Liridon Mulaj: Shkrimtaria do të ishte fraku që do ta zgjidhja gjithmonë për ta veshur!

liridon mulaj

Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Liridon Mulaj:

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

Nuk jam i qartë ta kujtoj këtë moment. Di që në vogëli kam lexuar shumë libra për të rritur dhe sot kur më pyesin për librat e fëmijërisë, më mungon përkimi i moshës me llojin e librit. “Kronikë në gur” me kopertinën  e trashë jeshile apo “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ishin peshat e rënda të letërsisë të cilat i kam kaluar në duar shumë herët, sigurisht për t’iu ritkhyer më vonë.
Por edhe librat për fëmijë në një periudhë të shkurtër patën peshën e tyre. I kërkonte koha, intelekti në formim, kënaqësia estetike e fëmijës ëndërrimtar. Jam mahnitur nga Mujo dhe Halili dhe tregimet e moçme shqiptare në tërësi, por di të ketë qenë libri “Aventurat e Mirosh Guximtarit” që ka lënë gjurmë të thella tek unë. 
Pasi e kam lexuar kam pyetur veten “Si është e mundur të shkruhet një libër i tillë?”. Sigurisht për moshën që isha, aventurat e Miroshit më mahnisnin.  Por, çuditërisht të njëjtën pyetje vazhdoj ia bëj dhe sot vetes kur lexoj romane të mëdhenj si “Zorba” i Kazanxaqis apo “Mbi heronjtë dhe varret” të Sabatos.
Pra mendoj se kontakti i parë me letërsinë do të ketë qenë një formë e lartë e ngazëllimit  i cili mbetet brenda njeriut si gjymtyrë shtesë, dhe që nuk shkulet më prej tij. I gjithë procesi elaborohej si i tillë dhe vinte në dy format që përbënin eksperiencën e leximit të një libri që nga ana fizike e cila kushtëzohej nga aroma e letrës, lidhja, kopertina deri te transmetimi metafizik që është dhe thelbi i letërsisë. 
Të përjetosh dramat, dhimbjet apo gëzimet e personazhit. Pra e gjithë pervoja ngjante me një ngjarje të rëndësishme. Leximi i një libri në fëmijërinë time ishte një ngjarje që niste me mahnitjen fillestare dhe mbyllej me katarsisin që përjetonte karakteri dhe brendia Liridonit fëmijë.

Kur ratë në ‘grackën” e saj?

Atëherë kur kuptova se kisha njëfarë talenti dhe se leximi ishtë një nga burimet kryesore që shërbente për të konkretizuar këtë talent. Nisa të shkruaj vjersha me rimë për tema krejtësisht lirike. Natyra, lulet, dashuria për mësuesin, nënën e deri tëk vargëzimi i tragjedive kombëtare frymëzuar sistematikisht prej poezisë epike të Fishtës.
Ka qenë një periudhë kur isha kthyer në një fëmijë asocial, dhe krejt mangësitë e atij komunikimi të nevojshëm më botën i shndërroja në vargje. Shpesh letërsia lind si revoltë ndaj realitetit. Isha një fëmijë i lindur në vitet fundit të diktaturës dhe po rritesha në një kohë thellësisht dilematike. Si duket ky ambient ka ndikuar në ndrydhjen time në lidhje me njerëzit dhe ka shkrydhur atë të krijimit dhe imagjinatës.
Më vonë në post adoleshencë për shembull jeta ime mori dinamika të reja dhe në shumë raste e kam ndjerë veten të paaftë të shkruaj.  Ndodh pothuajse gjithmonë kështu. Ose krijon personazhe ose je vetë personazh.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

Ndoshta kur botova romanin e dytë “Mos harro të më kujtosh”. Mendoj se shkrimtari përtej talentit duhet edhe të punojë shumë. Kam studiuar sëmundjet e gjakut, procesin e përgatitjes së metforminës (preparatit që përdorin njerëzit me probleme të diabetit), lutjet individuale kishtare katolike, procesin e marrjes në pyetje të hetuesve, tipologjinë dhe psikozën e një grupi individësh me probleme të shëndetit mendor (depresionit,ankthit, paranojës, haluçinacionet ) etj., për t’i bërë personazhet e mi sa më të vërtetë.
Pra, kjo është bindja ime, që një roman përtej narracionit që buron nga një frymëzim dhe kultivim letrar, duhet të përmbajë dhe disa fakte e të dhëna reale dhe të vërteta. Ndoshta ky është një perceptim akademik i krijmtarisë, por romanet e mëdha përveç fictionit kanë dhe shumë informacion. Mandej romani u prit menjëherë me kuriozitet të madh nga lexuesi çka reflektoi dhe në shitjet e tij, por dhe në vlerësimet dhe kritikat ndaj tij.
Shtoji këtyre dhe dy nominime të rëndësishme të romanit i cili  arriti të jetë finalist i Çmimit Europian të letërsisë dhe çmimit kombëtar që jepet nga Ministria e Kulturës mes emrave të afirmuar tashmë  të letërsisë shqipe. Të gjitha këto më bënë të besoj se kam shkruar diçka që vlen.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimenzionale vetes “Pse shkruaj”?

Sa herë ulem para kompjuterit kjo është pyetja e parë që i bëj vetes. Dhe më beso gjithmonë zhytem në një simptomë të qerthullit kronik mendor që më shtyn ta mbyll lap topin i turpëruar. Mendoj dhe pyes veten: Kujt dreqin i hynë në punë librat e mi në një botë kur po diskutohet buka, qumështi, transporti e shumë e shumë mungesa bazike që sigurojnë ekzistencën fizike. Mandej ia nis. Shkruaj pak dhe e ndërpres shpesh.
E gjithë letërsia ime e shkruar është karakterizuar nga dilema e kotësisë së produktit letrar dhe jo vetëm librave të mi por të letërsisë së sotme të shkruar në vend dhe në botë. Gjithçka është thënë, gjithçka është përjetuar dhe shkruar. Pse dreqin shkruajmë ne? Ndoshta për të  vazhduar një traditë apo për të lënë gjurmë, apo qoftë për t’u bërë të njohur në qarqe letrare të qytetit. Dhe në këtë pikë mendoj se letërsia si angazhim shpesh nis e merr trajtën e një sipërmarrjeje krejtësisht egoiste që devijon nga thelbi i saj.
Në rastin tim kam zgjedhur të shkruaj se ndoshta s’di të bëj asgjë tjetër më mirë. Se vazhdoj të jem ai fëmija asocial që e refuzon realitetin dhe e përqesh atë. Se ndoshta ndihem i pafuqishëm të ndryshoj jetën e njerëzve nëpërmjet politikës dhe zgjedh ta bëj me letërsi.
Dhe për t’i shtuar arsyeve të mësipërme një fakt që i fut të gjithë shkrimtarët në një hulli dakordësuese më duhet të them se s’ka lumturi më të madhe kur një lexues të shkruan për të të thënë se romani yt e ka lënë pa gjumë, apo e ka shtyrë të reflektojë për ditë me radhë. Këto janë xixëllonjat që bëjnë paksa dritë në terrin e madh ekzistencial të dilemës që shtrohet në pyetje.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

Ndoshta fakti se kam zgjedhur të rrok temat e prekshme të përditshmërisë sonë. Nuk e kam jetuar komunizmin dhe i përkas atij brezi shkrimtarësh të tranzicionit. Jemi brezi i rritur në një mjegullnajë të trashë politike, sociale, ekonomike me synime të përçudnuara që në zanafillë ndaj krejt këtë mospërmbushje të personalitetit jam munduar ta parashtroj si një fakt që hyn në temat e dhimbshme të historisë sonë post-komuniste. 

Nuk di të shkruaj realizëm magjik. Nuk di të implementoj brenda romaneve të mia as subjekte amerikanadash. Dhe si një frikacak i madh që nuk guxon të  eksperimentojë kam zgjedhur të shkruaj për dramat e brezit tim, ato drama që i njoh mirë, shenjat e të cilave i kam thellë ne shpirtin dhe karakterin tim. Fundja vetes nuk i shpëtojme dot as në fiction.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

Kam thënë saktësisht atë që kam pasur në mendje. Kam dashur të ngre një apel mbi kujdesin dhe vëmendjen e njeriut për njeriun. Të tallem me arrogancën e njeriut i cili mendon se kjo botë është hapësira që mund ta zaptohet përjetësisht. Kam shkruar për efektet shkatërruese të sistemeve mbi njeriun e dobët. Për dramat e dashurive të humbura. Për emigracionin dhe faktin që i përkas një periudhë të historisë ku je i ndëshkuar të vuash nga kujtimet e pakta me njerëzit e gjakut, vëllezërit, motrat , kushërinjtë dhe je krejtësisht i privuar nga lumturia e të ndjekurit në përditshmëri të procesit të rritjes së nipërve dhe mbesave.

liridon mulaj
Liridon Mulaj

Pra, emigracioni krijoi njeriun teorik, që ekziston por nuk bashkëndan me të praninë fizike dhe shpirtërore. Nuk kam arritur ta përjetoj kurrë emocionin që shkakton dalja e dhëmbit të parë te mbesat e mia që jetojnë në Gjermani, apo rrugën që kanë përshkuar nipat e mi nga shtëpia në shkollë në ditën e parë të shkollës. Ndryshimet e tyre fizike dhe pubertetin e rëndë të qenies njerëzore bash në moshën kur nuk e kupton se çfarë ndodh me trupin dhe dilemat kërkojnë përgjigje.  Dashurinë e parë  të tyre. Herën e parë kur iu është thyer zemra. Kur janë bulizuar si emigrantë nga moshatarët e tyre vendas. Kur kanë pasur nevojë qoftë dhe për një përqafim, një këshillë. Apo kur unë kam pasur nevojë të ndihem pjesë integrale e jetës së tyre dhe ndryshimeve të tyre gjatë rritjes.

Kam shkruar për shkurtësinë e jetës dhe padrejtësitë që ajo sjell me vete për të mos i shpaguar kurrë. Koha e humbur nuk rifitohet më. Ajo kalcifikohet në vetëdijen dhe shpirtin e individit e për rrjedhojë edhe të shkrimtarit. Këto jam munduar të them, ndoshta më shumë si nevojë për ta ndarë peshën e madhe të ekzistencës me lexuesit e mi.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

Shumëçka. Besoj se jam ende i ri për të mbaruar punë me dëshminë. Pakti im është të mbetem kronikan besnik i kohës simë. Ernesto Sabato e parashtron këtë në manualet e tij për shkrimtarin e ri. Por, mendoj se sa të ketë jetë ka ngjarje dhe sa të ketë ngjarje do të ketë shkrimtarë. Por, edhe po nuk pat ngjarje shkrimtari është i detyruar t’i shpikë dhe t’i shërbejë si realitete që do t’ia mbërrijnë herë do kur.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së parreshtur?

Të dyja janë burime të letërsisë. Muza është thelbësore si burim, puna po ashtu.  E rëndësishme është thirrja që ke brenda vetes në një periudhë të jetës. Ajo thirrje që udhëheq drejt një rrugë të gjatë dhe të mundimshme në krijime opusin tënd letrar, pra asaj trashëgimie që t’i ke vendosur t’ia lësh botës si një bindje ndaj thirrjes së brendshme.

Përsa i përket punës, letërsia është kërkim dhe studim. Shpesh e them se për një shkrimtar nuk ekziston leximi si kënaqësi estetike. Gjithmonë shkrimtari lexon dhe analizon duke mbajtur shënime fjalë të reja, zhvillime të befasishme të subjektit, apo fraza të tëra që i japin kuptim le të themi narracionit të veprës. Pra leximi me qëllim parësor kënaqësinë estetike nuk ekziston te një shkrimtar. Pothuajse gjithmonë ekzistojnë lexime dytësore të veprës, rikthimet. Njëherë si studim dhe mandej si ndijim dhe shijim.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

Shkruaj shumë, por pa rregull. Gjithçka lidhet me gjendjen time emocionale dhe shpirtërore. Më herët shkruaja kur isha i shqetësuar, por kohët e fundit kam vënë re që ndodh e kundërta. Shkruaj kur jam i qetë, diçka që ndodh  rrallë. Por, aq rrallë sa ndodh mundohem ta shfrytëzoj për të sistemuar mendimet dhe për të shkruar. Të shkruarit tashmë për mua është një akt i panegociueshëm, një zakon i domosdoshëm.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

Këtë nuk e di. Dikur doja të bëhesha këngëtar, më pas baterist, pra sërish muzikant.   Fakti që kam studiuar për tre profesione të ndryshme (turizëm, drejtësi dhe komunikim e marrëdhënie publike) dëshmon thellë psikozën e një njeriu të pavendosur.  E gjithë jeta ime është karakterizuar nga një paqartësi e thellë për gjërat që do të doja të bëja. Them se ka qënë fat për mua që kam arritur të shkruaj, të botohem, të pranohem si dikush që ka njëfarë talenti, më pas të lexohem dhe komentohem e në fund të kërkohem si shkrimtar.

Gjithçka ndodh për një arsye dhe fakti që unë sot shkruaj mendoj se ka qenë një destin i pashmangshëm që ka amalgamuar përjetimet e mia me fictionin dhe nevojën për të rrëfyer.  Thënë ndryshe nëse në garderobën e jetës sime, profesionet dhe aspiratat do të ishin veshje, shkrimtaria do të ishte fraku që do ta zgjidhja gjithmonë për të veshur.

ObserverKult

Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA LIRIDON MULAJ

LIRIDON MULAJ: NUK E KAM GDHEND VETIN MBI DIPLOMA MASTERASH

LIRIDON MULAJ: VARFNIA ASHT ACARUESE…

POEZI NGA LIRIDON MULAJ: IKËM, IKËM, IKËM…

LIRIDON MULAJ: M’BESO! ASHT E RANDË ME KANË MALSUER!

LIRIDON MULAJ: DITËN QI T’MOS M’DUESH MA, MA THUEJ…