At Zef Pllumi: Shikime për historinë tonë kombëtare
Pothuej po mbushen njiqind vjet që në vendin tonë, në Vlonë, u shpall pavarësia kombëtare nga Ismail Qemal Bej Vlora, i rrethuem prej përfaqsuesve të tjerë nga të katër anët e Shqipnís. Kje nji çast historik, tue mos marrë parasysh se si e kush e organizoi.
Vendi ynë mbas nji robnie osmane gadi pesëqindvjeçare shpallej i lirë e i mosmëvarun “kështu thotë dokumenti zyrtar”.
Simbas mendimit tim, kjo asht e meta e madhe e politikës shekullore, që e shpalli Shqipninë shtet më veti, pa u interesue perpara se ku janë kuadrot drejtuese të vendit. Kjo lojë vazhdon gjithnji edhe sot në politikën botnore. Tashti vjen puna! U shpall Shqipnia në vete. Po kush do ta drejtonte. Vetëm mehmurët e Turqisë.
Po mehmurët kishin baben mbret tue vdekë e dihet, kurrkush nuk e don vdekjen në shtëpi të vet sepse ajo ngjall shum ndryshime. Nuk asht puna te financat, të cilat duhet të përballohen, por asht te trashigimia e pushtetit të një mbreti të vdekun. Atëherë mehmurët e vjetër të Turqisë, tue mos kenë të aftë me e përballue situaten e re, shpallen «kohën e Tranzicionit» don me thanë, kohën që të pergaditeshin për një shtet të ri evropian.
Për rrethana të turbullta që kaloi jo vetëm vendi ynë, por e gjithë Evropa, kjo periudhë Tranzicioni u zgjat deri në vjetin 1920. Mbas konferencës së Versajës, në të cilën u konfirmuen kufijt e Shqipnís të paracaktuem në Konferencën e Londrës, me 1913, atëherë shqiptarët menduen të formohej nji shtet demokratik e ma vonë u banë «zgjedhjet e lira të parlamentit», ndër të cilat shqiptarët nuk ranë kurr në ujdí për nji «Kushtetutë demokratike».
Mbas shumë aventurash politike fitoi Ahmet Beg Zogolli i Matit i cili, me aftësitë e me inteligjencen e tij personale, vendosi nji nder diktaturat e para të Europës me synim që të krijonte nji Shtet modern europian, i cili në të vërtetë nuk mund emancipohej nga mentaliteti feudal mesjetar. Mbas nji aventure pesëmbëdhjetë vjeçare tranzicioni, vendi ra nën okupacionin fashist Italian i cili filloi nji periudhë tjetër tranzicioni fashist. Falë Zotit, nuk vazhdoi aq gjatë sepse Italia u dorzue në fillim të Shtatorit 1943.
Shqiptarët përsëri menduen me e formue nji shtet, por kje krejt kot sepse lufta civile në Shqipni ishte acarue aq shum, sa nuk i lente vend asnji dialogu. Ajo përfundoi me fitoren e komunistave të Joz Broz Titos që kish emisarët e vet në Shqipni, të cilët ia dorzuen pushtetin Enver Hoxhës.
Që në fillim të vitit 1945 ai shpalli epokën e tranzicionit të madh për ta shëndrrue Shqipnín nga një vend i mbrapambetun agraro-feudal, në një prej shteteve ma moderne të botës, tue e drejtue “ma së miri” me plane pesë vjeçare staliniane.
Kjo periudhë e tranzicionit komunist vazhdoi pothuajse 50 vjet deri sa mordja natyrale bani të veten, tue e zhdukë fizikisht diktaturen e cila përfundimisht u shue në vitin 1990-91.
Kishte ardhë koha e ndërrimit të diktaturës me pluralizmin politik. Partia e Punës në fuqi, e drejtueme nga Ramiz Alia, Nexhmie Hoxha e Fatos Nano, e pranuen si të domosdoshëm ketë shndrrim por në vend që të banin nji pluralizëm të gjanë të eks-partive në Shqipni, banë një pluralizëm komunist, të drejtuem nga qeveria e Fatos Nanos dhe opozita demokratike e Sali Berishës pa i sjellë popullit kurrgja të re.
Ky pluralizëm politik u shndrrue ma tepër në nji kacafytje personale antagoniste, pa ideologjinë e vërtetë demokratike. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse intelektualt shqiptarë nuk e dijshin se çka asht demokracia e vertetë: ishin të gjith nxanës të shkollave të partisë së punës së Enver Hoxhës.
Skandalet e Parlamentit Shqiptar, ku lufta parlamentare asht ma tepër personale, se sa ideologjike, sot i sheh kjartë gjithë popullit shqiptar.
Ligjet kapitale demokratike, siç asht ai i kthimit të pronave pronarve të vërtetë si dhe shpërblimi i të denuemve politikë gjatë kohës së diktaturës, ende sot nuk kanë gjetë vendin e duhun.
Politikanët shqiptarë gjithnji mendojnë se politika asht rrenë e kurrgja tjeter.
Për shembull. Njerzit e politikës shqiptare tash 16 vjet rresht, kur shkojnë me urue Bajramin ose Pashkët, e vetmja gja që premtojnë, asht kthimi i pronave komuniteteve fetare, ndërsa për të vërtetë deri m’sot nuk asht paraqitë në parlament asnji projekt-ligjë për këte problem. Nderkaq vazhdojnë të akuzojnë komunitetet fetare se marrin pare (fonde) nga shtetet Arabe, Greqia ose Vatikani. Sikur t’i pyesësh privatisht, të pergjigjen se nuk mund të dallohen komunitetet fetare nga popullsia, e cila ka pësue të njajtin fat. Në të vërtetë në të gjitha ligjet shtetnore, si në lindje ashtu në perëndim, komunitetet fetare gëzojnë privilegje.
Tash 16 vjet na kemi fillue nji periudhë të re Tranzicioni gjoja për të rivendosë demokracinë e vërtetë në Shqipni. Por ky tranzicion, për shkak të konflikteve dhe kompromiseve personale, duket se do të vazhdojë shumë gjatë.
Popull shqiptar, nuk mund të vazhdohet ma në rrugen e tranzicioneve politike, hapi sytë se po bahen 100 vjet që u shpall pavarësia e Shqipnís dhe ende nuk asht krijue nji shtet ligjor. Vendi sundohet jo me ligje, por me urdhnesa. Jo se nuk ka ligje, se kam shqyrtue fletoren zyrtare, në të cilën gjinden ligje shum të mira e moderne europiane, por sa pare ban, kur nuk i këqyr e as i respekton kurrkush! E ka edhe ligje diktatoriale komuniste, të bame pikërisht sot, në kohen e pluralizmit politik në Shqipni. Ku ma tepër se ligji, sundon Maliqi me urdhnesa.
Tranzicione politike kaq të gjata nuk duhet të vazhdojnë ma, për mos daçim të mbetemi emen moti në Europë e në Botë.
Popull shqiptar, këte gjendje mund ta ndrrojsh vetëm me anën e lirisë së votës, n’kjoftë se ja del me e fitue, për ndryshe je i humbun e kot s’koti i thue vedit Shtet, derisa nuk mbrrin me krijue nji shtet ligjor.
Po flitet se duen me shtue edhe dhomën e Senatit. Nuk jemi kundër kësaj, por, me konditë që në ketë dhomë senati mos të kenë të drejtë me marrë pjesë neokomunistat e këtij pluralizmi 17 vjeçar. Por në kjoftë se aprovohet nji dhomë Senati, ajo duhet të zgjidhet nga përfaqësuesit e shoqnisë civile, të cilët nuk kanë marrë pjesë deri sot në ketë politikë neokomuniste.
O Shqiptarë, hapni sytë: ku po shkoni?.
*(Marrë nga faqja e Bibliotekës Françeskane në Facebook).
ObserverKult
Lexo edhe: