kam luajtur edhe instrumentet, mirëpo prezantimi para publikut si fëmijë, gjysmë profesional ka qenë prej Akordeve të Kosovës dhe për të vazhduar më tutje nëpër festivale të ndryshme.

Normalisht, emocionet kanë qenë gjithmonë të jashtëzakonshme. Edhe sot e kësaj dite i kemi të njëjta emocionet. Sepse jemi rritur në një kohë kur për ta realizuar një projekt apo një këngë është dashur një kohë më e gjatë dhe punën e kemi kryer me përgjegjësinë maksimale. Për të qenë një artist i mirëfilltë ka qenë goxha një procedurë. Përveç interpretimit është kontrolluar a e kemi diksionin e qartë, melodinë e tekstin ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka qenë githçka e monitoruar që produkti final të jetë në mënyrën më të mirë dhe profesionale. Kam filluar si këngëtar dhe më vonë jam kthyer në vendin ku më ka takuar, pra tek bota e instrumentit dhe bota e organologjisë muzikore.

Ju keni nis këtë rrugëtim me instrumentin e çiftelisë, pastaj pianos, kitarës për të vazhduar pastaj me instrumente të tjera me prejardhje aziatike. Pse pikërisht me çifteli e keni filluar, çka ju ka tërhequr?

Astrit Stafai: Rrugëtimin normal që e kam nisur me instrumentin tradicional shqiptar çiftelinë. Është një rregull në botën e muzikës ku thuhet se nëse nuk e njeh gjuhën tënde mirë atëherë nuk mund t’i njohësh gjuhët e tjera. Nëse nuk e njeh muzikën tradicionale atëherë është shumë e vështirë t’i kuptosh kulturat e tjera muzikore. Në fillim kam filluar me çifteli sepse më ka pëlqyer tingulli dhe jam munduar që përmes çiftelisë të njihem me meloditë tona të bukura që janë realizuar më herët nga instrumentistë e këngëtarë të mëdhenj.

Fillimisht e kam nisur nga folklori, pra nga zanafilla më pas kam shkuar te instrumenti i pianos, jam njohur me teknikat e muzikës klasike. Këtu ka qenë laramania, duke i studiuar ngjyrat apo nuancat e muzikës tonë. Kemi shumë ngjyra të bukura në repertuarin e muzikës shqiptare, klasike, popullore e deri te roku dhe muzika moderne shqiptare.

Pasi që jam njohur me muzikën tonë të bukur shqipe të cilën normal edhe sot e kësaj dite e kultivoj, gjatë rrugëtimit tim jam interesuar edhe për instrumentet e tjera, sepse kam qenë njëri nga artistët eksperimental i cili kam qenë gjithmonë në kërkim të kulturave tjera.

Thjesht e kam marrë njohjen e kulturave tjera se si mendojnë popujt e tjerë. Jam munduar të shikoj tek instrumentet. Thjesht studim për t’i parë konceptet e ndryshme të popujve në aspektin artistik e kulturor. E kam bërë për ta pasuruar bagazhin tim dhe të kem njohje më të mëdha sa i përket instrumenteve të kulturave botërore. Sot e kësaj dite edhe pse i intepretoj instrumentet e kulturave botërore ato mundohem t’i shkrijë në kulturën shqiptare dhe këtë punë e bëj qysh atëherë.

Do të vazhdoj përgjithmonë, pra ta favorizoj muzikën tonë. Muzika shqipe është muzika jonë dhe identiteti jonë kombëtar.

Duke e vërejtur talentin e juaj, me siguri se ishte shumë e lehtë për përcaktimin se për çka do të studionit, apo kishit ndoshta edhe një alternativë të dytë, jo për muzikën…?

Astrit Stafai: Jo gjithëherë gjërat shkojnë sipas planit apo nëse dikush e ka traditë muzikën dhe jo domosdoshmërisht duhet ta vazhdojnë rrugëtimin e prindërve, gjyshit apo dikujt tjetër. Ka raste kur gjeneratat e reja e ndryshojnë kursin dhe marrin e studiojnë gjëra tjera. Por tek ne ka qenë shumë më ndryshe. Ne e kemi pas me të lindur këtë punë. Ka qenë fat i madh jo veç për ne por edhe për prindërit. Sepse është më lehtë për prindërit kur e shohin talentin te fëmijët dhe merren pastaj me investimin e fëmijës në drejtimin e duhur.

Unë dhe vëllai e kemi trashëguar talentin e prindërve, gjyshërve. Kjo është e bukura, pra të përcillet profesioni dhe të mos harrohen emrat e tyre, të jetojnë jo veç nga puna por të jetojnë edhe përmes neve. Kjo është madhështia dhe e bukura e artit. Kjo është fat, luks që njeriu ta bartë këtë përgjegjësi edhe bukuri për të vazhduar traditën e bukur të familjes. Është sikur të lexojmë një roman të bukur, një libër të mbushur me aventura të bukura.

A ua ka lehtësuar rrugëtimin muzikor fakti që prindërit ishin muzikantë?

Astrit Stafai: Unë gjatë karrierës jemi rritur me kritika dhe përgjegjësi të madhe. Normalisht duke i pasur pas vetes njerëzit që janë kujdesur për ne atëherë ka qenë më e lehtë deri te rezultatet e pritura, edhe pse muzika është shumë kërkuese dhe duhet t’i qëndrosh ballë, përndryshe mundësitë janë që mund të dështosh.

Ne kur kemi marrë të krijojmë diçka, po ashtu edhe me vëllanë atëherë tek ne është zhvilluar një parakomision para se me dalë në koncerte te ndryshme me vëllanë.

Ne së pari kontrolloheshim nga prindërit a është çdo gjë në rregull, dhe pastaj vazhdonim në komisionet tjera për tekstet e gjëra tjera. Ka qenë kushtimisht lehtë sepse kemi pasur njerëzit që na kanë drejtuar. Por, ka qenë përgjegjësia më e madhe, shembull unë kam menduar jo vetëm si do të këndoj, por edhe paraprakisht si do të vlerësohem nga prindërit.

Ju jeni kantautor e instrumentist i njohur, me një bagazh mjaft të ngjeshur…, por a mund ta veçoni ndonjërën nga këngët, apo krijimet e juaja solistike dhe pse?

Astrit Stafai: Sa i përket krijimeve artistike muzikore në përgjithësi, qoftë me ansambël, filarmoni apo formacione të ndryshme si grupore, solistike…, ndoshta këtë përgjigje e kam problem. Kjo sepse secili koncert, interpetim e ka vendin e vet në zemrën time. Thjesht mund të them se krejt këto krijime që kanë qenë pjesë e eventeve të ndryshme, në festivale të vendit, rajonale ndërkombëtare, për neve secila performancë e ka të bukurën e vet. Secili event, e ka atë mesazhin e vet. Nuk do të mundja ta veçoja, por po mundohem ta theksoj se lansimi i albumit ‘Decication’, ka qenë për mua një veprim goxha emocional, shpirtnor dhe personal.

Po ndalemi pak te albumi ‘Dediciation’ që veç e përmendët në përgjigjen e juaj të fundit, album ky që është lansuar para dy vitesh. Në këtë album ka krijime solistike shumë të veçanta që vazhdojnë të dëgjohen edhe sot. Dihet se secili artist e jep më të mirën për krijimet e veta por tek ky album a ka diçka të veçantë dhe pse, ndoshta që e dallon nga të tjera krijime të juaja?

Astrit Stafai: Albumi ‘Dedication’ është pëlqyer mjaft shumë nga publiku dhe artdashësit, por edhe të sferave të ndryshme. Kuptohet duke e pasur prapa vetes edhe mesazhin, do ta veçoja se ky album është me përmbajtje emocionale shpirtërore. Ky album është shumë i veçantë për arsye se ishte hera e parë që interpetova në studio me lot nga humbja e nënës. Prindërit e mi dhe një pjesë e artistëve po na mungojnë, e ndjejmë mungesën e tyre. Ky album do të mbetet i veçantë gjatë gjithë jetës time dhe do të mbetet në shpirtin tim.

Ka kohë që nuk ju kemi parë me këngë të reja, pse kjo pauzë?

Astrit Stafai: Unë i takoj dy sferave të muzikës këtu te ne. Unë jam edhe pjesë e kulturës muzikore shqiptare e mbarë shqiptare. Normalisht jam pjesë e kulturës mbarëshqiptare kombëtare dhe muzikës moderne mbarë kombëtare shqiptare. Unë vazhdmisht punoj në këto dy kanale dhe më duhet gjithmonë ta bëj balancin mes këtyre dy kanaleve. Kuptohet, më herët kam qenë shumë aktiv në media dhe interpetimin e këngëve. Por, unë vazhdoj të jem i njëjti, pra në studio edhe në këngët e artistëve dhe intepretimin e veprave të Filarmonisë. Gjithë këngëve të krijimtarive moderne shqiptare. Po ashtu më duhet kohë t’i përkushtohem familjes dhe më është dashur të bëj edhe një balans.

Muzika është shumë kërkuese, kërkon tepër përgjegjësi për tu marrë me të. Por po mundohem të krijoj një balans të bukur duke mos i munguar publikut dhe duke i mbajtur gjallë koncertet. Gjithashtu duke pasuruar CV time me interpetime dhe koncerte të nivelit të lartë artistikë.

Dhe po ashtu të jem një baba shembullor për vajzën time Elinën e cila do të jetë një artiste e radhës. Edhe ajo si unë e ka trashëguar muzikën. Po shpresoj se në të ardhmen të fokusohem për veten por edhe te vajza ime Elina.  

Përveç bashkëpunimeve me artistë të vendit e rajon, ju keni bashkëpunime edhe me artistë botërorë. A mund të na flisni për këtë pjesë, shkurtimisht ?

Astrit Stafai: Kurorëzimi i punës shumëvjeçare, mundi, studimi gjithë atë kohë në muzikë, thjesht kur vjen puna te bashkëpunimet është kënaqësi. Kur një artist arrin të realizoj bashkëpunime të mira është shumë bukur brenda shtetit e mos flasim në rajon e deri te niveli ndërkombëtarë. Muzika është një profesion i bukur që mendoj se duhet të ndahet edhe me të tjerët. Përmes këngëve, teksteve përçojmë mesazhin, pra gjithë luftojmë për një botë, vend më të bukur. Gjatë gjithë kohës kam bashkëpunime në vend rajon e botë. Është një ndjenjë shumë e mirë kur puna e mundi yt vlerësohet edhe në suaza ndërkombëtare.

A keni pasur ndonjë moment në skenë ku je ndjerë i emocionuar dhe ndoshta nuk i keni mbajtur lotët (momente të bukura apo prekëse).

Astrit Stafai: Vet muzika si profesion është jo vetëm tërheqëse por shumë emocionale. Përmes tingullit, harmonisë, mundohemi jo vetëm për të kënaqur veten por atë emocion mundohemi ta ndajmë edhe me publikun. Kam pasur shumë momente të bukura, është edhe ajo pjesa shumë emocionale në art, kulturë ku po nuk pate emocion nuk mund ta krijosh një atmosferë apo moment të bukur. Të hysh në një energji, në një vijë me publikun. Do ta veçoja një koncert ku kam qenë si orkestrues, nuk kam interpretuar, por thjesht do doja ta ndaja pasi është një moment i veçantë për mua.

Bëhet fjalë për një koncert që i është dedikuar babait, axhës tim, doajenve dhe njerëzve që i kanë dhënë kulturës shqiptare shumë. Ka qenë momenti kur kam qarë. Por, kanë qenë lot gëzimi e krenarie. Është intepretuar nga Ansambli Shtetëror i Valleve të Maqedonisë së Veriut. Ka qenë moment i veçantë gëzimi. Bile edhe tash derisa po ju tregoj për këtë rast i kam thuajse emocionet e njëjta.

Tregu muzikor sot, si ju duket? A ka shpresë se muzika e bukur, e mirëfilltë do të ‘mbijetoj’ nga këto rryma, e zhanre të ditëve të sotme?

Astrit Stafai: Secili artist, zhanër e ka vendin e vet. Normalisht ka dallime mes gjeneratash. Ne si gjeneratë e mesme jemi rritur me këngë të mirëfillta. Ende e kemi atë ndjesinë e kohës së artë kur është zhvilluar muzika e mirëfilltë.

Derisa krijohen këngë të bukura, është në rregull. Thjesht do të doja që artistët e zhanreve të reja të kenë kujdes në profesionalizimin apo kryerjen e detyrës si artist në mënyrën më të mirë apo profesionale.

Po puna deri te një këngë, krijim, a mendoni se ka ndryshuar nga koha kur keni nisur ju të këndoni? Pra, sot këngëtarët lansojnë këngë solo më shpesh, nuk preferojnë albumet. Cili është komenti juaj?

Astrit Stafai: Mënyra se si është krijuar një këngë, apo vepër dhe si është trajtuar në atë kohë ka një dallim drastik me sot. Kjo sepse ka evoluar çdo gjë. Duke marrë parasysh se kanë qenë mjetet më primitive, por ka pasur edhe trajtim kënga në mënyrën më të mirë të mundshme, mbikqyrje nga komisione të ndryshme.

Atëherë ka qenë më e vështirë për t’u bërë këngëtar. Sot teknologjia ia lehtëson artistëve për të realizuar këngët. Dhe sot nuk ka komisione si atëherë që të shihet, analizohet për të parë se a duhet të dalë në treg.

Sot, gjithçka ka pësuar ndryshim, qoftë një intepretim solistik në atë kohë dhe sot shohim një dallim drastik. Nëse kthehemi pas në kohë, dikur kanë qenë mjetet më primitive por artistët i kanë dhënë këngës shije, jetë, duke ju falenderuar komisioneve të ndryshme. Kuptohet në atë kohë ka qenë shumë më vështirë të bëhesh një interpret apo artist. Ka qenë një proces me të cilën është dashur të kaloj artisti, ku është shqyrtuar teksti, vija melodike…

Një proces shumë kërkues, ndërsa me zhvillimin e teknologjisë muzikore, sot e kanë shumë më të lehtë. Sot po e kanë më të lehtë ta regjistrojnë këngën. Sot nuk e kemi komisionin e vlerësimit kritik për të parë a ja vlen me dalë ajo këngë. Unë prapë do të sugjeroja edhe pse në ditët e sotme janë të gjitha kushtet mos të harrohet që këngës t’i ipet shpirt interpetimit, realizimi të jetë sa më profesional.

Më herët është dashur shumë më shumë kohë për realizimin e një albumi. Është vlerësuar një artist i cili ka pasur një opus më të gjerë përmes albumit ndërsa trendi i kohës së sotme e kanë më të lehtë të arrijnë më shpejt deri të fama, rezultati i duhur. Sot janë kushtet shumë të mira që një artit të arrijë rezultate sa më të mira. Por, të kenë kujdes që produktin që e nxjerin ta ketë jetëgjatësinë më të madhe, si dikur.

A ka ndonjë peng në jetën e juaj, qoftë në muzikë apo në jetë, në përgjithësi që nuk keni arritur ta realizoni?

Astrit Stafai: Deri sot kam realizuar shumë, shumë projekte që i kam pasur ëndërr e dëshiruar. Kemi ende muzikë për t’i dhënë pubikut. Por thjesht muzika është kërkuese, është një profesion që kërkon që ti të jesh aktiv në përgjithësi dhe normal përmes punës, muzikës dhe intepretimeve përmbushemi shpirtërisht dhe nuk i lëmë hapësirë vetit të themi pse nuk e bëra një gjë të tillë. Ne mundohemi gjithmonë të përmbushemi jo veç në aspektin muzikor por edhe ta plotësojmë Cv tonë.

Një pjesë të madhe nga ajo të cilën e kam dëshiruar gjithmonë, e kam realizuar. Normalisht kërkesat e dëshirat janë të pafundme. Nuk më ka mbetur ndonjë peng për të cilën më mbetet ‘merak’ .

A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri?

Astrit Stafai: Pas albumit ‘Dedication’ e kam realizuar albumin e ri i cili është gati, quhet Aura. Po pres gjatë muajit shtator t’i realizoj edhe videot e albumit. Audio është inçizuar edhe gjithçka është gati. Kjo është më e reja, do të thotë nga një pjesë, dhe unë normal do të jem pjesë e koncerteve të formateve të ndryshme si dhe çkado që të ketë normalisht se do të jemi aktiv .

Porosia juaj për ata që e duan muzikën, që dëshirojnë ta nisin këtë rrugëtim?

Astrit Stafai: Porosia ime, si një artist i cili e ka bërë një rrugë goxha të gjatë për artistët e rinj është që të kenë kujdes që kur të fillojnë këtë rrugëtim ta kenë durimin, edukatën e duhur.

Pastaj të kenë kujdes të kërkojnë që ta krijojnë stilin e tyre, ta krijojnë imazhin, identitetin e tyre muzikor. Kjo normalisht nëse duan të kenë sukses. /ObserverKult


Lexo edhe:

BLERIM GRUBI: MË DETYRUAN TË HIQJA DORË NGA VIOLINA…

Blerim Grubi, violinisti i njohur nga Shkupi, i rritur në një familje ku gjeneratë pas gjenerate e kishin pasion muzikën nuk kishte si të ndiqte rrugë tjetër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult