Át Donat Kurti: Rruga e Plepavet

Nga Át Donat Kurti

E kishe ndie sá herë êmnin…” Rruga e Plepavet”, ,e e mendojshe të ngushtë e të gjatë e të fresktë, tanë hije, me rreshta plepash nder të dyja anët, si dý mure të nalta gjethinash, me pjergulla aty-këtû të kapuna per plepa, e mbushë me çerdhe zogjësh e me cicerime të tyne; por nuk më kishte rá rasa me shkue me e pá, e as nuk e dijshe mirë, se në çë krah gjindej.

Kaluen vjet e vjet e më rá dikúr nevoja me e kerkue ket rrugë, e kjén fëmijet ata, qi më diftuen, tuj bâ buzen në gaz: “Qe, kjo âsht Rruga e Plepaveť”. Menjiherë u davarit paraqitja fantastike e më duel perpara nji pejsazhë i gjallë e i bukur.

Qýsh në të hîm të rruges shifen anash plepa të rí, e kah fundi plepa të naltë e të shpeshtë me degë të perputhuna per trung, mbushë me gjeth të bardhemtë e të blertë, qi levizin padá prej mâ së lehtes erë. Këta plepa pádyshim i a kanë dhanë êmnin rrugës.

Rruga ishte e drejtë e bukur e gjânë aq, sá me kalue dy kamjona. Mbas nja 400 a 500 metrash mbyllet prej nji vëneshte, ngjat së cillës âsht nji fabrikë e vogel pijet.

Nder dý anët e rrugës shef gardhiqe kallamash e llajkash të veshuna me blerim, mâ teper me lule, e pak mure t’ulta. Shpijat në pergjithsí janë të vogla.

Ato janë të çueme me dý-trí kambë shkallë, per me i pështue ujit, qi vjetë- vjetë mund të bijë Kiri. Aty-ketû të bîjn në sŷ grumbuj kallamash të gjatë, tufat e të cillve i lëkundë era tash-e-parë. Seecilla shpí ká nji oborr të vogel perpara a nji lulishtë, e nji kopshtë me pêmë per brî, ja edhe mbrapa.

Mjafton me u ndalë pak orë në ket rrugë, per me njoftë jeten e banoret e saj. Megjithse âsht si në shmang, larg qanderrs së qytetit d.m.th. kah Lindja e tij në krah prej Kirit, prap mund të thohet, se kjo rrugë âsht mjaft e gëzueshme e e gjallë: Në çdo orë të ditës, prej nadet e deri në mbrame vonë, gjén fëmijë me shumicë grumbuj-grumbuj.

Ata janë me moshë të ndryshme: prej dý vjeç e deri në katermbdhetë: luejn, bertasin, marrin mbrapa njêni-tjetrin, këndojn, fishkllojn e dikush edhe kján. Në të njajten kohë shef fëmijë të vogjel, qi, kapë dora-doras, xânë rrugen e knaqen, tuj persritë me zâ të naltë si në ngadhnjim: “Kemi xânë rrugen! Kemi xânë rrugen!” Shef tjerë, qi me dhetë pash vend kanë fushen e topit…Mandej tjerë, qi kerkojnë skutat e dyerve per me u mshehë me lojen “Kúk!”; shef fëmijë të vocerr, qi këndojnë me gjysa fjalësh, qi nuk i kupton kush; mandej varza të vogla, qi luejn, tuj bâ zhurmë të madhe “Ferraparríz”, ja qi këcejn me konop.

Nder praqe të dyerve shef pleq e plaka kah rríjn e ruejn fëmijet e shpís, qi mos t’i rrahë kush a qi mos t’i xâjë ndo’i automobil a karrocë: aty-këtu të bîjn në sy edhe nana të reja me fëmijë hopa, tuj shetitë në diell, ja tuj i mesue fëmijët me i shndrrue hapat e parë.

Ngjat vëneshtës, në fund të rrugës, asht edhe nji fermë e vogel; aty drejtohen padá karroca me pleh, me drû e me rraqe të tjera, si edhe në vjeshtë kamjonat çojn në fabrikë të pijes rrush, kumbulla, fiq, fuçija e shishe boshe; nuk mungojnë veturat me npunsa, si edhe motoçikletat e biçikletat me puntorë. Me gjith ket levizje mjetesh per udhtim, nuk mbahet mend se ka ndodhë nder fëmijë ndo’i fatkeqsí.

Rruga e plepave âsht e shtrueme me asfalt. Të bjen në sŷ kujdesi, qi kanë grát e varzat, per me e mbajtë dlirtë. Çdo të shtunde, e veres, të thuesh, çdo ditë gjithkush e lagë e e shîn rrugen perpara shpís së vet; kështu rruga t’ep përshtypjen, se njerzët qi banojnë atý, mendojn per të miren e perbashktë, per shëndet e per pastrí, e kerkojnë me e bâ rrugen e vet sá mâ terhjekse per shetí, per argtime e per ndêjë.

Në fillim të rruges âsht nji çezme me një të bartun me qynga, e s’pushon tuj qitë verë e dimen. Shum shpija kanë truma neper oborre të shpijave të veta.

“Rruga e Plepavet” âsht e banueme prej katundareve e prej malcoreve të rám në qytet nder këto 30-40 vjetët e fundshme. I kanë bâ vend njêni-tjetrit, tuj blé tokë e tuj ndreqë shpija edhe per ilakatë e vet. Aty gjên vëllazen të dám e njerz të farë-e-fisit, qi jetojnë si fëqij të mirë.

Seicilli kqyrë punen e vet, e mundohen me shkue mirë njêni me tjetrin e me ndimue nder nevojë të ndryshme.

Puntorët e puntoret shkojnë në punë heret e kthejn të lodhun në mbrame vonë a në zheg të dites, e nuk u tokon me u bashkue me shokë të rrugës veç nder diella e nder të kremte; prandaj “Rruga e Plepavet” âsht mâ teper rruga e fëmijeve se sá e të mëdhajve Tuj e pasë perpara sŷsh thjeshtsín e jetës së familjeve, qi banojn në ket rrugë; gjendjen në pergjithsi mesatare a të vorfen; të hîmet e të dalunat pak si të rralla e të dishrueme, si edhe largsín prej zêmers së qytetit, nuk mund të mendohet, se kjo rrugë asht shesh ndodhjesh me randsí.

Aty punët, qi ndodhin dita-ditës nuk kanë pse me u marrë në shênjim; ato nuk kanë ndonji vlerë: ato persriten e harrohen, pse janë të zakonshme; megjithkëta kureshta t’i hapë syt e veshët e nder gjith ato ndodhje, qi ndiekin njena tjetren, gjên njeri shka me kallxue, si per të mirë, si per të keq, e kështu mund të merret shkas me e naltue virtytin e me e dënue vesin.

“Rruga e Plepavet” plot diell, plot ajr të paster, plot me pêmë, me lule, me dlirsí e me qetsí i flet setcillit per nevojë, qi ká njeri shum herë me u shkëputë prej zhurmës së jetës tanë dredhí, tanë padrejtsí e merzí, e me ndëjë në qetsí, tuj shijue jeten e thjeshtë të familjes e argtimit të patëkeq të fëmijeve. Kjo âsht jeta, qi të pertrin fuqit e të knaqë shpirtin; por qi shumkush nuk ia din vleren.

Lum kush prej sendeve të thjeshta merr shkas me xânë dishka të mirë e të dobishme, e kështu e shton gëzimin në jetën e vet e të tjerve.

Fëmijet mandej, qi kanë nevojë per shum mësime, ata posaçe, tuj e pá vedin, si per kalim në “Rrugen e Plepavet”, kanë me ndeshë nder kallxime, qi u pergjajn atyne ndodhjeve të perditshme të jetës së tyne, e, pá dyshim, kanë me qeshë; por, po kjenë pak të kuptueshëm e me mend, shpesh kanë me e ndie nevojen, per me u qortue e per me u bâ mâ të mirë e mâ të vjefshem.

ObserverKult


dantja ka shkru per ne at zef pllumi observerkult

Lexo edhe:

HOMAZH AT ZEF PLLUMIT QË RROJTI PËR TË KUJTUAR

Ministria e Kulturës e Shqipërisë bëri të ditur se muaji shkurt do të jetë edhe “Muaji i Kujtesës”.

Pikërisht kështu është emëruar, pasi ky muaj do t’i kushtohet viktimave të sistemit komunist në Shqipëri, i cili veç të tjerëve, nuk kurseu as intelektualët që i kanë shërbyer Shqipërisë duke i sakrifikuar ata “Në emër të popullit”.

“E kemi pagëzuar “Muajin e kujtesës”, një vijim i natyrshëm i një dite ndërkombëtare, kushtuar viktimave të Holokaustit. Gjatë këtij muaji do të kujtojmë martirët tanë, viktimat e një sistemi vrastar, që u sakrifikuan për mendimin, fjalën e lirë dhe besimin në Zot. Do të mbeten përherë të përjetshëm dhe shembuj frymëzimi”, shprehet Ministria e Kulturës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


dashuria borges është libri dashuria poezi nga borges
Jorge Luis Borges

BORGES: ME KOHË MËSOHET SE DASHNI S’DO ME THANË ME SHKUE N’SHTRAT…

Poezi nga Jorge Luis Borges

Me kohë mësohet edhe ai ndryshim i brishtë
midis marrjes përdore dhe prangimit shpirtnor,
mësohet se dashni s’do me thanë me shkue n’shtrat,
e shoqni s’do me thanë se je i sigurt,
dhe kështu çdonjeni prej nesh nisë me mësue…
Se puthjet s’janë kurrsesi kontrata,
as dhuratat s’janë aspak premtime,
e kushdo nis me i pranue humbjet e veta
kryenaltë e me sy t’hapun mirë, e kushdo mëson me i zbulue
ma mirë shtigjet e veta të s’përditshmes,
pse toka nesër ka me qenë ma e pasigurt tuj thurë andrra…
e të ardhmet kanë me e pasë formën e nji rr’zimi përgjysë.

Me kohë kushdo mëson
n’se asht e tepërt dhe ngroftësia e diellit që djeg.
Prandej, dikush e mbjell kopshtin e vet me e shndritë shpirtin,
në vend që t’presi prej ndokujt mos po i bjen lule;
dikush mëson n’se mundet me u mbajtë mbas dikujt
që vërtet asht i fortë, e n’se tjetri vlen me gjith’ mend
dhe se prej tij mund edhe të mësohet.
Dhe mësohet… përditë mësohet.

Me kohë mësohet se me ndejtë me dikë
pse t’ka ofrue nji t’ardhme ma t’mirë, domethanë herët
a vonë dishron me u kthye në të shkueme.
Me kohë kuptohet se veç kush asht i zoti me dashtë
njashtu edhe me dobësitë e veta, pa u ndryshue,
mundet me ju ofrue lumtuninë që ju dishroni.
Me kohë keni me u kujtue, se tuj i ndejtë sa ma afër
nji njeriu veç me i ba shoqni vetmisë suej,
n’mënyrë të pashmangshme, keni dashtë mos me e pa kurrë ate.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult